The sun came up today
12 Prill, 2025
Ka qytete që të duken si njerëz. Tirana është ajo shoqja që gjithmon ka një muhabet për ta treguar, që hyn në kafe si të ishte sfilatë, që ka energji të mbushë një shesh të tërë edhe kur është vetëm. Po të ishte shenjë horoskopi, do të ishte Luani, me zemër të madhe, ego të ndritshme dhe dëshirë të përjetshme për të qenë në qendër të vëmendjes.
Tirana s’ka turp nga vetvetja. Madje e ka qejf që të tjerët ta vëzhgojnë, ta admirojnë. Nëse ecën nëpër Bllok e ndjen atë vetëbesimin e Luanit. Çdo lokal është si një skenë e vogël, çdo dritare rrezaton një lloj personaliteti që do të të ftojë ta zbulosh. Është territori ku qyteti shfaq sensin e tij të stilit dhe dëshirën për të qenë “në modë”, si çdo Luan i mirëfilltë.
Cdo hapësirë një selfie në pritje. Uluni në Radio Bar, ku fryma retro dhe muzika jazz të bëjnë të ndihesh si në një film evropian. Kaloni për një mëngjes (ku tironsit do të thonin për brunch) në Salt, ku estetika është po aq e rëndësishme sa shija. Ose ndaloni në Komiteti Kafe Muzeum, ku rakia vjen me histori dhe çdo gotë është një rrëfim për identitetin shqiptar, por gjithmonë me një kthesë moderne tamam si një Luan që vesh kostum tradicional, por me atlete, cool.
Sheshi Skënderbej është si ballkoni i mbretit. Aty Tirana tregon se nuk i imponohet askujt, thjesht e ndjen dëshirën për ta vizituar sepse t’mbet në kujtime, e hapur, e qetë në mënyrën e vet të zhurmshme. Rreth saj, gjithçka ndodh: vizitorët ngrihen në muze, fëmijët luajnë me biçikleta, ndërtesat vështrojnë si roje nderi. Është qendra e gravitetit të Tiranës ashtu si Luani në çdo dhomë ku hyn.
Pastaj janë ato vende ku Tirana të fton për darkë sepse si çdo Luan, ajo di të gëzojë jetën. Provo Artigiano, që ndan një pjesë të shpirtit mesdhetar me një menu të rafinuar. Ose një darkë elegante në Padam Boutique Hotel & Restaurant, ku edhe shërbimi të bën të ndihesh i rëndësishëm, se në fund të ditës Luani këtë do: përvojë, estetikë, kujtim.
Për ata që duan pak më shumë qetësi, por pa dalë nga sfera e stilit, është Liqeni Artificial. Një xhiro aty është si meditimi i një Luani pas një dite plot mbretërit. Luani do ta ndaj me tjerët që di të praktikoj jogan ose pilates.
E nëse do ta ndjesh madhështinë, ngjite Dajtin e lartë dhe shiko qytetin nga lart një perspektivë që vetëm një Luani do t’i pëlqente: gjithçka poshtë, gjithçka në dritë, gjithçka nën kontroll. Aty lart, Tirana është spektakolare, por nuk është arrogante. Thjesht e di sa e bukur është kur e sheh nga lart.
Pazari i Ri është një tjetër shfaqje me ngjyra, zëra, erëza dhe energji. Këtu Tirana tregon anën e saj lozonjare, por edhe krenare për rrënjët. Sepse një Luan nuk harron kush është edhe kur vesh rroba të reja. Dhe nuk ka frikë të kombinojë të vjetrën me të renë sidomos kur i shkon për shtat.
Në fund të fundit, Tirana është një Luan që jeton me pasion. Ka ditë që të lodh me egon e vet. Ka net që të frymëzon. Ka mëngjese që të sheh në sy dhe të thotë: “ngrihu, kemi punë për të bërë” atëherë ti e ndjen që je pjesë e diçkaje që s’do të rrijë kurrë në vend.
Si çdo Luani që e do festën, jetën, ritmin dhe skenën ajo do të dëgjonte pa dyshim Paper Play Radio. Sepse vetëm aty gjendet ajo muzikë që ka zemër, ka stil dhe është bërë për të ndriçuar ditën tamam si vetë Tirana.
