Live Stories from Prishtina

LIVE

22 Dhjetor, 2025

Shkruan: Erletë Rrustemi

Kumti i editorëve: Ky artikull është shënuar për t’iu treguar gjendjen tonë emocionale, shpirtërore, politike, financiare, kulturore dhe motoristike bazuar në ngjarjet e vërteta të ditëve të shkuara dhe domethënien e tyre për ne! Artikulli është përmbledhje e ditës me lajme që kryesuan ditën dhe bëhen një me ty kur ndajmë lajmet e njëjta në Kosovën tonë. Paper ndanë me ty!

Mirëmëngjesi i dashur lexues; a e keni parasysh atë ndjenjën kur jeni fëmijë edhe prindërit e tu bëjnë diçka për ty dhe vite më vonë ti ua rikujton atë detaj; teksa ti e kujton për ty nënkupton nostalgji dhe plot emocion ndërsa për ta është thjeshtë një moment ku kanë shfaqur prindërimin e tyre. Çka dua të them është se çdo veprim dhe çdo situatë ka ndikim, e menduar apo e pa menduar, tek dikush lë shenjë.

Çka ndodhi këto ditë n’Kosovë?

Ngjarja e parë erdhi si një akt i vonuar por definitivisht shumë i mirëpritur, Gjykata Supreme e Kosovës vendosi se pensionistët nuk janë më të detyruar të paraqiten çdo gjashtë muaj para sporteleve shtetërore për të dëshmuar se janë gjallë.

Nuk kishte skenë më të trishtë sesa të moshuarit me këmbë që u dridheshin të kalonin trotuare të zëna nga veturat, për t’u futur në ndërtesa vetëm që të bindnin zyrtarët se ende merrnin frymë.

Pleq që mezi qëndronin në këmbë, të detyruar të plotësonin formularë, të frikësuar se një vonesë do t’ua zhdukte edhe ato pak euro që mezi u mjaftonin për barna. Në epokën e digjitalizimit, brezi më i vjetër u trajtua sikur derti i tyre i vetëm për jetën e tyre të ishte politikë shtetërore.

***

Ngjarja e dytë erdhi më e qetë, por jo më pak domethënëse. Pas pesë dekadash, Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës zgjodhi një grua në krye të saj, Justina Shiroka-Pula.

Një institucion që ende ka më shumë peshën e traditës sesa shkëlqimin e mendjes kritike, më në fund hapi derën për një ndryshim simbolik.

Hap i ngadalshëm por me këmbë të hajrit.

Gruaja e parë që u zgjodh anëtare e ASHAK-ut kishte qenë Edi Shukriu, para një dekade. Aktualisht, Akademia i ka katër gra anëtare (tri sosh me korrespondencë) dhe 31 burra.

***

Ngjarja e tretë, ah, ajo ishte më pak lajm e më shumë “déjà vu”.

Deputetë që për muaj të tërë nuk kanë prodhuar as ligje, as rezultate, por që me përpikëri kanë prodhuar kërkesa për paga. 67 prej tyre, të vetëshpallur “të papunë”, kërkojnë vazhdimin e kompensimeve prej gati dy mijë eurosh në muaj, ndërkohë që papunësia në vend është vetëm 11 për qind.

Rreth 3.5 milionë euro janë derdhur për një legjislaturë që u konstituua e u shpërnda pa lënë gjurmë tjetër veç faturës.

Ligje për pasaporta diplomatike, kompensime kalimtare, imunitete dhe privilegje por asnjë sanksion për mosaktivitet, asnjë ndëshkim për dëmin e shkaktuar buxhetit publik.

Dhe kështu, të dashur lexues, një ditë shkon tjetra vjen, një gjë ndërron, tjetri merr mësim nga ajo që shkon… zinxhiri që dikush të mësoj nga një gabim e të mos e përsërit atë duket larg nga dita ku jemi sot.

E juaja gjithmonë,

E.RR PAPER WRITER