Live Stories from Prishtina

LIVE

February 3, 2023

Note: Ky blog është krijuar për t’iu ofruar juve një këndvështrim të sinqertë rreth temave të caktuara, duke filluar nga librat dhe kultura, e deri tek mendimet dhe qëndrimet tona. Çfarëdo që të duket personale, mos e konsidero të tillë. Disa janë të bazuara në eksperienca personale, disa në vlerësime filozofike e psikologjike, e disa të tjera në evidencë. Ideja është që të mësosh diçka nga përvojat tona dhe pse jo të të gjenden ndonjëherë në jetë. No hard feelings. It’s all based on a true story. Paper Team

Gjendja jonë emocionale shpesh ndikohet nga gjërat që na rrethojnë dhe nga ajo se ku e kalojmë kohën më së shumti.

Duke qenë se zakonisht një përqindje të madhe të kohës e kalojmë në ambiente të mbyllura, sigurisht se gjendja jonë fizike dhe psikologjike ndikohet nga ngjyrat, objektet dhe ndriçimi i atij ambienti dhe duke qenë se drita ndikon në disponimin tonë, ajo luan rol të rëndësishme edhe për arkitekturën.

Ndriçimi i duhur ndihmon në rritjen e vlerave të arkitekturës, duke luajtur një rol jetik në mënyrën se si njerëzit e përjetojnë dhe kuptojnë arkitekturën. Pavarësisht nëse ndërtesat dhe strukturat ndriçohen në mënyrë natyrale ose artificiale, ndriçimi është burimi që na lejon të shohim dhe ta vlerësojmë bukurinë në ndërtesat përreth nesh. Drita vë në pah detajet që syri i njeriut nuk i sheh në një ambient të errët. Kjo automatikisht krijon një ekuilibër në ambient, si në aspektin estetik, funksional dhe efikas.

Estetika është elementi ku projektuesit dhe arkitektët fokusohen në ndikimin emocional që ekuilibri i ndriçimit dhe arkitekturës do të ketë tek banorët. Është vendi ku dizajnerët përcaktojnë se si duan që njerëzit të ndihen kur ecin nëpër një hapësirë.

Drita që duhet të ketë një muze dhe teatër është më e koncentruar. Ajo dallon nga ndriçimi që i nevojitet ndërtesave publike siç janë arenat sportive, bibliotekat apo spitalet, të cilat duhet të kenë një ndriçim më gjeneral dhe që rregullon pamjen e çdo hapësire.

Arkitektët përdorin shumë lloje të ndryshme materialesh për të ndryshuar mënyrën se si drita hyn në një ndërtesë dhe mënyrën se si drita artificiale ndërvepron me arkitekturën e brendshme.  Një nga materialet strukturore më të zakonshme është qelqi. Pavarësisht nëse është përdorimi i materialeve të qelqit plotësisht transparent ose i tejdukshëm, qelqi mund të përçojë shumë efekte të ndryshme në ndërtesa.

Ngjyrat natyrale mund të ndryshojnë gjatë gjithë ditës pasi që dielli ndërron pozitën në pika të ndryshme, duke ndryshuar ngjyrat e dritës që hyjnë në një ndërtesë. Pamja e një ndërtese në mesditë mund të duket krejtësisht ndryshe nga e njëjta ndërtesë kur dielli lind ose perëndon.

Përdorimi i sipërfaqeve reflektuese gjithashtu mund të transformojë një hapësirë. Kur drita ndërvepron me dyshemetë, tavanet dhe muret reflektuese, ajo mund të perceptohet si një element arkitektonik në vetvete. Ndriçimi në muret që vazhdojnë deri në dysheme mund të krijojë dimension në një korridor të shkurtër ose dhomë të vogël dhe mund t’i shtojë ndjesinë e një dhome të përtejme. Pavarësisht nëse është dritë natyrale apo artificiale, ajo na mundëson të vlerësojmë arkitekturën dhe të vërejmë aspekte që mund të mos i kishim parë pa ndriçim.

Herën tjetër kur të shkoni në një muze, bibliotekë apo teatër provoni një minutë të vështroni ambientin në bazë të ndriçimit dhe do ta vëreni ndryshimin.