Live Stories from Prishtina

LIVE

16 Qershor, 2025

Shkruan: Erletë Rrustemi

 

Kumti i editorëve: Ky artikull është shënuar për t’iu treguar gjendjen tonë emocionale, shpirtërore, politike, financiare, kulturore dhe motoristike bazuar në ngjarjet e vërteta të ditëve të shkuara dhe domethënien e tyre për ne! Artikujt janë ditorë dhe bëhen një me ty kur ndajmë përditshmërinë e njëjtë në Kosovën tonë. Paper ndanë me ty!

Oktapodët kanë tre zemra dhe dy prej tyre ndalojnë së rrahuri kur ata notojnë. Pra, në mënyrë që të lëvizë përpara, atij i duhet të heqë dorë nga një pjesë e vetvetes përkohësisht. Sot mendoj që ndoshta edhe ne njerëzit kemi nevojë për një ndalesë të tillë jo fizike, por shpirtërore, që gjithçka të bjerë në vendin e vetë pa e kontrolluar.

Çka ndodhi në Kosovë sepse në botë shumëçka?

Situata aktuale globale me tensione të forta mes Iranit dhe Izraelit, deklaratat e Donald Trump në lidhje me situatën, pak duhet të bëjnë që secili ta kuptoj që Kosova nuk është e izoluar nga krizat botërore. Për shkak të ekonomisë së hapur, varësisë nga importet, ndjeshmërisë ndaj çmimeve dhe rolit gjeopolitik.

Tash se çfarë force është Amerika dhe se çfarë impakti mund të ketë në tensionin e Iranit dhe Izraelit, ka eksperta mjaftueshëm që na tregojnë, çka po du me thanë është nëse mes komentit që Trump bëri dje për arritjen e një “paqeje” mes këtyre dy vendeve dhe i del puna me fol edhe për Kosovën…

“…Gjithashtu, gjatë mandatit tim të parë, Serbia dhe Kosova ishin në përplasje të ashpra, siç kanë qenë për dekada me radhë dhe ky konflikt i vjetër ishte gati të shpërthente në LUFTË. Unë e ndalova! (Biden e ka dëmtuar perspektivën afatgjatë me disa vendime shumë të gabuara, por unë do ta rregulloj sërish!)”

…veç po na tregon që, Kosova është sërish në radarin politik të Amerikës, sidomos si simbol i një konflikti që ai pretendon se e kishte “zgjidhur”.

Prap ne vazhdojmë rrugës tonë, me një parlament të pa konstituuar, një qeveri në detyrë, një kryeministër që nuk ka kontroll mbi parlamentin por që po i konvenon të jetë në detyrë.

Profesionist e student e lëshojnë vendin, vetëm në pesë muajt e parë të vitit 2025, mbi 270 infermierë e kanë lënë vendin. Sipas Odës së Infermierëve të Kosovës, çdo vit rreth 300 infermierë emigrojnë kryesisht drejt vendeve të rajonit dhe Evropës Perëndimore. Po çka ndodh edhe 4-5 vite kur vazhdojnë me të njëjtën dalje?

Natyrisht që kjo shkakton krizë në staf, me na ardhë puna që për shkak të rrogave të vogla, t’kërkojmë infermier prej jashtë… paramendo.

Shkojmë përpara 32… e për ma shumë!

***

Vendimi për të kaluar bizneset në treg të hapur të energjisë mund të ketë qenë i motivuar nga ideja e konkurrencës dhe efiçiencës së tregut, por siç shihet nga reagimi i komunitetit të biznesit, zbatimi është bërë pa përgatitje të duhur. Nëse vetëm një operator ofron energji në këtë “treg të hapur”, atëherë nuk kemi të bëjmë me treg të lirë, por me një monopol me çmime shumë më të larta.

****

Universiteti i Prishtinës paska bërë të ditur që 555 vende më shumë do të jenë të hapura në këtë vit akademik për 3 nivelet e studimit, krahasuar me vitin e kaluar.

Tash për që këto vende janë hapë, mos të harrojmë që ende nuk është mbajtur testi i maturës. Sa mundet me qenë numri i atyre që marrin pikë t’kënaqshme? Sa dojnë ta zgjedhin UP-në? Sa dojnë po nuk pranohen? Pasi t’i kemi përgjigjet për këto pyetje flasim për vendet e lira në UP.

****

Të dielën mbrëma është mbyllur pesëditëshi i Panairit të 25-të të Librit në Prishtinë. Mungesa e hapësirës ka qenë problem që në organizimin e një prej ngjarjeve më të mëdha kulturore, e tjetra që vjen përvitshëm, mungesa e vizitorëve, është brenga kryesore e shtëpive botuese. Pjesa dërrmuese e përfaqësuesve të shtëpive botuese konsiderojnë se secili Panair po zbehet më shumë sa i përket frekuentimit në këtë ngjarje e interesimit për librin. Kurse organizatorët vizitat në Panair nuk i shohin si të dhëna kryesore sa i përket leximit.

***

Trupi i një njeriu përbëhet nga rreth 7 oktilionë atome (një 7 me 27 zero pas). Ndërkohë, në Rrugën e Qumështit ka rreth 100 deri në 400 miliardë yje. Pra, ti je teknikisht më kompleks dhe më i pasur me përbërës sesa një galaktikë e tërë. Një kujtesë e vogël që edhe në ditët më të zakonshme, ti je bërë nga e jashtëzakonshmja.