Live Stories from Prishtina

LIVE

16 Maj, 2025

Shkruan: Erletë Rrustemi

 

Kumti i editorëve: Ky artikull është shënuar për t’iu treguar gjendjen tonë emocionale, shpirtërore, politike, financiare, kulturore dhe motoristike bazuar në ngjarjet e vërteta të ditës së djeshme dhe domethënien e tyre për ne! Artikujt janë ditorë dhe bëhen një me ty kur ndajmë përditshmërinë e njëjtë në Kosovën tonë. Paper ndanë me ty!

Kur do ta kuptojmë i dashur lexues, se jeta është pak nga të gjitha: të humbësh pastaj të gjesh, të jesh i lumtur pastaj i mërzitur, të jesh i qartë në atë se çka do dhe pastaj konfuz me atë që dhuron, të përjetosh emocione shumë të larta dhe pastaj të ulësh intensitetin e tyre. Të kuptojmë se jeta është mozaik i atyre që kemi dhe nuk kemi.

Çka ndodhi dje n’Kosovë?

Takimi i presidentes Vjosa Osmani me liderët e subjekteve politike në Kosovë nuk ka prodhuar zgjidhje për krizën institucionale. Në rast se nuk ka ndryshim të qëndrimit të partive rreth konstituimit të Kuvendit është paralajmëruar “ndihma” e Gjykata Kushtetuese.

Duke qenë se nuk kemi rast të precedent, me ditë deri kur mund të vazhdoj ky propozim, kjo punë shkon pak edhe “me ftyrë”! Sa ki ftyrë me zhagit një proces që po e sheh që as nuk po zgjedhet propozimi yt, as nuk po ua ofron mundësinë të tjerëve? Çysh nuk tregon lehtësi për një proces që po e “hanë” qytetari?

Takimi që zgjati rreth dy orë nuk ofroi ndonjë zgjidhje për konstituimin e legjislaturës së nëntë. Pas takimit Osmani tha se propozimi që në mungesë të një zgjidhjeje tjetër t’i drejtohet Kushtetueses, nuk është kundërshtuar nga asnjëri prej liderëve pjesëmarrës në takim.

***

Telekomi i Kosovës është përballur me procedura përmbarimore që nga 2024-ta për shkak të një borxhi që rrjedhë nga një kontratë e vitit 2009 me kompaninë “Dardafon.net L.L.C.”, e njohur si Z-Mobile, të cilës ende po ja sheh sherrin.

Kjo kontratë, e cila themeloi operatorin virtual Z-Mobile, parashihte që këtij operatori t’i jepeshin 200 mijë numra, ndërsa raporti i të hyrave mes dy kompanive do të ndahej 73% për Z-Mobile dhe 27% për Telekomin e Kosovës.

Mosmarrëveshjet mes dy palëve filluan kur Z-Mobile kërkoi numeracion shtesë dhe shërbime 3G/4G, të cilat Telekomi i refuzoi. Si rezultat, Z-Mobile ju drejtua arbitrazhit ndërkombëtar, i cili vendosi në favor të saj, duke e obliguar Telekomin të paguaj rreth 11.7 milionë euro, përfshirë fitimet e humbura, dëmet e likuiduara dhe shpenzimet e arbitrazhit.

Përmbaruesi privat, Flamur Bogaj i ka tërhequr Telekomit të Kosovës 1.8 milionë euro më shumë sesa shuma për të cilën kishte urdhër përmbarimi, duke arritur deri në 13 milionë, e cila po shkakton dëme të mëdha financiare dhe po rrezikon stabilitetin e ndërmarrjes publike, sipas Telekomit.

A e ka shkelur ligjin përmbaruesi privat me tejkalimin e shumës dhe me moszhbllokimin e xhirollogarive bankare të Telekomit kur ai ka inkasuar shumën e kërkuar më urdhrin e tij përmbarimor?*

***

Ende pa e parë sallën, veç me qëndrim për pak minuta te hyrja, merret vesh lehtë se “Gipsy Kings” e ka njëfarë çelësi për të shkuar deri te shija e gjeneratave të ndryshme. Radha e njerëzve që hyjnë në sallë janë prej gjyshërve, të bijve të tyre e deri te nipat e mbesat. Turneu “Back to origins” (Kthim në origjinë) i ka sjellë sivjet në Kosovë. Turnetë i ka të panumërta.
Rave Travel solli në AMC, grupin e famshëm i cili përformoi të mërkurën para më shumë se 2 mijë vetave.

***

Gjithë jetën tonë e kalojmë duke u shtirur sikur jemi rritur. Mundohemi të tregojmë se nuk qajmë më, që nuk kemi nevojë të përqafoheshim çdo ditë dhe që nuk na pëlqen më të rrotullohemi në bar. Por në fund aktrimi ynë merr fund. Ushqimi do të na bjerë nga goja, duart do të na dridhen kur ngremë gjëra, fytyra do të na rrudhet në vende që s’janë rrudhur për 80 vjet. Njerëzit janë aq të brishtë si kur kemi lindur.