Dje n’Kosovë
1 Nëntor, 2024
Shkruan: Erletë Rrustemi
Kumti i editorëve: Ky artikull është shënuar për t’iu treguar gjendjen tonë emocionale, shpirtërore, politike, financiare, kulturore dhe motoristike bazuar në ngjarjet e vërteta të ditës së djeshme dhe domethënien e tyre për ne! Artikujt janë ditorë dhe bëhen një me ty kur ndajmë përditshmërinë e njëjtë në Kosovën tonë. Paper ndan me ty!
Në mëngjesin e hershëm të këtij nëntori, merr kohë për veten dhe kujto fillimisht ditët kur u ndjeve mirë, pastaj momentet e vogla që të ndryshuan rutinën. Nëse këto ishin çaste të mira, rikrijo ato sërish për veten. Sepse në fund të ditës, i dashur lexues, secili dëshiron ta lumturojë veten.
***
I ditur për të arratisur e tash si “një dëshmitar” i mundshëm, të ditur për hedhjen në dritë të çështjeve të heshtura e tash të përgjuar, rikujtime të draft-statuteve dhe gjithçka tjetër që duhet të dini rreth ditës së djeshme në Kosovë!
Kush e vendosi, me ç’datë? Gjithçka është misterioze, por të enjten gazetari Vehbi Kajtazi, kur e dërgoi veturën për servis, vuri re se në makinën e tij ndodhej një lokalizues satelitor.
Numrat serik dhe të dhënat që tregonin se është GPS ende nuk tregojnë nëse është i ndonjë institucioni; krejt çka dimë janë ankesat e Kajtazit, së bashku me kolegët Berat Buzhala, Lirim Mehmetaj dhe Ilir Mirena, se katërshja janë duke u përgjuar e vëzhguar nga ata që pretendohet të jenë agjentë të AKI-së.
A po bëhen veprime të tilla për të frikësuar gazetarët dhe për të zbuluar burimet e tyre? Megjithatë, ende asgjë nuk është verifikuar nga autoritetet e sigurisë.
***
Prokuroria Themelore ka më shumë se pesë muaj që kërkon Enver Sikirën, megjithatë ka të ngjarë që gjatë kësaj kohe, sa ai është në arrati, të ketë dëshmuar kundër katërshes së UÇK-së, Thaçit dhe të tjerëve në Hagë?! Dyshimet u ngritën të enjten nga avokatja e Jakup Krasniqit, kur pyeti Nuredin Ibishin, ish-komandantin e brigadës 151 që përfshinte Majacin.
Për kapjen e tij, policia kishte urdhëruar mobilizim në pesë pikat kufitare.
***
A po e konsideron BE-ja Kosovën si pranuese të draft-statutit për Asociacionin?
Deklarata e kryeministrit Albin Kurti për ta pranuar draft-statutin për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, nëse Serbia pranon ta firmosë Marrëveshjen Bazë dhe Aneksin për zbatimin e saj, është lexuar në Bruksel si pranim i dokumentit nga ana e Kosovës.
Nabila Massrali, zëdhënëse e BE-së, i ka thënë “KOHËS” se Asociacioni duhet të themelohet mbi këtë dokument. Sipas saj, propozimi evropian është bërë në përpjekje për të ecur përpara me procesin e normalizimit.
***
“Peja Jazz Festival” po rikthehet me edicionin e pestë, dhe line-up-i duket fantastik! Për katër netë, publiku ka mundësi të dëgjojë emra të njohur të jazz-it botëror. Nga 30 tetori deri më 2 nëntor, festivali mbahet në Pejë, në Kino Gërvalla, ndërsa më 3 nëntor vjen me një performancë speciale në kryeqytet, tek Teatri Oda për Prishtina Music Week. Mysafirët këtë vit janë: Ceylan Taci, e shoqëruar nga Astrit Stafai & Friends; Cimbalomduo; Laura Prince dhe Julian Caetano; Wadaiko Sai.
***
Muzikë e qejf, i dashur lexues; këto janë fjalët kryesore për këtë të premte. Sa më shumë përqafime e dashuri!