“E vetmja gjë më e fuqishme se urrejtja, është dashuria”, shkruante në Super Bowl 2026, mbrapa shpinës së Bad Bunny-it dhe kjo do të jetë edhe thënja e sotme në paper.fm.
Sepse atëherë kur mendon se ke filluar të jetosh, është kur ndjenë më shumë dashuri brenda edhe kur sistemin tënd nervor e kanë plagosur institucionet.
Çka ka ndodhur këto ditë në Shqipëri?
Dje pas protestës së Partisë Demokratike para Kryeministrisë, 21 persona përfunduan në spital, 19 prej tyre efektivë policie, një deputet i PD-së dhe një qytetar. Në Spitalin Universitar të Traumës dhe në QSUT “Nënë Tereza” u raportuan raste me probleme respiratore, intoksikacione dhe djegie në gjymtyrë. Shumica morën trajtim dhe u larguan, ndërsa disa u shtruan për ndjekje të mëtejshme.
Fakti që pas çdo proteste përfundohet me të lënduar në spitale, tregon se përplasja mes protestuesve që kanë kauzë ndryshimet për çka nuk pëlqejnë në vendin e tyre dhe forcave të rendit ka hyrë në një normalitet të rrezikshëm.
Pavarësisht narrativave partiake, kostoja reale është ajo fizike dhe shoqërore. Kur policë, deputetë dhe qytetarë trajtohen për të njëjtat pasoja, ndoshta duhet me këqyr çka është e hajrit të bëhet tutje, jo me lanë “gjithë malin me drunj të këputur”.
***
Pas hulumtimit mbi praninë e arsenikut në bukë deri në 0.266 mg/kg sipas raportimeve nga një hulumtim i medias Top, çështja është folur që të niset edhe në Parlament, ku deputetë kanë propozuar nismë për analiza të detyrueshme laboratorike për ndotësit ushqimorë.
Lista e produkteve të refuzuara nga vendet e BE-së apo të kontaminuara nga frutat me pesticide, te mishi me salmonelë e deri te akullorja me etilen tregon për njëfarë problemi që sistematikisht po vazhdon.
Por dje Komisioni për Bujqësinë dhe Ushqimin, me votat e mazhorancës, refuzoi ta çojë nismën në Parlament, me argumentin se çështja do të përfshihet në një paketë më të gjerë ligjore sipas modelit të BE-së.
Ani pse ka pasur edhe nga mazhoranca që u pajtuan se ka rreziqe reale në treg, e sidomos kur ushqimi ndahet për tregun vendas dhe për tregun e huaj.
Nëse kemi arritur në pikën që përgatisim eksport cilësor për jashtë e me rrezik për atë vendor, nuk e di pse duhet t’na gjuajnë me pluhur syve kur dimë të shohim çka është gabim e çka jo.
***
Ndërkohë, të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se paratë e gatshme në qarkullim ka arritur në 4.83 miliardë euro në fund të vitit 2025, një rritje me 600 milionë euro krahasuar me një vit më parë. Me 25.4% të parave jashtë bankave, Shqipëria renditet shumë mbi mesataren e Eurozonës. Kjo tendencë lidhet me informalitetin, mungesën e besimit dhe shmangien e kostove bankare.
A është ky tregues që nuk i besojmë sistemit financiar?
***
Edhe në fushën e digjitalizimit, ku qeveria ka investuar fort, Dhoma Amerikane e Tregtisë është ankuar.
Kjo e fundit ka ngritur shqetësime për funksionimin e platformës e-Albania, duke theksuar mungesën e auditimeve të pavarura, standardeve të qarta të sigurisë dhe probleme të performancës që prekin drejtpërdrejt bizneset.

