N’Kosovë / photo credits: Driton Paçarad / kohanet
28 Mars, 2026
Kurrë në jetë nuk jam ndjerë më e ofenduar dhe më budallaqe në të njëjtën kohë. Për dy/tri ditë radhazi kam përshkruar sheshin e Prishtinës dhe kam parë tabelat e ekspozitës e cila supozohej të nderonte jetët e të rënëve për ditët si këto tonat, si kjo e imja që lirshëm po ecja për në pauzën e drekës.
Me mendimin që zemra e secilit që frymon shqip, i mendon dhe sheh njësoj secilën masakër që ka ndodhë në Kosovë, e pash me atë syrin, “sa mirë që bash në këtë muaj, po shohim një ekspozitë të tillë që nderon viktimat, që edhe ndonjë vizitor i huaj e ka mundësinë të mësoj e lexoj për historinë tonë, duke shetit e duke u informu”, por sa budallaqe prej meje që nuk u ndala vet të lexoja përshkrimin për secilën dhe ta shihja që po shkruante 37 në vend të 45, 40 në vend të 59 dhe 106 në vend të 116.
Ndjehem aq e rënduar për faktin që barra për tu marrë me pasaktësinë e kësaj ekspozite i ra prap familjarëve dhe të mbijetuarve të masakrave, sa që po të mund ta ktheja kohën dhe të lexoja atë që pash dhe jo të tregohesha injorante, pa pikë turpi do t’i shqyeja me duart e mija letrat.
Kjo ekspozitë që u vendos në përvjetorin e bombardimeve të NATO-s, një pjesë e konsiderueshme të civilëve që u vranë në këto masakra i ka cilësuar si persona të armatosur. E shumë mirë që dje Komuna e Prishtinës ka pezulluar lejen për ekspozitën.
Pothuajse në të gjitha tabelat e ekspozitës ka pasaktësi.
Për njërën prej tyre reagoi të premten i mbijetuari i masakrës së Dubravës, Enver Dugolli, i cili pos që shprehu shqetësim për deformim të historisë i kërkoi edhe Prokurorisë përfshirje në këtë rast.
“Të dhënat e paraqitura për këtë masakër janë krejtësisht të pasakta. Përveç numrit të viktimave, i cili nuk korrespondon me të vërtetën (ku figurojnë 106 të vrarë, ndërsa deri më tani janë të konfirmuar 116 të masakruar dhe 1 i zhdukur) aty paraqitet edhe një pasaktësi tjetër e madhe dhe e dëmshme. Nuk e di nëse kjo është bërë me qëllim apo jo, por pretendimi se 48 prej të vrarëve kanë qenë persona të armatosur shqiptarë, ndërsa 58 civilë është plotësisht i pavërtetë. Në atë masakër gjenocidale nuk ka pasur asnjë shqiptar të vrarë në cilësinë e personit të armatosur. Të gjithë kemi qenë duarthatë dhe të pambrojtur”, ka theksuar Dugolli.
Ai ka ftuar Prokurorinë, përkatësisht Departamentin për krime lufte, që ta hetojë këtë çështje, e ka ftuar organizatorët që t’i përmirësojnë të dhënat.
“Duke marrë parasysh dëmin që i shkaktohet së vërtetës dhe dëshmisë historike, ftoj urgjentisht organizatorët e kësaj ekspozite ta tërheqin këtë material për Dubravën dhe ta korrigjojnë atë. Një material i tillë, në formën aktuale, nuk i shërben së vërtetës; përkundrazi mund të përdoret për të përforcuar narrativën e rreme të Serbisë për gjoja rebelimin e të burgosurve shqiptarë gjatë kohës kur është kryer kjo masakër. Gjithashtu, ftoj Prokurorinë e Shtetit, përkatësisht departamentin për krime lufte, që të përfshihet në këtë çështje dhe ta hetojë këtë rast”, ka shtuar Dugolli.
E i mbijetuari tjetër i kësaj masakre, Sadik Zeqiri, e ka quajtur të turpshme dhe shtrembërim të vërtetës ekspozitën.
“Turp! Po shtrembërohet e vërteta në sheshin e Prishtinës. Historia nuk është lodër që mund ta shtrembëroni me disa tabela të pasakta. A e keni parë çfarë keni shkruar për masakrën e Dubravës? Si është e mundur të pretendoni se 48 shqiptarë të armatosur dhe 58 civilë janë vrarë në Dubravë? Nga i keni marrë këto “fakte”? Në Serbi? Në Dubravë nuk ka pasur të burgosur të armatosur. Të gjithë kanë qenë duarthatë dhe të pambrojtur. E vërteta është kjo: 116 të burgosur shqiptarë janë vrarë, ndërsa ende figuron i zhdukur Ukshin Hoti. Mbi 400 të tjerë janë plagosur. Kjo nuk është thjesht gabim – është shtrembërim i rëndë i së vërtetës. Turp për këtë. Edhe një kërkim-falje nuk mjafton”, ka shkruar ai në Facebook.
Ekspozita shfaq të dhëna të gabuara edhe për masakra të tjera.
Për Masakrën e Reçakut thuhet se janë vrarë 37 civilë. Ndërkaq Instituti i Krimeve të Kryera gjatë luftës në Kosovës përmend të paktën 45 civilë shqiptarë.
Për sulmin në periudhën 5-7 mars 1998 në Prekaz, sipas ekspozitës, janë 40 civilë të vrarë. E Instituti i Krimeve të Kryera gjatë luftës në Kosovë përmend 59 jetë të shuara gjatë këtyre sulmeve.
Ditë më parë ka reaguar edhe një i mbijetuar i Masakrës së Belegut, Endrit Binakaj, i cili bëri të ditur se kjo masakër nuk është e përfshirë fare në këtë ekspozitë. Ai ka thënë se mungesa e saj “është padrejtësi e thellë morale ndaj viktimave dhe familjeve të tyre”.
Ekspozita është e bazuar në librin e Shkelzen Gashit, “Masakrat në Kosovë 1998–1999”, libër i cili është promovuar në disa vende të botës. Në parathënien e librit, autori Gashi ka shkruar se për të përpiluar tekstet ka marrë për bazë raportet e organizatave prestigjioze për të drejtat e njeriut, si Amnesty International (AI), Humanitarian Law Center (HLC), Human Rights Watch (HRW), International Crisis Group (ICH), Orgnization for Security and Cooperation in Europe (OSCE), e më rrallë edhe ndonjë tjetër.
Kjo ekspozitë është realizuar në mes tjerash edhe me mbështetje financiare nga Kuvendi i Republikës së Kosovës. Kryeparlamentarja Albulena Haxhiu ka vizituar këtë ekspozitë më 24 mars. Sipas komunikatës nga Kuvendi, ajo ishte shprehur se “nuk është e lehtë të ecësh mes këtyre dëshmive, por është e domosdoshme për të kuptuar thellësinë e dhimbjes dhe padrejtësitë e përjetuara”.
Ekspozita u organizua nga organizatat “Admovere” dhe “Integra”. Organizata “Admovere” ka thënë se për përpilimin e listës së të vrarëve nëpër masakra është mbështetur në listën e të vrarëve nga “Libër Kujtimi i Kosovës” i Humanitarian Law Center (HLC), organizatë e udhëhequr prej Natasha Kandiq.
Se pak kemi ne shqiptarë që vet e kanë përjetu veç historinë tonë me mbështet mbi faktet e të tjerëve a?!!!
Në libër, sipas organizatës, është përmendur se në këtë listë figurojnë të regjistruar si persona të armatosur edhe individë që në momentin e vrasjes ishin civilë të paarmatosur dhe nuk kishin rezistuar.
E autori i ekspozitës “Masakrat në Kosovë 1998-1999”, Shkëlzen Gashi, ka fajësuar shtetin për mungesë të një liste të të gjithë të vrarëve në luftën e fundit, teksa ka përsëritur se të dhënat që i ka publikuar në ekspozitë janë marrë nga një listë e organizatës joqeveritare “Humanitarian Law Center (HLC)”, e udhëhequr nga Natasha Kandiq.
E pse nuk je shku derë me derë pra, tek krejt familjet që kanë qenë të mbijetuar të maskrës edhe me i marrë numrat prej dorës të parë edhe e kishe pa, që qysh kanë dalë tash familjarët me tregu që ka pasaktësi edhe nëse i kishe pyet kur e ke mendu këtë ekspozitë të kishin tregu.
A e din qysh i dashur lexues, problemi më i madh nuk është vetëm që këto tabela ishin të pasakta. Problemi është që ato qëndruan në mes të sheshit, në mes të njerëzve që i kanë përjetuar këto histori, në mes të familjeve që ende i numërojnë plagët me emra, jo me shifra.

