Mirëmëngjesi i dashur lexues! Dëgjoje këtë perspektivë që lexova mbrëmë për të, se më mori mendjen: Sfidat e rënda, gjërat e këqija nuk u ndodhin vetëm njerëzve të mirë, ato u ndodhin të gjithëve. Por mënyra se si njerëzit u përgjigjen atyre, është ajo çka e dallon se kush është njeri i mirë.
Çka ndodhi këto ditë në Shqipëri?
Lopët kanë emigruar, delet janë arratisur e kur këto të dyja mungojnë në një vend, çka ndodhë me qumështin?
Qumështi “Made in Albania” kthehet në mall luksi.
Fermat shqiptare po mbyllen një nga një, teknologjia ka mbetur në vitet ’90 dhe fabrikat e qumështit, për të mbushur raftet, blejnë litra nga Hungaria, Serbia e nga Austria.
Vetëm në një vit, 5 milionë euro kanë ikur jashtë, ndërsa krerët e gjedhit brenda vendit janë përgjysmuar. Fshati po shteron, e të vetmet që tregojnë pak optimizëm janë bletët, të cilat janë shtuar në 3 mijë familje.
Sipas Institutit të Statistikave të Shqipërisë, në vitin 2014 kanë qenë mbi 500 mijë krerë lopë ndërsa sot ato kanë rënë në 270 mijë.
Edhe pse shteti u mundua me disa strategji të subvencionimit por fermerët po numërojnë humbjet. Qumështi u blihet me çmim që s’mbulon as ushqimin e lopës, fabrikat kërkojnë që qumështi t’u shitet me 54 lekë e në tryezë përfundojmë duke pirë qumësht importi më lirë se ai i Lushnjës.
Patriotizëm me paketim plastik.
***
Kontrolli i Lartë i Shtetit ka ngritur alarmin, po thotë aq sa po figurojnë të ardhurat nga blerjet online, në letra të tatimeve janë hajgare.
Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve në vitin 2024 ka kapur vlerën prej 3.9 miliardë eurove por pjesa që vjen nga veprimtaria online ishte sa 0.084% e totalit. E kjo përqindje është në shpërputhje me rritjen e blerjeve online në vend.
***
Askush nga institucionet nuk shkoj në fshatin Arapaj, të bëj vlerësimin e dëmeve nga vërshimet, ku brenda 15 ditëve, fshati u përmbys dy herë, fshat ky më i prekuri nga dalja e shtratit të lumit Seman.
Toka bujqësore qëndroi nën ujë për dy javë bashkë me serat dhe askush nuk shkoi të bëj llogaritjt e dëmeve.
Fermerët presin ndihmë, ndërsa uji është i vetmi që nuk vonohet e nuk pret kur t’u bëhet tamam institucioneve.
Zoti e di se kur do ketë njëherë tjetër, e sa do jenë në gjendje të përballojnë përsëri atë?!
E mbi këtë tablo, Kryeministri udhëton për në Izrael, ku më 27 janar, do të mbajë një fjalim para kryeministrit izraelit, në Konferencën e Luftës kundër Antisemitizmit.
Ani, ai ka lanë njerëz “kishe” pas vetes, por si duket askujt nuk ja nin!
***
