Live Stories from Prishtina

LIVE

13 Prill, 2025

Sigurisht këto ditët e fundit keni hasur në plot portrete nëpër rrjete sociale, të inspiruara nga filmat vizatimorë japonezë Ghibli, të krijuara me AI. Ne e imagjinuam se si do të dukej Prishtina sipas Ghiblit, bazuar në një film që përçon atë “vibe”.

Çka është Ghibli?
Studio Ghibli është një studio e njohur japoneze e filmave të animuar, e themeluar në vitin 1985 nga regjisorët Hayao Miyazaki dhe Isao Takahata, së bashku me producentin Toshio Suzuki. Kjo studio njihet për stilin unik artistik, për përralla të bukura dhe emocionale, si dhe për temat e fuqishme që trajtojnë natyrën, shoqërinë dhe marrëdhëniet njerëzore. Filmat e saj më të njohur janë Spirited Away, My Neighbor Totoro, Princess Mononoke.

Tani që keni lexuar mjaftueshëm për kafenetë, restorantet, dhe vendet më të mira për t’i vizituar në Prishtinë, meqë jemi në fundjavë, po ju tregojmë diçka ndryshe: nëse Prishtina do të kishte formën e një filmi, cili do të ishte ai film?

Pa asnjë dyshim nuk do të ishte një “blockbuster” me skena aksioni, as një dramë historike me kostume të komplikuara. Jo. Prishtina do të ishte “Before Sunrise”, filmi intim i Richard Linklater, ku dy të rinj takohen në një qytet të huaj dhe kalojnë një natë duke folur, shëtitur, dhe duke rënë thellësisht në dashuri.

Kjo, sepse Prishtina është qyteti që ndjehet më shumë natën. Njësoj si Vjena e filmit, edhe Prishtina bëhet tjetër në orët e vona. Është koha kur njerëzit dalin për një shëtitje të qetë te Amfiteatri i Gërmisë, kur kafenetë në Bregun e Diellit mbushen me zëra, kur bisedat e thella ndodhin në ndonjë rrugicë apo në Sheshin/Bulevardin Xhorxh Bush.

Sepse është një qytet ku bisedat kanë rëndësi. Në “Before Sunrise”, i gjithë filmi është një bisedë. Dhe pikërisht kjo e bën aq të veçantë. Prishtina është e tillë, një qytet që nuk të lodh me peizazhe mahnitëse, por të fiton me fjalë, me ide, me ndjeshmëri. Ulu te
“Metro” ose te “Kino Armata”, pi një gotë verë të kuqe dhe dëgjo dy njerëz që flasin për jetën. Kaq mjafton për të ndjerë shpirtin e qytetit.

Dashuria në Prishtinë nuk është perfekte, por është reale.
Edhe në Prishtinë, lidhjet janë të çuditshme, ndonjëherë të përkohshme. Në një qytet ku e ardhmja është shpesh e paqartë, dashuria ndodh pa plane. Mund ta gjesh në një koncert në shesh, në një kënd të errët të Soma-s, apo thjesht në një ecje të gjatë përgjatë rrugës “Agim Ramadani”. Nuk është e rregullt, por është intime dhe kjo mjafton.

“Before Sunrise” nuk ka një fund të madh, nuk ka një zgjidhje dramatike por ka premtimin e diçkaje të bukur, ndoshta të përkohshme, por kuptimplotë. Pa përgjigje të thjeshta, pa garanci, por me shumë njerëz që çdo ditë zgjedhin ta jetojnë me gjithë pasionin e tyre. Kjo e bën të vlefshme.

Prishtina nuk është qyteti i madhështisë, por i ndjenjave.
Nuk është qyteti i fotove perfekte, por i kujtimeve të papritura. Është një film që nuk e sheh për skenarin, por për mënyrën se si të bën të ndihesh.