Dje n’Kosovë
26 Mars, 2025
Shkruan: Erletë Rrustemi
Kumti i editorëve: Ky artikull është shënuar për t’iu treguar gjendjen tonë emocionale, shpirtërore, politike, financiare, kulturore dhe motoristike bazuar në ngjarjet e vërteta të ditës së djeshme dhe domethënien e tyre për ne! Artikujt janë ditorë dhe bëhen një me ty kur ndajmë përditshmërinë e njëjtë në Kosovën tonë. Paper ndanë me ty!
Një ditë do të zgjoheni dhe nuk do të keni më kohë për të bërë gjërat që keni dashur gjithmonë. Bëjeni tani, lexues i dashur. Çdo mëngjes është një kujtesë për të lënë të shkuarën dhe për të përqafuar të tashmen.
***
Çka ndodhi dje në Kosovë?
Krejt këto vrasje ditëve të fundit çfarë po tregojnë? Frustrim shoqëror apo diçka tjetër? Eufori në “mendje të keqe” apo çfarë?
REL ka raportuar përmes një shkrimi se vetëm në vitin 2024 janë dhënë 10 mijë leje për armëmbajtje.
Në QKUK thonë se brenda një jave mbi 50 persona u nënshtrohen kontrolleve te psikologu, psikiatri, neurologu, oftalmologu dhe otorinolaringologu, si dhe analizave biokimike – të gjitha të nevojshme për të kërkuar lejen e armëmbajtjes. Për katër vrasje brenda më pak se një jave, çfarë teste janë ato?
Tash, jo pse automatikisht ata që marrin leje kryejnë vrasje, por edhe probabiliteti që familjarët e tyre të kenë qasje në këto armë është i madh.
***
Një fotografi e publikuar nga djali i Haxhi Shalës për festën e Pavarësisë së Kosovës i ka sjellë telashe ish-presidentit, Hashim Thaçi.
Kjo, pasi Prokuroria e Hagës e ka përdorur këtë fotografi për të arsyetuar vazhdimin e paraburgimit të Hashim Thaçit.
Në këtë fotografi dukeshin Haxhi Shala dhe Hashim Thaçi duke qëndruar bashkë në Qendrën e Paraburgimit, në një lidhje me video.
***
Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut janë vendet e para që kanë përfituar këtë javë nga pagesat e para-financimit të Bashkimit Evropian, në kuadër të të ashtuquajturit Plan i Rritjes për Ballkanin Perëndimor. Plani është një fond i BE-së me vlerë 6 miliardë euro, ku përfshihet edhe Kosova.
Kjo e fundit nuk mund t’i pranojë këto fonde pa e ratifikuar marrëveshjen për kredi në Kuvend.
Kuvendi po do të na lë pa fonde.
Ndër synimet kryesore të këtij projekti është forcimi i një tregu të përbashkët rajonal, i cili do të integrohet gradualisht me atë të BE-së.
***
Gati një dekadë pas nisjes së rrugëtimit nga Prishtina – kur “Mendoj për ty” me fustanet e grave të dhunuara në luftë nuk pushtoi vetëm stadiumin, por edhe botën mbarë nëpërmjet imazheve – Strasbourg do të jetë nikoqiri i radhës i instalacionit, i cili tashmë flet me gjuhën universale.
Të martën, edhe ajo që njihet si kryeqendra evropiane e të drejtave të njeriut ka mësuar diçka nga projekti global i artistes Alketa Xhafa-Mripa. Ajo e ka prezantuar në sesionin e 48-të të Kongresit të Autoriteteve Lokale dhe Rajonale të Këshillit të Evropës si një thirrje të fuqishme për ndërgjegjësim, drejtësi dhe solidaritet me viktimat e dhunës seksuale në konfliktet e armatosura.
Kjo i paraprin inaugurimit zyrtar, që do të mbahet më 19 qershor, me rastin e Ditës Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës Seksuale në Konflikte.
***
Sa më shumë mësojmë dhe hulumtojmë, aq më shumë kuptojmë se sa të kufizuara janë njohuritë tona. Është një pohim i përulësisë intelektuale dhe një kritikë ndaj atyre që besojnë se i dinë të gjitha. Dija është e pafundme.