Live Stories from Prishtina

LIVE

13 Shkurt, 2025

Shkruan: Erletë Rrustemi

 

Kumti i editorëve: Ky artikull është shënuar për t’iu treguar gjendjen tonë emocionale, shpirtërore, politike, financiare, kulturore dhe motoristike bazuar në ngjarjet e vërteta të ditës së djeshme dhe domethënien e tyre për ne! Artikujt janë ditorë dhe bëhen një me ty kur ndajmë përditshmërinë e njëjtë në Kosovën tonë. Paper ndanë me ty!

Mirëmëngjesi, dardan i lashtë! Ti që mbrëmë insistoje për gjërat “që duhen se s’bën ndryshe” e që sot nuk ndihesh më ashtu, edhe ty që asnjëherë nuk mërzitesh nëse bëhet ose s’bëhet. Të gjithë, një herë në jetë, i veshin këpucët e tjetrit – është ligj jetësor.

***

Nëse në votime kanë dalë 40 përqind e njerëzve që kanë pasur të drejtë vote, ky 60 përqindëshi a po mërzitet për krijimin e qeverisë, apo ky 40 përqindëshi? Përjashto ata që shtyjnë dhëmbë për dhëmbë me teori se kush ka për të krijuar qeverinë, pjesa tjetër a ju kanë kapur hallet e juaja përpara?

Po, natyrisht që po… problemet rrjedhin, edhe nëse qeveria jo!

Përderisa Abdixhiku mbrëmë tha se LDK-ja do të qëndrojë në opozitë, PDK-ja preferon bashkëpunime me opozitarët, ndërsa LVV-ja vetëm po pret t’u kthehet punëve në qeveri. Analistë e gazetarë, jo bash më të preferuarit e kryeministrit në largim ose në ardhje, Kurtit, kanë sugjeruar formimin e një qeverie që zgjat deri në një vit, e cila i përfundon disa punë më të rëndësishme. Se të gjithë e kemi mësuar formulën që për postin e presidentit ose prishet qeveria, ose duhet të bëhen numrat.

Numërimi i votave për deputetë ka nisur të mërkurën në 14 komuna, ndërsa në 20 komuna ende nuk ka nisur. Ndoshta deri para Pavarësisë përfundon dikur.

Teksa kanë justifikuar vonesën me ndërlikueshmërinë e procesit, në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve kanë thënë se, para shpejtësisë së shpalljes së rezultateve, rëndësi ka saktësia e procesit.

***

Kryeshefi ekzekutiv i Kompanisë Rajonale të Mbeturinave “Pastrimi”, Petrit Reçica, i ka bërë thirrje kryetarit të Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, që t’i fusë në shfrytëzim kontijnerët, të cilët, sipas tij, po mbahen në depo.

Reçica ka thënë se Prishtina ka mungesë të theksuar të kontijnerëve të mbeturinave. Ai u ka kërkuar edhe qytetarëve që t’i bashkohen në thirrjen ndaj Ramës.

Ndërkohë, ka publikuar disa fotografi të kontijnerëve të mbeturinave që supozohet se janë blerë, por nuk po shfrytëzohen.

***

Dje, Posta e Kosovës, në nderim të 80-vjetorit të gazetës “Rilindja”, nxori në qarkullim postar emisionin e ri të pullave postare.

Në njoftimin e lëshuar thuhet se ky emision i pullës postare vlerëson kontributin e gazetarëve, redaktorëve dhe gjithë punonjësve të medias së parë të shkruar në Kosovë, “Rilindja”, që nga botimi i numrit të parë të gazetës, më 12 shkurt 1945.

***

Nëse ndonjëherë e ke në mendje: Si ta shijoj “filxhanin tim të kafes” kur bota rreth meje po rrënohet? Hapi i parë: truku është ta kujtosh që bota gjithmonë, në një formë ose në tjetrën, ka qenë duke u rrënuar.

Dhe hapi i dytë: Gëzuar!