Më lejo që këtë fillim të javës të të flas për një zë. Jo për atë që po lexon tani, por për një tjetër – atë që e ke brenda. Zërin që të pëshpërit çfarë është e drejtë, kur të largohesh e kur të qëndrosh. Ai që të thotë drejt në sy kush janë miqtë e tu, kur të thuash “po” dhe kur “jo”. Ndonjëherë ky zë është aq i qartë, si kristal.
E ndonjëherë mezi ja dëgjoj pëshpëritjen. Por është aty.
Çka ndodhi të dielën në Kosovë?
Kosova mund të bëhet për “Guinness”, shënon rekordin e ri në provimin për konstituimin e Kuvendit.
Kujt ja kishte marrë mendja që për katër të diela radhazi do t’i bashkonte hapësira ku ka mundësi që po kalojnë më së shumti kohë, për të mos e votuar vetëm një emër, Albulena Haxhiun.
2 minuta e 42 sekonda.
Kaq i janë dashur kryesuesit të Kuvendit, Avni Dehari, që të hapë dhe mbyllë vazhdimin e 21-të të seancës konstituive.
Skenari i mbledhjes ishte i njëjtë: konstatimi i numrit të deputetëve pjesëmarrës, kërkesa për propozim të anëtarëve të komisionit zgjedhor, hedhja në votim e tij, e mbyllja e seancës në mungesë të kuorumit në vendimmarrje.
Po del se më të mençurit qenë ata që i injoruan zgjedhjet, thuajse e kanë ditur se si votove, si nuk votove, nuk do të ketë politikan që tregon përgjegjshmëri që duhet treguar për t’i arsyetuar votat e mbledhura.
***
Çmimet e artikujve bazë nisën të rriten që nga momenti kur u shtrenjtua rryma. Por kjo s’është asgjë krahasuar me atë që pritet të ndodhë kur të hyjë në fuqi liberalizimi i tregut të energjisë. Sipas vendimit, të gjitha kompanitë me qarkullim mbi 10 milionë euro apo me mbi 50 punëtorë do të detyrohen ta blejnë rrymën në tregun e lirë.
Aktualisht janë 19 kompani të licencuara për ta ofruar rrymën, por vetëm njëra po e shet – me një çmim 200% më të lartë se ai aktual.
Sa absurd është ky vendim, e tregon një fakt i thjeshtë: jo të gjitha kompanitë me 50 punëtorë kanë të njëjtat nevoja për energji. Konsumi ndryshon sipas pajisjeve dhe natyrës së punës.
Shpenzimet e një mediumi janë të pakrahasueshme me ato të një fabrike të dyerve dhe dritareve. Por ZRRE-së nuk i intereson.
Ashtu si as qeverisë në largim.
***
Stërvitja ushtarake shumëkombëshe “Defender Europe 2025” ka nisur dje, më 26 maj, në Kosovë dhe do të zgjasë deri më 9 qershor. Kjo është stërvitja më e madhe ndërkombëtare e mbajtur ndonjëherë në territorin e Kosovës, me pjesëmarrjen e rreth 25,000 ushtarëve nga 29 vende aleate dhe partnere të NATO-s.
Kosova është një nga 18 shtetet nikoqire të kësaj stërvitjeje, e cila udhëhiqet nga Komanda e Ushtrisë së Shteteve të Bashkuara për Evropë dhe Afrikë. Në kuadër të saj, Komanda e Divizionit të 28-të të Ushtrisë Amerikane është vendosur në Aeroportin e Gjakovës, duke drejtuar aktivitetet ushtarake në rajon.
***
Një polic i Kosovës po kërcënohet me vrasje dhe atë vetëm pse ndërhyu për të ulur tensionet mes disa maturantëve serb dhe qytetarëve shqiptarë në Mitrovicë të Veriut, teksa për zyrtarin policor që Serbia po e kërkon me fletëarrest, u prezantuan dëshmi që ai nuk përdori forcë të premtën e 23 majit.
Maturantët serb, e zgjodhën një defilim ndryshe, të tipit protestë dhe provokim ndaj qytetarëve shqiptarë, ku mes flamujve serb po ngritnin edhe tre gishtat rreth kafeneve të kryeqytetit (kqyre kaq të ri çysh i mësojnë mbrapshtë, çfarë urrejtje i kanë mbjellë në zemër gjeneratës së 2007-ës!!!). Thirrjet nacionaliste, “Kosova është zemra e Serbisë”, e çuan situatën deri tek ndërhyrja e policisë, ku njëri që ishte më rebel, u ndalua nga polici D.B. Serbët u çuan në këmbë duke aluduar në përdorim të dhunës, sa që nisën urdhërr arrest të menjëhershëm.
Drejtori i policisë Gazmend Hoxha, tha se shenjat me ngjyrë në qafë, maturanti i kishte pasur para intervenimit të policisë dhe se ndaj tij nuk është përdorur dhunë.
Në deklaratën e tij të dhënë në polici dje, në prezencë të prindit të tij ai ka thënë se këto shenja janë të vendosura me marker dhe është traditë!
***
Dëgjoje. Kur të gjithë flasin njëkohësisht, ky zë mund të jetë e vetmja gjë që të mbanë të vërtetë. Mos e injoro. Mos e tradhto. Sepse në fund, gjithçka tjetër mund të të mashtrojë përveç tij. Zëri yt i brendshëm e di rrugën. Vetëm duhet ta ndjekësh.