Dje n’Kosovë
3 Tetor, 2025
Shkruan: Erletë Rrustemi
Kumti i editorëve: Ky artikull është shënuar për t’iu treguar gjendjen tonë emocionale, shpirtërore, politike, financiare, kulturore dhe motoristike bazuar në ngjarjet e vërteta të ditëve të shkuara dhe domethënien e tyre për ne! Artikulli është përmbledhje e ditës me lajme që kryesuan ditën dhe bëhen një me ty kur ndajmë lajmet e njëjta në Kosovën tonë. Paper ndanë me ty!
I dashur lexues unë besoj që në secilin prej nesh; tek ti, tek unë dhe tek të tjerët, jeton nga një hero. Që na mbanë të sinqertë, që na jep fuqi dhe na bënë besnik ndaj njerëzve dhe këto nuk janë fuqi që duhen nënvlerësuar.
Në Kosovë dje kandidatët e LDK-së për zgjedhje lokale po bënin namin me premtime; në Prishtinë, Përparim Rama premtoi ndërtimin e fshatit olimpik 60-hektarësh për Lojërat Mesdhetare 2030, që synon të bëhet qendra kryesore e sportit në Kosovë dhe rajon.
Në Podujevë, Ekrem Hyseni theksoi se fillimisht qyteti duhet t’i kthehet normaliteti e më pas të flitet për zhvillim.
Në Mitrovicë, Gëzim Plakolli premtoi mbështetje për sportistët, ndërsa në Vushtrri, Xhafer Tahiri prezantoi planin për shndërrimin e hapësirave publike në parqe për fëmijë.
Në Junik, Ruzhdi Shehu njoftoi për përfundimin e asfaltimit të të gjitha rrugëve lokale.
Në Prizren, Driton Selmanaj shpalosi projektin “Lagjet model” për transformimin e “Nënkalasë” dhe “Kurillës”, duke synuar rikthimin e identitetit arkitektonik tradicional dhe zhvillimin e turizmit.
***
Ish-zëvendësshefi i UNMIK-ut, James Covey, ka përmbyllur dëshminë e tij në Gjykatën Speciale në Hagë, ku po gjykohen ish-drejtuesit e UÇK-së.
Ai ka thënë se pas luftës, dy figura kryesore politike kishin qenë të frikësuara: Ibrahim Rugova, i cili druhej të kthehej në Kosovë për shkak të pasigurisë dhe vrasjes së truprojave të tij, dhe Hashim Thaçi, që sipas tij kishte pasur drojë nga komandantët e UÇK-së.
Covey ka treguar se Rugova ishte në depresion dhe ndiente rrezik për jetën e tij, ndërsa KFOR-i kishte dyshuar se Daut Haradinaj ishte përgjegjës për sulmin ndaj truprojave të Rugovës. E dje në emisionin Presing në T7, ka qenë i ftuar Ramush Haradinaj ku u pyet për këtë deklaratë tha që, ma mirë se familja Haradinaj se ka pasë askush me familjen e Rugovës.
Për Thaçin, dëshmitari tha se edhe në Rambuje ishte kërcënuar nga komandantët e zonave, të cilët i përshkroi si udhëheqësit e vërtetë të guerilës, duke veçuar Sami Lushtakun dhe Ramush Haradinajn si figura radikale.
Ai theksoi se Thaçi nuk mbante përgjegjësi për veprime të strukturave të qeverisë së përkohshme të pasluftës. Ndërkohë, aktakuza e Zyrës së Prokurorit të Specializuar e ngarkon Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin me ndërmarrje të përbashkët kriminale, që përfshiheshin rreth 100 vrasje dhe tortura gjatë viteve 1998–1999, kryesisht ndaj civilëve shqiptarë dhe anëtarëve të LDK-së.
***
Galeria Kombëtare e Kosovës ka hapur dje një ekspozitë intriguese që sjellë në vëmendje vitet e para të veprimtarisë së saj, periudhën 1979–1989. Përmes arkivit të pasur me korrespondenca, dokumente zyrtare dhe fjalime, ekspozita hedh dritë mbi aspiratat dhe sfidat e një institucioni të ri kulturor në kohën kur po formësohej identiteti i tij.
Materialet e paraqitura zbulojnë mënyrën se si Galeria pozicionohej ndërmjet realitetit lokal dhe rrjeteve kulturore ndërkombëtare, duke reflektuar dinamika të rëndësishme të asaj dekade. Një pjesë të veçantë të ekspozitës e përbëjnë katalogët e periudhës, të përzgjedhur bashkë me themeluesit e platformës REDO, të cilët ilustrojnë estetikën grafike dhe frymën moderniste që shoqëroi fillimet e GKK-së.
Kjo ekspozitë jo vetëm që ofron një rikthim në memorien institucionale të Galerisë, por edhe një pasqyrë mbi mënyrën se si arti dhe kultura shqiptare të Kosovës lidhnin ura me botën gjatë viteve ’80.
***
Edhe diçka për fund my dearest; gjuha e njeriut mund ta jep shijen e zemrës së tyre!