N’Kosovë
21 Prill, 2026
Kumti i editorëve: Ky artikull është shënuar për t’iu treguar gjendjen tonë emocionale, shpirtërore, politike, financiare, kulturore dhe motoristike bazuar në ngjarjet e vërteta të ditëve të shkuara dhe domethënien e tyre për ne! Artikulli është përmbledhje e ditës me lajme që kryesuan ditën dhe bëhen një me ty kur ndajmë lajmet e njëjta në Kosovën tonë. Paper ndanë me ty!
Tung i dashur lexues,
Një gjë është e sigurt dhe e vërtetë, drejtësia vonon por gjithmonë vihet në vend edhe nëse vet ti që e kërkove nuk je aty për ta përjetuar. Ajo çka mund të duket sikur nuk kalon kurrë, një ditë përfundon dhe qielli fillon të hapet për ata që e përjetojnë rezultatin e drejtësisë.
Vrasja e Liridona Ademajt nuk ishte vetëm një kronikë e zezë, ishte një ngjarje që tronditi zemrën e çdo njeriu që beson te familja, te siguria dhe te besimi mes njerëzve.
Sepse njeriu mendon që e njeh atë që e sheh çdo ditë, kur them çdo ditë, e kam fjalën që e krijon një balonë ku në të vendos gjërat që ja përkufizojnë jetën dhe duke u bazuar në të vepron.
E rasti i Liridonës t’bon me mendu për përgjigjet që t’i jep jeta. Sidomos për pyetjen: A mund të kthehet njeriu që duhet të të mbrojë, në personin që planifikon fundin tënd?
Sipas aktakuzës, gjithçka ishte menduar paraprakisht, me një plan, që kishte marrëveshje, kishte pagesë për vrasjen. Kjo e bën tragjedinë edhe më të rëndë, gjithçka ishte tradhëti e ndërtuar me vetëdije.
Kur dëgjon fjalët “burgim i përjetshëm”, nuk ka vend për festë, ka vend për lotët e familjes së Liridonës, lot që nuk i merituan t’i derdhnin, e aq më pak t’i derdhnin për një jetë të shuar të së bijës. Askush nuk fiton në raste të tilla. Një jetë është marrë padrejtësisht. Një familje është shkatërruar. Fëmijë, prindër, të afërm dhe miq mbesin me boshllëkun që nuk mbushet kurrë.
Por, KRIMI edhe kur mundohet të maskohet, mund të zbulohet dhe të ndëshkohet.
Ky rast duhet të na bëjë të mendojmë më thellë si shoqëri. Sa herë i kemi injoruar shenjat e kontrollit, manipulimit apo dhunës emocionale? Sa herë kemi heshtur para padrejtësive që ndodhin brenda mureve të shtëpisë, duke i quajtur “çështje private”?
Shumë tragjedi nuk fillojnë me armë, ato nisin me përçmim, me kërcënim, me izolim, me urrejtje të fshehur dhe kur këto nuk adresohen me kohë, pasojat mund të jenë të pakthyeshme.
Në qendër të gjithë këtij lajmi nuk duhet harruar emri i saj, Liridona Ademaj, jo vetëm si viktimë e një krimi të rëndë, por si njeri, si bijë, si nënë, si grua që kishte jetë, ëndrra dhe të ardhme.
Asnjë vendim nuk e kthen atë, asnjë dënim nuk e shuan dhimbjen e atyre që e deshën. Por drejtësia është mënyra më e vogël, dhe njëkohësisht më e rëndësishme, që shoqëria mund të thotë “kjo ishte e gabuar dhe nuk do të tolerohet.”
Ndoshta ky është lajmi më i mirë jo sepse ndodhi diçka e bukur, por sepse ndodhi diçka e drejtë. Andaj miku/mikja ime, lufta për të vërtetën gjithmonë ja vlen <3

