Live Stories from Prishtina

LIVE

7 Shkurt, 2025

Shkruan: Erletë Rrustemi

 

Kumti i editorëve: Ky artikull është shënuar për t’iu treguar gjendjen tonë emocionale, shpirtërore, politike, financiare, kulturore dhe motoristike bazuar në ngjarjet e vërteta të ditës së djeshme dhe domethënien e tyre për ne! Artikujt janë ditorë dhe bëhen një me ty kur ndajmë përditshmërinë e njëjtë në Kosovën tonë. Paper ndanë me ty!

Veç një gjë është me rëndësi: të më mbash mend, lexues. Çdo hap që je duke bërë sot ka rëndësi. Qesharake se si zemra rishikon atë që mendja mendoi se e la pas… Jeta nuk është një vijë e drejtë – disa gjëra që nuk i duam kthehen, edhe pasi ke bërë paqe me to. Por ta ndjesh sërish nuk do të thotë se po kthehesh prapa. Thjesht do të thotë që të ka interesuar, dhe kjo nuk është kurrë diçka për t’u penduar. 💛

Prokuroria në Prishtinë paska nisur hetime pas raportimeve se ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, është përfshirë në procedurën e transportimit të votave. Prokuroria ka njoftuar se, në vazhdën e aktiviteteve për ruajtjen dhe mbarëvajtjen e procesit zgjedhor, pas raportimeve për keqpërdorimin e mundshëm nga ambasadori Berishaj rreth procedurës së transportimit të votave të qytetarëve të Republikës së Kosovës në diasporë, ka filluar ndërmarrjen e hetimeve të nevojshme për të parë nëse në raportimet në fjalë përmbushen elementet e ndonjë vepre penale që lidhet me procesin zgjedhor.

***

Je ministre e Punëve të Jashtme që katër vjet, por ke për të votuar në Gjermani, sepse nuk je shtetase e Kosovës.

***

A e keni ndërmend, lexues, t’i bojkotoni marketet e mëdha në Kosovë më 10 shkurt? E dini cilat – këto që i kanë çmimet e njëjta, më të larta ose të përafërta me çmimet në Gjermani e në Zvicër?

Veç më 10, bli në marketet e lagjes, nëse veç duhet gjithqysh.

Nëse mendon se asgjë nuk ndryshon edhe pas kësaj, kujto se në Kroaci qeveria ka vendosur çmime tavan për 70 produktet esenciale, ashtu si dikur tek ne për naftën.

***Kulturë

Shtëpia-muze e prozatorit dhe poetit të madh Dritëro Agolli, mbrëmjen e së martës ka qenë e zhurmshme nga vizitat e miqve, adhuruesve e gazetarëve të shumtë, të pranishëm në ekspozitën me dorëshkrimet e letrave të dashurisë mes shkrimtarit dhe njeriut të tij të zemrës, Sadijes.

Të pranishmit e kanë kujtuar poetin e madh mes letrave të dashurisë, objekteve personale dhe zërit të tij, që është kudo në shtëpinë ku jetoi me familjen e tij të madhe.

Ka qenë e bija e Dritëroit, Elona, ajo që kontribuoi me dorëshkrime e objekte të tjera për këtë ekspozitë.

***

Njerëzit e duhur nuk e bëjnë jetën më të lehtë – ata të kujtojnë se kush je. Shoqërimi duhet të jetë i lehtë, përditshmëria gjithsesi merr kthesa të papritura, nga gjërat e vogla që as nuk i vëmë re. Mbajini ato – ato janë të rralla.