Dje n’Kosovë
29 Prill, 2025
Shkruan: Erletë Rrustemi
Kumti i editorëve: Ky artikull është shënuar për t’iu treguar gjendjen tonë emocionale, shpirtërore, politike, financiare, kulturore dhe motoristike bazuar në ngjarjet e vërteta të ditës së djeshme dhe domethënien e tyre për ne! Artikujt janë ditorë dhe bëhen një me ty kur ndajmë përditshmërinë e njëjtë në Kosovën tonë. Paper ndanë me ty!
Një gjë ndoshta e dinte Murakami kur thoshte: dhe sapo të kalojë stuhia, nuk do të kujtohet si e përballove… por një gjë është e sigurt: kur të dalësh prej saj, nuk do të jesh më personi i njëjtë. Merri si të mirëqena ndryshimet që të ndodhin, duke i përdorur.
Çka ndodhi dje në Kosovë?
***
Në një njoftim të Zyrës së Rregullatorit për Energji është bërë e ditur se rritja e tarifave të energjisë elektrike prej 16.1% vlen vetëm për konsumatorët e KESCO-s. E nëse kjo rritje do të aplikohet edhe në katër komunat veriore, sipas ZRRE-së, kjo mbetet në kompetencën e kompanisë së licencuar për furnizim për veri, Elektrosever.
“Elektroseveri” vendos vetë nëse do të rritet çmimi në katër komunat veriore të banuara kryesisht me serb, thuhet në një njoftim të Zyrës së Rregullatorit për Energji të hënën.
Në ZRRE kanë thënë se rritjen prej 16.1% detyrohet ta aplikojë vetëm KESCO si Furnizues Universal që mbulon të gjitha komunat, përveç atyre katër në veri të banuara me shumicë serbe.
E Elektroseveri, sipas ZRRE-së, është kompani që operon jashtë sistemit të Furnizuesit me Shërbim Universal dhe marrëdhëniet tarifore janë të ndryshme.
***
As nuk po vjen puna me vendos në vend të parë si lajm. Në mungesë të konsensusit, Kuvendi i Kosovës rrezikon të mbetet i paralizuar edhe pas përpjekjes së tetë, që mbahet të martën, duke shtyrë më tej hapjen e rrugës për formimin e qeverisë së re.
Rrugëzgjedhje që pak dinë ta tregojnë dhe pak dinë ta udhëzojnë, e vetmja formë duket se duhet të kërkohet te paragrafi i fundit i letrës së presidentes Vjosa Osmani, ku ajo mund t’i pres partitë për t’u konsultuar me to, e që në qendër të diskutimit të jetë zgjidhja dhe dalja nga kriza.
Kuvendi i Kosovës do të mblidhet sërish sot për të vazhduar seancën konstituive të nisur më 15 prill, në përpjekje për të përmbyllur zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarëve. Sipas qëndrimeve aktuale të partive politike, nuk pritet ndonjë përparim në tejkalimin e bllokadës.
***
Kanë nisur punimet për të tretën herë, tash në variantin jashtë zonës së mbrojtur në sheshin “Xhorxh Bush”, ani pse projekti në tërësi nuk ka leje nga organet e trashëgimisë kulturore.
Në anën e djathtë të asaj që ishte rrugë për makina – pjesa nga katedralja “Nëna Terezë” – Komuna e Prishtinës ka nisur të punojë për realizimin e projektit për sheshin “Xhorxh Bush”. Në anën e majtë të rrugës nuk mund të punohet, pasi bëhet fjalë për zonë të mbrojtur të Qendrës Historike të Prishtinës dhe monumenteve përreth. Por krejt projekti, brenda e jashtë zonës së mbrojtur, nuk ka leje të institucioneve të trashëgimisë kulturore.
Në mes të lavdatave që nuk e kanë ndalur punën, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, i doli në krah bashkëpartiakut të tij, njëherazi kryetarit të Komunës së Prishtinës, Përparim Ramës, me numërime të punëve që, sipas tij, janë bllokuar nga qeverisja qendrore.
“Të paaftit dinë vetëm bllokadë! Për tre vite rresht kanë bllokuar në vazhdimësi Sheshin George Bush për një trashëgimi, mbikalimin në Dragodan po ashtu për trashëgimi; nënkalimin te Kuvendi sërish dhe natyrisht për trashëgimi. Kanë bllokuar Rrugën A për një rast të humbur në fund në gjykatë; Unazën e Jashtme me mosaprovim të një kredie pothuajse falas”, ka shkruar Abdixhiku në Facebook.
Po… bre hajde qe… krejt po dëshirojmë një ndryshim në kryeqytet, po dëshirojmë të shohim një lëvizje të asaj që para sa vitesh është premtuar… po pse tërë këtë hallakamë nuk e filluat kah mesi i mandatit, që të paktën deri tash të kishte ndodhur diçka, meqenëse keni vendosur të revoltoheni pavarësisht gjithçkaje… po jo krejt kjo afër zgjedhjeve lokale!
***
I akuzuari kryesor për sulmin terrorist në Banjskë, Milan Radoiçiq, nga tash është i kërkuar nga organet e drejtësisë së Kosovës edhe për krime lufte.
Ndaj tij dhe 19 serbëve të tjerë, Gjykata Themelore në Prishtinë ka lëshuar urdhërarrest për veprën penale “Krime lufte kundër popullatës civile”.
Këtë e ka konfirmuar zëdhënësja e Prokurorisë Speciale, Liridona Kozmaqi.
“Mund të konfirmoj se PSRK-ja i ka bërë kërkesë për lëshimin e urdhërarrestit dhe Gjykata Themelore ka lëshuar urdhërarrest për personat që keni pyetur”, ka deklaruar Kozmaqi.
Ata dyshohen se në maj të vitit 1999 kanë vrarë 106 civilë shqiptarë në Gjakovë, raporton “Betimi për Drejtësi”.
***
Të mos ndjesh keqardhje për veten nuk është mungesë empatie, por një thirrje për përgjegjësi dhe liri të brendshme. Vetëm kur heqim dorë nga roli i viktimës, mund të fillojmë të shkruajmë kapitullin e ri të jetës sonë.