Rreth e rrotull
8 Nëntor, 2024
Shkruan: Erletë Rrustemi
Stantërgu ka të gjitha vetitë për të qenë i lakmueshëm nga bota, dhe deri sot ka tërhequr më së shumti vëmendjen e fqinjëve. Disa prej jush që jeni duke e lexuar këtë mund të dini diçka më shumë, por ka shumë të tjerë që njohin vetëm informacionet sipërfaqësore.
Për ata që janë dëgjues të rregullt të Paper Radios, në emisionin Drive Time me Shukin, ka qenë mysafir gjeologu Mentor Demi, i cili ka shpjeguar arsyet e fjalës së parë.
Fatkeqësisht, edukata gjeografike ka qenë e mangët sa i përket pasurive tona nëntokësore, por fatmirësisht, njerëz si Mentori nuk hezitojnë të ndajnë informacione për arsye vetëdijësimi. Madje, do të ishte mirë që intervistat e tilla të merrnin vëmendje institucionale.
Fillimisht, kush është Mentor Demi?
Profili i Mentor Demit:
Mentor Demi është përfaqësues i një kompanie ndërkombëtare që merret me kërkime dhe eksplorim të burimeve nëntokësore, përfshirë arin dhe bakrin. Ai ka eksperiencë ndërkombëtare në Armeni, Gjeorgji, Turqi dhe vende të tjera, dhe është bashkë-themelues i një kompanie me bazë në Londër që operon në Kosovë, Maqedoni dhe Bullgari.
Këto janë informatat kryesore që duhet t’i dini nga intervista
I pyetur për pasuritë e Kosovës, ai thotë:
“Kosova është historikisht e njohur për prodhimin e metaleve si plumbi, zinku dhe argjendi, me potencial për zbulime të reja të arit dhe bakrit. Veçanërisht zona e Stantërgut është një prej depozitave më të rëndësishme për këto burime. Jemi aktualisht në një thellësi prej 1000 metrash në Stanterg, por ndoshta do të duhet të zbresim edhe 1000 metra më thellë për të arritur në depozitën kryesore, e cila mund të përmbajë ar, ar-bakër, vetëm bakër, molibden, apo një kombinim të bakrit me minerale të tjera. Megjithatë, kjo pjesë ende nuk është hulumtuar, prandaj potenciali dhe interesi i eksploruesve mbetet i madh për këtë rajon, veçanërisht për Kosovën, pasi ekziston ende mundësia për të zbuluar diçka të re dhe të madhe”, thotë Demi.
Një nga detajet më interesante të kësaj interviste ishte kjo deklaratë e Mentorit:
“Duhet t’i kushtohet rëndësi depozitës së vendburimit të Stantërgut në Mitrovicë, sepse është një shembull klasik – një model tekstual që përdoret në të gjitha librat mbi vendburimet minerale në botë, nga Australia deri në Kanada. Stantergu konsiderohet një vendburim tipik i tipit ‘skarn’, që krijohet afër kupolave të mëdha dhe ka potencial për ar-bakër. Megjithatë, ne nuk e kemi testuar këtë potencial ende.”
Por ajo që e shton stagnimin e minierave në Kosovë është edhe ligji i mangët. Ligji i minierave në Kosovë ka nevojë për përmirësime për të lehtësuar kalimin nga hulumtimi në shfrytëzim, që është pika kyçe për zhvillimin e minierave. Mentor Demi thekson rëndësinë e përkrahjes institucionale për investime të huaja në këtë fushë:
“Fatkeqësisht, Kosova ka një strategji minerare për periudhën 2012-2024, por situata nuk ka ndryshuar shumë. Për shembull, në vitin 2012 kishte 3,518 punëtorë në sektorin minerar, ndërsa këtë vit ka vetëm 3,560 — pra, janë shtuar vetëm 30-40 punëtorë gjatë 10-12 viteve të fundit, ndërsa ne kemi punësuar vetëm 50. Kjo është një stagnim. Qeveria duhet ta marrë këtë mesazh shumë seriozisht, pasi Trepça ka potencialin kryesor për të zbuluar diçka të re, por nuk po bëhet asgjë në këtë drejtim. Përveç minierave, jashtë tyre ka zona të tëra prej 400 km² që mbahen pa zhvillim. Gjithashtu, qeveria me një udhëzim të caktuar ka përcaktuar disa zona me interes të veçantë – 11 zona me sipërfaqe të konsiderueshme që nga paslufta. As nuk hapen për investime, as nuk zhvillohen vetë, dhe kjo tregon se strategjia e minierave nuk është funksionale. Nuk e di në interes të kujt është ky moszhvillim.”
Për ta përmirësuar situatën nëntokësore, Mentori ka një thirrje të arsyeshme:
“Për shembull, universitetet duhet të kenë mundësinë të zbulojnë talente të reja, që ato të mos presin vetëm që t’i zbulojnë më vonë, pasi ndoshta po ecin mbi diçka të madhe dhe nuk janë të vetëdijshëm për këtë.”
Për ta dëgjuar intervistën e plotë mund të klikoni në linkun më poshtë.