Dje n’Kosovë
8 Mars, 2025
Shkruan: Erletë Rrustemi
Kumti i editorëve: Ky artikull është shënuar për t’iu treguar gjendjen tonë emocionale, shpirtërore, politike, financiare, kulturore dhe motoristike bazuar në ngjarjet e vërteta të ditës së djeshme dhe domethënien e tyre për ne! Artikujt janë ditorë dhe bëhen një me ty kur ndajmë përditshmërinë e njëjtë në Kosovën tonë. Paper ndanë me ty!
Sot një mëngjes pak i vonshëm, i dashur lexues, por kjo nuk na ndalon që, edhe pse jo bash herët-herët në mëngjes, t’ju rikujtoj diçka: Nuk mund ta bësh dikë të të dojë duke i’u dhënë diçka që ata as nuk dinë ta vlerësojë!
Çka ndodhi dje në Kosovë?
Me ndezjen e flakadanëve në “Natën e Zjarreve” në Prekaz të premten, ka përfunduar manifestimi në kujtim dhe nderim të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe heroizmit të komandantit legjendar Adem Jashari, familjes Jashari dhe gjithë të rënëve për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.
Ndezja e flakadanëve u bë në kompleksin memorial “Adem Jashari” në Prekaz, si çdo vit tjetër, ku zjarret mbaheshin nga të rinjtë, të cilët ishin të veshur me rroba dhe uniforma të UÇK-së.
***
Tash, kur PZAP-ja e “cënon” lëshimin e rezultateve preliminare, çka me thanë ma?
Arsyetimi, të cilin zëdhënësi i KQZ-së detyrohet ta përsërisë thuajse çdo ditë – “Nuk është me rëndësi shpejtësia, por saktësia e numërimit” – nuk qëndron. Shumë me rëndësi është edhe shpejtësia optimale, sepse punët e kryera mirë në një proces zgjedhor kanë një domethënie përtej simbolikës: flasin për seriozitetin e shtetit.
Nesër bëhet një muaj që prej kur dolëm për të votuar. Dhe, ia qëlloni: ende nuk i kemi rezultatet përfundimtare.
Pra, në të gjithë procesin e zgjedhjeve, epitetin e dështimit më të madh e meriton KQZ-ja, për ngathtësinë në numërimin e vetëm 900 mijë e diçka votave. Në situatën hipotetike që do të dilnim të votonim dy milionë e sa votues, a do të thoshte kjo se rezultatet do të kishin dalë pas tre muajsh?
Dështimi i KQZ-së është edhe dështimi i shtetit tonë, që as pas 25 vjetësh nuk është në gjendje ta zërë hapin me teknologjinë, e që ende nuk ka mundësuar votimin përmes internetit.
***Kulturë
Dje, më 7 mars, është promovuar një libër i ri në Institutin Albanologjik. Pak botime dhe pak vëmendje u janë dhënë grave shkrimtare që e kanë pasuruar gjuhën shqipe. E tash, Meliza Krasniqi sjellë një botim që përmirëson sado pak njohuritë tona, jo vetëm mbi veprimtarinë letrare të shkrimtareve shqiptare në Kosovë prej 1945 deri më 1990, por jo vetëm kaq: në këtë monografi madhore të Melizës përfshihen edhe gratë që kanë shkruar letërsi prej vitit 1887 deri më 1990 në Shqipëri, Kosovë, Maqedoninë e Veriut dhe Itali.
***
Meqenëse ky artikull lexohet sot (8 mars): Feminist – personi që beson në barazinë socio-ekonomike ndërmjet gjinive të ndryshme.
Marshojmë, nuk festojmë.
Grave në Kosovë >>> Ju dua <3