Dje n’Kosovë
23 Dhjetor, 2024
Shkruan: Erletë Rrustemi
Kumti i editorëve: Ky artikull është shënuar për t’iu treguar gjendjen tonë emocionale, shpirtërore, politike, financiare, kulturore dhe motoristike bazuar në ngjarjet e vërteta të ditës së djeshme dhe domethënien e tyre për ne! Artikujt janë ditorë dhe bëhen një me ty kur ndajmë përditshmërinë e njëjtë në Kosovën tonë. Paper ndanë me ty!
I dashur lexues, mos lejo të tjerët të të konsumojnë. Nëse nuk të thërrasin, shko dhe flej gjumë. Nëse nuk të shkruajnë, largo telefonin dhe vazhdo ditën tënde. Nëse ata distancohen dhe refuzojnë të të tregojnë se çfarë nuk po shkon, shko në shtëpi dhe jeto së pari me veten… të tjerët janë sekondarë. <3
***
Në ditën më të shkurtër të vitit, u dha lajmi se edhe një dorë po zgjatet nga qeveria me ndihmën prej 100 eurove në fundvit për pensionistët dhe fëmijët!
Në rregull, mund të diskutojmë për shumë dredhi dhe vendime që nuk na pëlqyen ose na pëlqyen; por shtesat për fëmijë prej 20 eurove në muaj mund të kenë qenë një prej veprimeve më të mira të kësaj qeverie, edhe pse, po t’i pyetësh nënat/baballarët, këto para as për pampersa nuk mjaftojnë. Sigurisht që ne mund të diskutojmë mbi sasinë e tyre, e cila natyrisht do të duhej të ishte më e lartë… por gradualisht besojmë në ngritje, apo jo?
Tani, a mund të ketë qenë ky veprim i parafushatës? Sa është e drejtë një gjë e tillë? Sepse jam e bindur që njerëzit që kanë nevojë nuk do ta mendojnë se si ndodhi që u bë kjo dhuratë.
***
30,902 persona në Kosovë konsiderohen analfabetë sipas të dhënave të fundit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, të nxjerra nga regjistrimi i popullsisë.
Në krahasim me trembëdhjetë vjet më parë, rënia e numrit të personave që nuk dinë të lexojnë dhe të shkruajnë, për qytetarët mbi 10-vjeç, është 1.5 për qind.
Qysh bre? Kush i shpjegon arsyet specifike? Ku është faji? Sistemi? Arsimi? Çka?
***
E dija dhe më bëhet qejfi – Grupi “Shkodra Elektronike” në përbërje të Beatriçe Gjergjit dhe Kolë Lacës, me këngën “Zjerm”, do ta përfaqësojë Shqipërinë në Festivalin Evropian të Këngës, “Eurovision”. Në edicionin e 63-të të Festivalit të Këngës në Radiotelevizionin Shqiptar, vlerësimi i jurisë dhe ai i publikut kanë qenë thuajse të njëjtë. Që të dyja palët e kanë nxjerrë “Shkodrën Elektronike” në vend të parë. Suksese grupit!
***
Ndalo së menduari se sa e vështirë është gjithçka. Ndalo së stër-analizuari. Vetëm shko – vetëm bëje – nëse ndihesh se kjo është e duhura, atëherë shko me rrjedhën. Nëse e ndjen se është gabim, mos e mendo shumë, prapë ec.