Live Stories from Prishtina

LIVE

20 Gusht, 2024

Shkruan: Valentina Imeraj dhe Erletë Rrustemi

Mitrovica, ky vend që gjithmonë i fali gjëra të veçanta Kosovës, e ndër të shumtë edhe artistë. Për ta shtuar namin që ky qytet e mertion, tash për herën e dytë, me iniciativë të art-dashësve po organizohet Mitrovica Internationa Jazz Days.

Vitin e kaluar edicioni i parë i plotësoi pritshmëritë e organizatorëve. Tani për herën e dytë festivali ka shfaqur synime edhe më ambicioze tek ofron aktivitete edhe për fëmijët e të rinjtë.

Personalisht jam më se e lumtur që vera e këtij viti, sidomos tre muajt e fundit kanë qenë të larmishëm kulturalisht për Kosovën, ndërsa vetëdijesimi i qytetarëve që të marrin më shumë pjesë në ngjarje të tilla për të ngritur prodhimin dhe ndikimin e tyre duhet ende të rritet.

Rona Nishliu, njëherësh organizatore e “Mitrovica International Jazz Days”, ishte e ftuar në emisionin e mëngjesit “Early Birds” me Valentina Imeraj dhe Alban Makollin, le t’i hedhim një sy detajve që ajo ndau me ne.

Ky artikull do të ju shërbejë të mësoni detajet rreth festivalit nëse mendoni të merrni pjesë.

(Më poshtë do të gjeni një përmbledhje më të detajuar rreth xhazit nga Valetina Imeraj)

Muzika jazz është një nga format më të rëndësishme të muzikës që ka lindur në fillim të shekullit të 20-të në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kryesisht në qytetin e New Orleans. Jazz-i është një shkrirje unike e muzikës afrikane, evropiane dhe amerikane, e cila përmban elemente si improvizimi, ritmi i sinkopuar, dhe harmonia komplekse.

Jazz-i lindi nga traditat muzikore të skllevërve afrikanë në Amerikë, të cilat u kombinuan me muzikën evropiane, si marshet, himnet dhe blues-in. Fillimisht u luajt në komunitetet afrikano-amerikane, duke u përhapur më vonë në të gjithë vendin. Në vitet 1920, jazz-i u bë jashtëzakonisht popullor dhe u quajt “Epoka e Jazz-it” ose “Roaring Twenties”. Muzikantë si Louis Armstrong dhe Duke Ellington u bënë figura kryesore të këtij zhanri. New York-u dhe Chicago u bënë qendra të rëndësishme të jazz-it, ku ky stil evoluoi me nëntipe të ndryshme, si swing, bebop, cool jazz, dhe më vonë, free jazz.

Stilet kryesore te Jazz-it jane:

-Dixieland: Stili i hershëm i jazz-it që u zhvillua në New Orleans.
-Swing: Një formë e jazz-it që u bë shumë popullore në vitet 1930 dhe 1940, duke përfshirë grupe të mëdha orkestrale.
-Bebop: U zhvillua në vitet 1940 dhe shënoi kalimin drejt improvizimit më të ndërlikuar dhe temave muzikore më komplekse.
-Cool Jazz: Një stil më i qetë dhe më i kontrolluar që doli në fund të viteve 1940 dhe 1950.
-Free Jazz: Një formë më eksperimentale e jazz-it që shfaqet në vitet 1960, duke sfiduar strukturat tradicionale.

Jazz-i ka ndikuar thellësisht jo vetëm në muzikën amerikane, por edhe në kulturën dhe muzikën botërore. Ka pasur një ndikim të madh në zhvillimin e zhanreve të tjera si rock, funk, dhe hip-hop. Jazz-i vazhdon të evoluojë edhe sot, duke përfshirë elemente nga muzikat e tjera dhe duke vazhduar të jetë një zhanër i gjallë dhe i respektuar në mbarë botën.

Muzika jazz në Kosovë ka një histori të shkurtër, por dinamike, që është zhvilluar kryesisht pas Luftës së Dytë Botërore dhe veçanërisht pas viteve 1990, kur vendi filloi të hapet ndaj ndikimeve ndërkombëtare. Jazz-i në Kosovë ka marrë ndikime nga jazz-i evropian dhe amerikan, dhe është zhvilluar në një kontekst unik kulturor.

Në vitet e para pas Luftës së Dytë Botërore, jazz-i filloi të depërtojë në Kosovë kryesisht përmes muzikantëve që kishin qasje në radio dhe gramofonë. Në atë kohë, muzika jazz shihej si një formë muzikore elitare dhe eksperimentale.

Në dekadat e mëvonshme, ky zhanër filloi të shfaqet në klubet e natës dhe në koncerte lokale. Pas luftës, me hapjen e vendit ndaj botës dhe me mbështetjen e organizatave ndërkombëtare, jazz-i filloi të fitojë më shumë popullaritet. Prishtina u bë qendra kryesore e skenës jazz në Kosovë, me organizime të festivaleve dhe koncerteve të ndryshme.

Jazz-i në Kosovë filloi të zhvillohet edhe përmes institucioneve si Muzika e Arteve të Bukura në Universitetin e Prishtinës, ku studentët dhe muzikantët e rinj filluan të eksperimentojnë me këtë zhanër.

Muzika jazz e ka adresën e vet e cila mbledh të gjithë entuziastët e këtij zhanri. “Mitrovica International Jazz Days” është ajo që e kthen vëmendjen e merituar, së paku për disa ditë, kah qyteti i lumit Ibër. Nga 22 deri më 24 gusht, tashmë është bërë e ditur se aty do të shpalosen ditët e jazz-it.

Festivali tash e dy herë po sjell emra të njohur ndërkombëtarë të muzikës jazz në Kosovë, por mbi të gjitha, aktivitetet jashtë performancave janë ato që i japin veçanti edhe më të madhe, janë tregues i vetë misionit të tij.

Në edicionin e parë, në Mitrovicë kishin performuar emra të mëdhenj të muzikës të cilëve rrugëtimi u ishte shkruar edhe në skena botërore si ajo e “Grammy”. Bas-kitaristi e këngëtari me prejardhje afrikane, Richard Bona, kishte ngjitur skenën e festivalit, duke e bërë dhe hapjen e atij edicioni. Fituesi i çmimit “Grammy” ishte pritur me ngrohtësi nga publiku mitrovicas. Por ai nuk kishte qenë i vetmi pjesëmarrës i këtij kalibri. Laureatët e pesëfishtë të “Grammyt” që performuan në “Mitrovica International Jazz Days” ishin dhe britaniku, Bill Laurance, e amerikani Michael League, që të dy kompozitorë, producentë dhe poli-instrumentistë. Me pak fjalë, ajo çfarë ishte arritur me një edicion të parë të kësaj iniciative kishte qenë një shfaqje ambiciesh e serioziteti, e cila u përkthye në sukses.

Me pyetjet nga Tina, se kush janë performuesit e këtij viti, Rona ndau vetëm një emër

“Artistja Kinga Glyk nga Polonia. Por itinerarin e këtij dyditëshi padyshim që do ta përshkojë edhe seria e performancave të muzikantëve të rinj të talentuar nga Kosova e rajoni”, tha ajo.

Rona, tregoi se edhe kujt i dedikohet ky edicion.

“Koncertet fokusohen te gratë e suksesshme në xhaz si dhe tek promovimi i gjeneratës së re të xhazistëve ndërkombëtarë. Programi është zgjeruar, i jepet hapësirë talenteve të reja, kemi sesione të veçanta të “sound healing” si dhe sesionet e ekspozimit të fëmijëve ndaj muzikës jazz përmes lojës dhe argëtimit”.

Mbi të gjitha, gjithçka ofrohet pa pagesë dhe e qasshme nga të gjithë. Festivali krijon një ambient të përbashkët ku qytetarët mund të ndërveprojnë dhe të ndajnë përvoja të përbashkëta. Në nivel nacional, është programi më prestigjioz i ofruar ndonjëherë në sektorin e muzikës xhaz dhe world music, si dhe një program konkurrues në nivel rajonal.

Për më shumë kvtu kemi bashkangjitur linkun e intervistës me Rona Nishliun. Kliko më poshtë për të dëgjuar intervistën.

Rona Nishliu flet për ” Mitrovica International Jazz ” – YouTube