Live Stories from Prishtina

LIVE

22 Maj, 2024

“Është biznes. Lëri emocionet tua tek dera” – Jordan Belfort

Është kjo njëra ndër thënjet në filmin “The Wolf of Wall Street”, ku filmi hapet me një mbishkrim poshtë “Ngjarja bazohet në histori të vërtetë” dhe shoqërohet me një kinematografi fantastike, e cila lë më shumë mbresa sesa filmat e zakonshëm.

Pastaj ia bëj këtë pyetje vetes: Pse njerëzit shprehin më shumë interesim për filmat që zbërthejnë historitë e vërteta?, dhe më kujtohet që e vetmja herë kur nëna ime erdhi me mua në kinema ishte shfaqja e filmit “Zanë” (film i bazuar në ngjarje të vërtetë).

Për të realizuar një film bazuar në ngjarje të vërtetë, historia e tij duhet të jetë ose mjaft e njohur ose shumë e përfshirë në publik. E kur shoqëria merr shembull shumë personazhe për të cilat bota flet, njerëzit duan të njoftohen me historinë e tyre që tashmë i kanë shembull për të mirë, për të mos u bërë, për të arritur apo edhe për të mësuar.

Ne kemi zgjedhur disa filma që janë të bazuar në ngjarje të vërtetë, ku aktorët i kanë portretizuar në mënyrë të jashtëzakonshme personazhet kryesore.

The Wolf of Wall Street (Leonardo DiCaprio portretizon Jordan Belfort)

 

 

 

Bazuar në historinë e vërtetë të Jordan Belfort, The Wolf of Wall Street është një komedi satirike biografike amerikane që është shfaqur premierë në dhjetor, të vitit 2013, nën drejtimin e shkëlqyer të Martin Scorsese.

The Wolf of Wall Street mund të jetë një nga filmat më të çmendur që do të shikoni ndonjëherë, nëse nuk e keni parë tashmë. Kryevepra përshkruan aventurat e panumërta të Jordan Belfort nga ngritja e tij në një ndërmjetës të pasur aksionesh deri në rënien financiare dhe burgosjen e tij.

Leonardo DiCaprio luan si Belfort dhe siç pritej, ai dha një performancë të jashtëzakonshme mbi atë që e përshkruajnë të jetosh si narcisist. Belfort i donte të gjitha – pasurinë, përvojat më të rrezikshme, kënaqësitë dhe dhimbjet.

Plani i tij gjenial dhe manipulimet grabitqare i dhanë pikërisht atë që donte; marrëzia e tij për të menduar se mund të ikte pa u kapur, i dha pikërisht atë që meritonte.

Leonardo DiCaprio nga veshja, stili i të folurit, gjuha e trupit, qëndrimi serioz e deri tek ai si i pafajshëm dhanë pikërisht ndjenjat që filmi portretizon dhe atë se çfarë me të vërtetë historia thotë për Jordan Belfort.

The Wolf of Wall Street na tregon fajin në ekzistencën tonë. Përpjekjet dhe vitet që kemi bërë për të krijuar diçka të cilën mund ta shkatërrojmë për pak sekonda.

The Theory of Everything (Eddie Redmayne portretizon Stephen Hawking)

 

 

 

Teoricienti i fizikës, Stephen Hawking. Është një film i realizuar bukur. Filmi ndan titullin e njejtë me një nga librat e shkruar nga Stephen Hawking – “Teoria e gjithçkaje”.

Aktori Eddie Redmayne fitoi çmimin e Akademisë për aktorin më të mirë në rolin kryesor për portretizimin e Hawking në këtë film. “Teoria e gjithçkaje” fokusohet në betejat e profesorit Stephen Hawking, problemet me të cilat ai u përball, jeta e tij e dashurisë, lufta e gruas dhe kërkimet e tij. Shumica e dialogjeve ishin shkencore siç mund ta imagjinoni sipas zhanrit të filmit. Por, dialogjet e shkruara duke mbajtur në mendje ideologjinë e Stephen Hawking ishin mjaft brilante dhe unike. Ka gjithashtu disa citate motivuese që mund të zgjedhni nga fjalimi që ai mbajti në fund të filmit.

Çfarë Eddi Redmayne arrin të përçojëc tek shikuesit është shpresa, aftësia për t’iu përshtatur ndryshimeve, inteligjenca emocionale, shprehjet akademike por që tingëllonin shumë romantike dhe më e rëndësishmja: “Gjithmonë ka diçka që mund të bësh dhe të kesh sukses, thjesht vazhdo të kërkosh derisa ta gjesh atë”.

Invictus (Morgan Freeman portretizon Nelson Mandele-n)

 

 

 

Invictus është një film inspirues i bazuar në historinë e vërtetë të Nelson Madelas dhe tentimeve të tij për të bashkuar njerëzit në Afrikën Veriore.

Morgan Freeman na ofron me historinë e tij si president dhe verzionin e tij për eleminimin e racizmit dhe bashkimin e njerëzve përderisa ballafaqohen me sfida.

Çka mund të mësoni nga aktrimi i Freeman si Mandela: “Vizionet tuaja nuk bëhen reale vetëm me fjalë e duke mos ndërmarrë asnjë veprim”. Puna e palodhur dhe motivimi është ajo që ju nevojitet për t’i kthyer vizionet tuaja në realitet. Vizionet tuaja do të realizohen vetëm nëse njerëzit që keni në ekip bëjnë atë që iu kërkohet. Sidoqoftë, nëse ju si udhëheqës prisni që njerëzit t’iu ndjekin, duhet të jeni ju i pari i cili veproni.

Ford vs Ferrari (Christian Bale portretizon Ken Miles)

 

 

 

Drama aksion me regji dhe bashkë-shkrim nga James Mangold, bazohet në historinë e vërtetë të stilistit amerikan të makinave Carroll Shelby (Matt Damon) dhe shoferit britanik Ken Miles të cilin në këtë rast e luan Christian Bale dhe për të cilin edhe flet filmi.

Filmi përshkruan misionin e tyre për të ndërtuar nga e para Ford GT-40, një automobil të ri me potencial të lartë për të mposhtur dominuesin e përhershëm (Ferrarin) në garën 24 orëshe të La Mans në Francë, në vitin 1966.

Christian Bale e transmeton aq mirë energjinë e Miles, si një mekanik dhe shofer shumë i durueshëm i cili e di çfarë do nga jeta dhe e di saktë se çfarë arrin të bëjë më së miri.

Durimi dhe dashuria janë dy karakteristikat që Bale trasmeton.

The Social Network (Jesse Eisenberg portretizon Mark Zuckerberg)

 

 

 

Filmi i vitit 2010, na njofton me jetën e një personi të thjeshtë i cili krijon diçka që me shekuj do ta njohim. Ai portretizon themelimin e faqes së internetit të rrjetit social Facebook. Në të luajnë Jesse Eisenberg, si themelues i Facebook, (Mark Zuckerberg), me Andrew Garfield si Eduardo Saverin, Justin Timberlake si Sean Parker, Armie Hammer si Cameron dhe Tyler Winklevoss dhe Max Minghella si Divya Narendra.

Historia shkon kështu; në një natë vjeshte në vitin 2003, studenti i Harvardit dhe gjeniu i programimit kompjuterik Mark Zuckerberg ulet në kompjuterin e tij dhe fillon të punojë për një ide të re. Në një furi blogjesh dhe programesh, ajo që fillon në dhomën e tij të konviktit, së shpejti bëhet një rrjet social global dhe një revolucion në komunikim.

Jesse Eisenberg shfaqë detajet e të qenurit i vëmendshëm dhe i dëgjueshëm, teksa e promovon disiplinën si vetinë më të fortë.