Live Stories from Prishtina

LIVE

November 22, 2023

Note: Ky blog është krijuar për t’iu ofruar juve një këndvështrim të sinqertë rreth temave të caktuara, duke filluar nga librat dhe kultura, e deri tek mendimet dhe qëndrimet tona. Çfarëdo që të duket personale, mos e konsidero të tillë. Disa janë të bazuara në eksperienca personale, disa në vlerësime filozofike e psikologjike, e disa të tjera në evidencë. Ideja është që të mësosh diçka nga përvojat tona dhe pse jo të të gjenden ndonjëherë në jetë. No hard feelings. It’s all based on a true story. Paper Team.

Tashmë nuk është sekret që hapësirat ku jetojmë ndikojnë në mënyrën se si ndihemi, dhe këtë e kemi cekur edhe tek artikulli për librin Hygge – për gjërat e vogla që na bëjnë të lumtur.

Dizajnimi i pamjes dhe paraqitjes së ambientit ku jetojmë, qoftë shtëpi apo banesë përmirëson mirëqenien tonë.

Kur e dëgjon dikë të thotë se kjo tavolinë apo ky divan i bënë të ndihen më mirë dhe më rehat, na bënë të kuptojmë se dikush ka punuar për një dizajn të tillë, rrjedhimisht për një ndjenjë të tillë.

“Eliminimi i tepricave për t’u fokusuar tek format perfekte dhe thelbësore” – Danielle Siggerud

Danielle Siggerud është një arkitekte norvegjeze, e cila punon me pasion rreth këtyre detajeve. Nga viti 2016, ajo ka hapur studion e saj e cila gjendet në Kopenhagë.

“Unë gjithmonë përpiqem t’i qasem një projekti të ri me mendje të hapur. Arkitektura është gjithmonë një dialog. Është obsesionimi i formave perfekte që më drejtojnë në rrugëtimin tim”.

Pikërisht kjo fjali e saj, më bëri të dua ta njoh më shumë Danielle Siggerud, dhe si rezultat t’iu njoftoj juve me punën e saj.

Çka e bënë të veçantë punën e saj?

Danielle graviton drejt minimalizmit dhe ka një lidhje ndryshe me materialet natyrore, si guri dhe mermeri.

Për mua, arkitektura ka të bëjë me eliminimin e teprimit dhe fokusimin në format thelbësore. Bëhet fjalë për vëmendje rigoroze ndaj detajeve dhe përzgjedhje me kujdes të materialeve të duhura. Unë dua të krijoj hapësira të qeta që janë të buta dhe emocionale, por gjithashtu mundësojnë natyrshëm ndërveprimin njerëzor.

Rinovimet, ndërtimet e reja dhe dizajni i brendshëm i projekteve të banimit, projektimi i mobiljeve janë fushat ku ajo shfaqë talentin e saj.

Fillimisht, Danielle Siggerud u specializua në restaurimin dhe transformimin e ndërtesave historike. Teksa në çdo intervistë të saj ajo ka potencuar që filozofia e artit që ajo realizon, qëndron tek mënyra se si i qaset projekteve.

Çfarë do të thotë kjo?

Restaurimi kërkon një ekuilibër të kujdesshëm midis respektimit të trashëgimisë dhe shtimit të origjinalitetit. Çdo projekt i suksesshëm restaurimi duhet të ndihet si një vazhdim i natyrshëm i historisë së ndërtesës, duke qenë ende qartësisht bashkëkohor.

Në punën tonë të përditshme, kjo na bën të kemi prioritet kuptimin e thellë të kontekstit të një projekti. Ku po ndërtojmë, çfarë ka qenë më parë dhe kush do të banojë në atë hapësirë, kjo është baza që çdo studio e arkitekturës duhet të ketë.

Si mund të arrihet një realizim i tillë?

Merrni gjithmonë kohën për të qenë në dialog të ngushtë me banorët, pronarët ose përdoruesit dhe përdorni ato njohuri për t’iu ndihmuar të gjeni ekuilibrin e përsosur midis një hapësire funksionale dhe të bukur.

Me pak fjalë qëllimi i Danielle, është të krijojmë hapësira që bien në sy kur shikohen, por shkëlqejnë kur bëhen pjesë e përditshmërisë.

Cilat janë krijimet e Danielle që kanë marrë vëmendjen nga revistat e ndryshme përfshirë edhe Vogue?

Tavolina anësore të titulluara “Androgyne” shënojnë përpjekjen e parë të Danielle Siggerud në dizajnin e produktit, dhe koleksioni tani po zgjerohet me shtimin e tavolinës së ngrënies dhe tavolina të sallonit me të njëjtat linja karakteristike dhe materiale natyrore (druri dhe mermeri) – duke na ofruar me idenë për përdorim në ambiente të thjeshta dhe më të thata.

Androgyne- balancon forcat mashkullore dhe femërore dhe siç e thotë edhe emri androgjen, që është simboli i një tërësie dhe përkufizimi i harmonisë origjinale në mitologjinë greke.

Pse druri dhe mermeri?

Koleksioni Androgyne u krijua për nderimin e zdrukthtarisë së ekzekutuar në mënyrë perfekte dhe për t’i vlerësuar materialeve natyrore. Përdorimi i lisit në tryezën e ngrënies e bën të lehtë kombinimin me çdo stil të brendshëm dhe druri do të plaket me hijeshi me kalimin e kohës. Po ashtu, kunis breccia (lloj i mermerit), i jep një dimension të ri koleksionit në tavolinën e sallonit. Forma fleksibël e tavolinës e bën atë një pjesë të gjithanshme të mobiljeve në çdo hapësirë, si një tavolinë në sallat e pritjes ose stol për libra ose dekorime. Bëhet fjalë për krijimin e hapësirave personale në varësi të kontekstit, vendit dhe funksionit. E veçanta e saj është se do t’i qëndrojë kohës.

Nga promovimi i gjumit më të mirë deri te krijimi i një humori të këndshëm, qasja ndaj dizajnit të brendshëm ka të bëjë më pak me tendencat estetike dhe më shumë me mënyrën se si hapësirat tona na bëjnë të ndihemi.