Live Stories from Prishtina

LIVE

13 Dhjetor, 2024

E kaluara është muzë që na kujton rrënjët tona dhe na nxit të krijojmë diçka që jeton përtej kohës. Kujtimet mund të frymëzojnë art, letërsi apo edhe vepra që ruajnë thelbin e asaj që kemi humbur.

Kur krijon diçka, duhet të jetë ndryshe prej gjithçkaje që ka dalë deri sot, për atë dallohet dhe cilësohet si art. Pikërisht kështu, u përdorën “mëlmesa rrezesh dielli” që sollën në pah gjithçka të bukur që nuk duhet të harrohet. Historitë që gërshetojnë të bukurën shpesh bartin sakrificat dhe dhimbjet, të cilat duhen treguar për të nxjerrë në pah thelbin – diellin.

Ky është përshkrimi për revistën më të re periodike nga Fondacioni “Unë e du Kosovën”, “Me Diell”. Një revistë që në shtator ka zbuluar numrin e parë, ndërsa të hënën, më 16 dhjetor, do të prezantojë numrin e saj të dytë. Për ata që duan ta përjetojnë këtë eksperiencë ekskluzive, promovimi do të mbahet në Tartinë nga ora 19:00.

“A ka vdekur shtypi?”

Kjo pyetje intriguese ka nxitur kryeredaktoren dhe themeluesen e revistës, Nita Kelmendi Xhiha, redaktoren artistike Rina Krasniqi dhe redaktoren përgjegjëse Sara Kelmendi, të krijojnë diçka të veçantë që i jep një frymë të re shtypit të printuar. Sara, e ftuar në emisionin e mëngjesit “Early Birds” me Valentinen dhe Albanin, ndau disa copëza nga rrëfimi i saj për revistën:

“Mungesa e revistave në trafikat dhe kioskat tona, pamundësia për të pasur një revistë në dorë, është diçka që na ka shqetësuar prej kohësh. Gazetat e përditshme nuk shtypen më prej vitit 2020. Ideja jonë ishte që të rikthenim atë ndjesi, të krijonim një revistë të shtypur, që mund të shfletohet, të mbahet në dorë, dhe të ruhet si diçka me vlerë. Gjeneratat më të vjetra e shohin këtë si një nostalgji, por kjo revistë ka për qëllim të përqafojë të gjitha gjeneratat dhe të sjellë temat që na shqetësojnë përditë: arsimi, shëndeti mendor, kultura, mjedisi, qyteti ynë dhe stili i jetesës.”

Koncepti për të shtuar diell në çdo artikull të kësaj reviste u kompletua me temat e veçanta si: “Çka po na pëlqen?”, “Çka po ndëgjojmë?”, rrëfime të treguara ndryshe si ai i Petrit Halilajt, histori mbi qendrën e Prishtinës, tregime për artistë të veçantë të ilustruara me kartolina dhe shumë copëza tjera që frymëzojnë dhe ndërlidhin artin me kujtimet dhe të ardhmen.

“Me Diell” nuk është thjesht një revistë; është një platformë që synon të ndriçojë temat e harruara dhe të sjellë në vëmendje sfidat e komunitetit tonë. Revista pasqyron diversitetin kulturor të Kosovës dhe shërben si urë lidhëse mes brezave, duke ruajtur kujtimet dhe duke frymëzuar gjeneratat e reja për të krijuar një të ardhme më të ndritur.