Dje n’Kosovë / foto: Nita Meqa
14 Gusht, 2025
Shkruan: Erletë Rrustemi
Kumti i editorëve: Ky artikull është shënuar për t’iu treguar gjendjen tonë emocionale, shpirtërore, politike, financiare, kulturore dhe motoristike bazuar në ngjarjet e vërteta të ditëve të shkuara dhe domethënien e tyre për ne! Artikulli është përmbledhje javore me lajme që kryesuan javë dhe bëhen një me ty kur ndajmë lajmet e njëjta në Kosovën tonë. Paper ndanë me ty!
I dashur lexues, nëse mëngjesi i së enjtes t’ka çelë me diellin, që të prekë fytyrën prej rrezeve që hyjnë nga hapësira e perdeve të dhomës që ka mbetur larg xhamit dhe nëse brenda kësaj dite ke mjaftueshëm momente që të bëjnë me qeshë, atëherë mos kërko më shumë nga kjo e enjte.
***
Çka ndodhi dje në Kosovë?
Partitë më të mëdha shqiptare kanë vendosur të bëhen bashkë në një listë në garën zgjedhore komunale në Graçanicë.
Lëvizja Vetëvendosje, Lidhja Demokratike e Kosovës, Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës do të garojnë me iniciativën Aleanca Shqiptare.
Kjo u bë e ditur nga nënkryetari i kësaj komune, Leutrim Ajeti, i cili është edhe kandidat për kryetar komune.
***
Zyra e Rregullatorit për Energji i ka paralajmëruar bizneset që do t’u ndërpritet rryma nëse nuk lidhin kontrata me furnizues në treg të lirë deri më 16 gusht. Bizneset janë shprehur të alarmuara dhe kanë kërkuar sërish shtyrje të afatit. E përfaqësues të bizneseve thonë se pasojat do të jenë të mëdha për ekonominë nëse bëhet dalja e detyruar në treg të hapur.
ZRRE-ja në njoftim ka shkruar se shkalla e dytë e Gjykatës Komerciale e ka konfirmuar ligjshmërinë e vendimit për të dalë në treg të hapur.
Në Kosovë liberalizimi i tregut të energjisë është paraparë me Ligjin për energjinë elektrike të miratuar në vitin 2016, por zbatimi i tij është shtyrë për shkak të rrethanave të ndryshme.
***
Mentor Hyseni është emëruar në krye të Administratës Tatimore të Kosovës. Emërimi i tij është kritikuar nga përfaqësues të partive politike e të shoqërisë civile, meqë ai ka qenë kandidat i Lëvizjes Vetëvendosjes për deputet. Por, në Vetëvendosje është justifikuar vendimi për emërimin e Hysenit në këtë pozitë.
Hyseni është anëtarësuar në Lëvizjen Vetëvendosje në gusht të 2019-ës dhe pati kandiduar edhe për deputet në zgjedhjet e 6 tetorit të po atij viti, garë nga e cila pati marrë 5 mijë e 18 vota.
Emërimi i tij në krye të ATK-së është kritikuar nga partitë që kanë qenë në opozitë mandatin e shkuar e edhe nga shoqëria civile.
***
Ndoshta, kur ke mësuar të mbijetosh në kaos, qetësia duket si një vend i çuditshëm. Por e gjitha që ka rëndësi në jetë është dielli dhe ylberi, mos mendo gjithmonë për stuhinë. Paqja nuk duhet të të bëj të ndihesh në siklet. Stabiliteti është i mirë!