Live Stories from Prishtina

LIVE

2 Dhjetor, 2024

Lily Collins, Emilia Clarke, Keira Knightley, Anne Hathaway, Zooey Deschanel, Julie Delpy janë thjesht dashuri në shikim të parë. Ato njihen për rolet e tyre në filmat romantikë të cilat me të vërtetë të bëjnë të ndihesh mirë. Si në fillimet e tyre të karrierës ashtu edhe tani, aktrimi i tyre është art dhe arti supozohet të na bëjë të ndihemi mirë.

Personalisht, aktoret e lartpërmendura të cilat tashmë kanë disa filma rom-com, janë të preferuarat e mija. Ato më ofrojnë shumë emocion, përçojnë mesazhe frymëzuese dhe shpesh e kam gjetur veten në situata të ngjashme.

Po ju, a mendoni se kur vendosim të shikojmë një film, zakonisht pjesën e përzgjedhjes së zhanrit e lidhim me personalitetin që posedojmë apo me fazën nëpër të cilën po kalojmë?

Apo, mos ndoshta përndjekja e aktorit apo aktores së preferuar na përcakton agjendën se çfarë të shikojmë ?

Ose, disa nga ne kemi një natyrë aq kritike sa të shikojmë vetëm filma ku aktrimi është profesional dhe bazohemi në “reviews” të larta nga adhuruesit e kinematografisë?

Më poshtë, dua t’i ndaj disa zhanre të filmave me të cilët ju tashmë jeni të familjarizuar, teksa do t’iu ofrojmë edhe sugjerime nga po ato zhanre.

Zhanret janë kategori ku një film i caktuar mund të vendoset bazuar në mjedisin, personazhet, komplotin, gjendjen shpirtërore, tonin dhe temën.

Aksion

Filmat në zhanrin e aksionit përcaktohen nga rreziku dhe aksionet. Pjesa më e madhe e përmbajtjes duhet të jetë e orientuar nga skenat e luftimit, ndjekje me makinë, superheronjë, fatkeqësi, spiunazh.

Personat që i përkasin tipit të personalitetit “D type or style”, janë të prirë të jenë më të drejtpërdrejt, vendimtar dhe dominant, dhe rrjedhimisht ka të ngjarë të shijojnë filmat aksion emocionues, që iu japin atyre një shans për të përjetuar një nxitim adrenaline nga shtëpitë e tyre.

Ja disa filma aksion për këto personalitete: Agent Game, Black Adam, Blackout, Bullet Train, Spiderman (të gjitha seritë), Batman (të gjitha seritë), Black Widow, No Time To Die, The Matrix, Gladiator.

Komedi

Zhanri i komedisë përkufizohet nga ngjarje që synojnë të bëjnë dikë të qeshë, pa marrë parasysh nëse historia është makabre apo e çuditshme. Një sasi të vogël të komedisë mund ta ketë shumica e filmave, por nëse përqindja më e madhe e filmit synohet të jetë vetëm komedi, atëherë mund ta vendosni me siguri në këtë zhanër.

Sipas studimit “Who Watches What?: Assessing the Impact Of Gender and Personality On Film Preferences”, personat që preferojnë zhanrin komedi, u vërtetua se ishin më të hapur, më krijues dhe aventurierë, si dhe më pak të organizuar dhe të vëmendshëm.

Ja disa filma komedi për këto personalitete: The Man From Toronto, Mrs. Harris Goes To Paris, The People We Hate At The Wedding, Coco, Cruella, Mr. Bean’s Holiday, The Tall Guy.

Animacion

Zhanri i animacionit përcaktohet nga objektet e pajetë që manipulohen për t’u dukur sikur janë të gjallë. Kjo mund të bëhet në shumë mënyra të ndryshme dhe mund të përfshijë çdo zhanër dhe nën-zhanër.

Personat me personalitet ISFP – një akronim që përshkruan 16-të personalitetet e krijuara nga Katharine Briggs dhe Isabel Myers, në këtë rast “Introvert, i ndjeshëm, empatik, perceptues”, janë të zhytur në botën e animacionit. Ata janë të tërhequr plotësisht në botën e fantazisë së animacionit.

Përveç kësaj, kërkimet shkencore tregojnë se fotot që lëvizin ndihmojnë neuronet të rriten dhe lidhen me pjesët e trurit që ndihmojnë në formësimin e kujtesës, orientimin hapësinor dhe planifikime strategjike. Si përfundim, ata forcojnë trurin tri herë më shumë.

Ja disa filma nga zhanri animacion për këto personalitete: Hotel Transylvania, Puss in Boots, Naruto, Pinocchio, Encanto, Moana, Minions, Despicable Me, Minions: The Rise Of Gru, Lightyear, Frozen, Zootopia, Luca, Snow White and Seven Dwarfs, Fantasia, Dumbo, Bambi, Cinderella, Peter Pan, Alice in Wonderland, 101 Dalmatians, Lady and the Tramp, Robin Hood.

Romancë

Zhanri i romancës përcaktohet nga marrëdhëniet intime. Ndonjëherë këta filma mund të kenë një kthesë më të errët, por ideja është të mbështetemi në konfliktin natyror që rrjedh nga ndjekja e intimitetit dhe dashurisë.

Personat me personalitet ENFJ – Ekstrovert, intuitiv, i ndjeshëm, gjykues, i shijojnë filmat romantikë. Ata kënaqen me filmat që i bëjnë të ndihen mirë dhe që përfshijnë dashurinë dhe lumturinë.

Ja disa filma romantikë për këto personalitete: 10 Things I Hate About You, How To Lose A Guy In 10 Days, He’s Not That Into You, Me Before You, Fifty Shades Of Grey (triologjia), The Fault In Our Stars, The Notebook, Love Rosie, Before the Sunrise (triologjia), Marry Me, The Holiday. You’ve Got Mail, The Other Woman.

Fantazi

Zhanri i fantazisë përcaktohet si nga rrethanat, ashtu edhe nga vendosja brenda një universi imagjinar me një grup jorealist. Mundësitë e fantazisë janë pothuajse të pafundme, por filmat shpesh frymëzohen apo përfshijnë mite njerëzore.

Personat që pelqejnë filmat fantazi duket se janë ata që pëlqejnë zbulimet e reja dhe që janë më të rezervuar. Komplotet shpesh janë shumë tërheqëse.

Ja disa filma fantazi për këto personalitete: Jumanji, Click, Night at The Museum, Thor, Iron Man, A Wrinkle in Time, Venom, Avengers, Fantastic Four, The Suicide Squad, The Hobbit, Hugo.