Live Stories from Prishtina

LIVE

8 Maj, 2026

Note: Ky blog është krijuar për t’iu ofruar juve një këndvështrim të sinqertë rreth temave të caktuara, duke filluar nga librat dhe kultura, e deri tek mendimet dhe qëndrimet tona. Çfarëdo që të duket personale, mos e konsidero të tillë. Disa janë të bazuara në eksperienca personale, disa në vlerësime filozofike e psikologjike, e disa të tjera në evidencë. Ideja është që të mësosh diçka nga përvojat tona dhe pse jo të të gjenden ndonjëherë në jetë. No hard feelings. It’s all based on a true story. Paper Team

Përderisa për dikë shiu përceptohet si një moment romantik dhe qetësues, për dikë është vetëm mot i keq, i cili ndikon në ndryshimin e disponimit tonë, i cili ka tendencë të asocohet direkt me kontekst negativ.

Po fillojmë me shiun, pasi është mot që të ofron njëkohësisht dy ndjesi të ndryshme, i cili përjetohet ndryshe gjatë ditës dhe ndryshe gjatë natës. Si rrjedhojë, sot në një ditë të ngarkuar pune për ju, ne preferojmë t’iu sjellim një këndvështrim pozitiv.

Ta shijosh shiun do të thotë të duash çdo gjë që shkakton ai lagështinë në natyrë, erën e tokës pas shiut, e po ashtu edhe erërat e forta që vijnë së bashku me të. Gjatë një dite të ngrohtë vere, teksa ti po kthehesh i lodhur nga puna, një shi i lehtë prek tokën dhe të freskon edhe ty. Teksa dikë tjetër që po ndan rrugën e njëjtë me ty, ia ka prishur flokët apo edhe e ka vonuar në trafik për një takim pune.

Sipas hulumtimit të publikuar nga “nature communications” në vitin 2015, me titullin “Gjenerimi i aerosoleve nga ndikimi i pikave të shiut në tokë”, u bë e ditur se era dalluese e shiut mund të ketë edhe një ndikim psikologjik.

Aroma e shiut përmirëson kujtesën. E njohur si “petrichor”, kjo aromë ngrihet nga toka pas stuhisë dhe shpesh përshkruhet si era më e fortë që liron shiu.

“Petrichor, lind kur shiu lëshon aerosole nga toka”, thotë Phil Stevenson, profesor i kimisë së bimëve në Universitetin e Greenwich-it i cili drejton punën mbi tiparet e bimëve dhe kërpudhave në Kew Gardens në Mbretërinë e Bashkuar.

“Gjatë motit të thatë, molekulat organike nga bimët, kafshët dhe toka grumbullohen në sipërfaqe. Kur bien pikat e shiut, këto molekula – duke përfshirë vajrat bimorë të paqëndrueshëm shkatërrohen në grimca ajrore.”

Mendohet se aroma “e pastër” vjen për shkak të ozonit , të cilin rrjedhjet e ajrit nga stuhitë mund ta tërheqin poshtë në tokë. Një pjesë tjetër e aromës vjen nga “geosmina”, një përbërës kimik që bakteret aktinomicete e prodhojnë ndërsa formojnë spore në tokë.

“Shiu çliron sporet dhe ‘geosmina’, duke krijuar erën e njohur si ‘shiu i parë pas thatësirës’, më e vërjetshme në ditët e ngrohta”, thotë Stevenson.

Kjo e shpjegon faktin pse njerëzit janë kaq të ndjeshëm ndaj tij më të “ndjeshëm sesa peshkaqenët ndaj gjakut”. Shkencëtarët mendojnë se ne evoluam për të kuptuar se “petrichor-i” nënkupton bollëkun e ripërtërirë të ujit të freskët, gjë që ka të ngjarë t’i ndihmojë paraardhësit tanë të ndiheshin të sigurt dhe të qetë.

Këto aroma kanë treguar se shkaktojnë ndryshime të dallueshme në aktivitetin e valëve alfa dhe beta në tru, të cilat lidhen me gjendjen e qetë të njeriut.

Dhe falë aromës së tij unike dhe mënyrës se si e ndryshon në mënyrë dramatike mjedisin, shiu mund të jetë gjithashtu një shkas i fuqishëm nostalgjie.

Çdo aromë, mund të aktivizojë amigdalën, pjesën e trurit përgjegjëse për përpunimin e emocioneve dhe kujtimeve të rëndësishme emocionale.

Pra, nuhateni pak aromën e shiut herën tjetër nga një dritare e hapur ose gjatë një shëtitjeje pas shiut dhe shikoni se çfarë detajesh të momenteve të kaluara dalin në pah.

Shiu vjen e bëhet më romantik gjatë netëve të verës, kur ti gjendesh brenda duke shijuar një gotë verë, ndërsa shiu troket mbi çatinë e shtëpisë dhe ti zgjedh ta shikosh nga brenda me një muzikë të lehtë jazz. Kurse dikush tjetër gjendet në një ambient të ngushtë me shumë zhurmë dhe e vetmja formë për t’u qetësuar është të marrë pak ajër nga shiu i cili sapo ka freskuar tokën. Momentin që ti hap derën, trupi yt do të përjetojë një ndjenjë rigjenerimi teksa përkëdhelet nga freskia që sapo ka lëshuar shiu.

Ndërsa, për disa të tjerë, kënaqësia e vërtetë përjetohet në momentin kur gjendesh me një çadër në dorë dhe thjeshtë qëndron jashtë duke e vështruar shiun.