Dje n’Kosovë
9 Janar, 2025
Shkruan: Erletë Rrustemi
Kumti i editorëve: Ky artikull është shënuar për t’iu treguar gjendjen tonë emocionale, shpirtërore, politike, financiare, kulturore dhe motoristike bazuar në ngjarjet e vërteta të ditës së djeshme dhe domethënien e tyre për ne! Artikujt janë ditorë dhe bëhen një me ty kur ndajmë përditshmërinë e njëjtë në Kosovën tonë. Paper ndanë me ty!
Policia e Kosovës i vë drynin zyrës së Administratës Tatimore të Ministrisë së Financave të Serbisë.
“Në këtë vend kemi hasur në prova që e vërtetojnë dyshimin tonë dhe, pas konsultimit me prokurorët, njerëzit që ishin aty janë larguar nga ai vend. Ndërtesa është mbyllur deri në verifikimin e plotë të fakteve,” ka thënë zëdhënësi i Policisë për Veriun, Veton Elshani.
E pse këto dyshime dhe prova nuk po bëhen publike?
A po pret Sveçla? Ai ka një përshkrim për këtë situatë.
“Ky institucion ka mbledhur ilegalisht mjete financiare nga qytetarë dhe subjekte që jetojnë e veprojnë në Republikën e Kosovës. Haraçi është i dënueshëm dhe rreptësisht i ndaluar për këdo që e zhvillon atë,” ka shkruar Sveçla në rrjetin e tij social.
Suspendohen tre zyrtarë policorë, dyshohet se morën pjesë në aktivitete të partive politike në prag të fushatës zgjedhore.
Le, vëllau jem, fushatën, se kërkush nuk ia ka parë hajrin, as ata që vetë merren me këtë punë.
IPK-ja ka thënë se çdo përfshirje apo perceptim i përfshirjes së zyrtarëve policorë në aktivitete politike mund ta dëmtojë besimin e publikut në këtë institucion.
Nagavci planifikoi përurimin e një shkolle në Viti pa përfunduar punimet.
Qysh po i japin zor, a? Thuaj ti që nuk i kanë pasur katër vjet përpara për të bërë kësi prononcime.
Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, e ka anuluar të mërkurën një aktivitet në Komunën e Vitisë, ku pritej të përurohej një shkollë në fshatin Pozheran dhe një çerdhe në fshatin Dobreshë.
Komuna e Vitisë ka thënë se shkolla fillore “Halil Alidema” ende s’është finalizuar, e kjo ka qenë arsyeja e anulimit të përurimit. Drejtoresha e Arsimit në Viti, Arta Ajeti, ka thënë se shtyrja e përurimit është bërë në koordinim me Ministrinë e Arsimit. (Koha.net)
***
Oda e ka publikuar këngën “Lali” pikërisht gjatë ndërrimit të moteve.
Por ndoshta është më mirë t’ju tregojmë të gjithë historinë e këtij singëlli, “Lali”, me fjalët e vetë Odës:
“Kjo këngë është më shumë se muzikë—është një pjesë e shpirtit tim. E lindur nga dhimbja, dashuria dhe lidhja e palëkundur që kam pasur me babain tim, i cili ndërroi jetë gjashtë muaj më parë, ‘Lali’ është mënyra ime për të mbajtur gjallë shpirtin e tij. Pas vdekjes së tij, vëllai im më tregoi një video ku ai imitonte me humor fansat e mi duke vallëzuar. Ai i quajti ‘dervishë’, të mbushur me trance, gëzim dhe energji. Pikërisht ai moment solli të qeshura, frymëzim dhe një lidhje të thellë me shpirtin e përjetshëm të babait tim. ‘Lali’ është homazhi im për të—një festë e dashurisë së tij dhe e mençurisë që la pas.”
“Edhe kur ndonjëherë ndihesh sikur nuk e di se ku do të të çojë jeta, shpresoj që gjithmonë të kapesh pas asaj shprese të vogël se një ditë do të mund të jetosh jetën që gjithmonë ke dëshiruar.”