N’Kosovë
4 Tetor, 2024
Shkruan: Erletë Rrustemi
Kumti i editorëve: Ky artikull është shënuar për t’iu treguar gjendjen tonë emocionale, shpirtërore, politike, financiare, kulturore dhe motoristike bazuar në ngjarjet e vërteta të ditës së djeshme dhe domethënien e tyre për ne! Artikujt janë ditorë dhe bëhen një me ty kur ndajmë përditshmërinë e njëjtë në Kosovën tonë. Paper ndan me ty!
Zakonisht, mësimet më të mëdha në këtë jetë i mësojmë në mënyrën më të vështirë. Gjatë procesit tonë të rikuperimit nga lëndimi emocional, ndeshemi me njerëz që ndoshta do të përshkruajnë rrugën tonë të mbetur të jetës.
***
Si u bë Gjermania tema kryesore e kësaj jave?
Pavarësisht luhatjeve, nuk duhet ta humbasim Gjermaninë si aleate! Me ndikimin e saj në BE dhe rajon, Gjermania ka rëndësi për çështjet e Kosovës dhe mënyrën si ato do të ecin përpara.
Çfarë është kjo qetësi nga ana e qeverisë? A mos pjesëmarrja në Procesin e Berlinit është e garantuar dhe polemikat për heqjen e ndalimit të importit të mallrave nga Serbia veçse do të shuhen me heqjen e tyre?
A nuk duhet të shfrytëzohen mundësitë që na janë ofruar para ndërrimit të administratës amerikane? Me ardhjen e Harris-it apo Trump-it në krye, Ballkani Perëndimor nuk do të ketë fokusin që ka pasur deri tani.
***
Ndërsa kryeministri Kurti po merret me temën “i vendosi apo s’i vendosi sanksionet Serbia ndaj Rusisë”, a nuk do të ishte më mirë të përmirësojë situatat që sollën deklarata si “mos pshurrni para derës së klubit tuaj”?
***
Ndërkohë, drejtori i BERZH-it thotë se Kosova ka potencial për zhvillim ekonomik dhe infrastrukturor. Kur ka ndodhur një investim i madh i huaj në Kosovë që nga viti 2022?
***
Në Teatrin Kombëtar të Kosovës, mbrëmë u dha premiera e shfaqjes “Makbethi”, të autorit William Shakespeare. Këtë projekt teatror në skenën e TKK-së e solli regjisori Qëndrim Rijani. Kasta e aktorëve, ku luajnë edhe Shkëlzen Veseli, Luan Jaha, Shkumbin Istrefi, Ilire Vinca, Semira Latifi, Faris Berisha, Ermal Sadiku e të tjerë, është zgjedhja më e mirë e mundshme në ambientin e Kosovës. Egoja e Makbethit arrin në nivelin që e shtyn atë të vrasë mbretin (Luan Jahën) dhe të qajë për të. Veset e liga i rriten paralelisht me paranojën. Megjithatë, një shfaqje e tillë është e vështirë të “kamuflohet” brenda një “teatri kamertal” në hapësirën që ofron TKK-ja aktualisht, ku publiku ndien edhe frymëmarrjen e aktorit.
***
Gjëja më e bukur në jetë është të falësh dhe të vazhdosh përpara!