Live Stories from Prishtina

LIVE

7 Dhjetor, 2024

Shkruan: Erletë Rrustemi

 

Kumti i editorëve: Ky artikull është shënuar për t’iu treguar gjendjen tonë emocionale, shpirtërore, politike, financiare, kulturore dhe motoristike bazuar në ngjarjet e vërteta të ditës së djeshme dhe domethënien e tyre për ne! Artikujt janë ditorë dhe bëhen një me ty kur ndajmë përditshmërinë e njëjtë në Kosovën tonë. Paper ndanë me ty!

Lexues, mirëmëngjesi: Gjithë bota është një skenë dhe të gjithë burrat e gratë janë vetëm aktorë; kanë hyrjet dhe daljet e tyre, dhe një njeri gjatë jetës luan shumë role.

Dje n’Kosovë

***

Kontratat e reja kolektive për punonjësit e arsimit nuk duhet të ndërmerren në kohën kur ende nuk ka përfunduar procesi zgjedhor, i cili do të rezultojë me përbërje të re të Kuvendit dhe me qeveri të re. A ju duket etike që vendimi të merret në fund të mandatit dhe pastaj e gjithë barra të mbetet te struktura e re qeverisëse, vetëm sepse ky vendim favorizon një grup të caktuar profesioni për votat e tyre?

Pastaj, a nuk do të ishte më mirë që SBASHK-u të organizonte ndonjë grevë, e cila synon riorganizimin për testin PISA, që, dorën në zemër, nuk është shumë i arritshëm për sa i përket kësaj pjese?

***

Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka siguruar qytetarët se do të ketë furnizim të rregullt me energji elektrike, duke hequr çdo dyshim për reduktime pas sulmit që është kryer në kanalin e Ibër-Lepencit më 29 nëntor në Zubin Potok. Si pasojë e këtij sulmi dhe rrezikut që vendi të mbetet pa energji elektrike, ekspertët e energjisë kanë bërë thirrje që institucionet përgjegjëse të shikojnë mundësi për të gjetur alternativa të tjera, duke mos u varur vetëm nga Ibër-Lepenci.

Si alternativë, madje përmendet edhe krijimi i një liqeni artificial në Mihaliq të Vushtrrisë. Kushdo që e ka marrë vendimin për anulimin e këtij projekti, me gjasë nuk ka pasur fare vizion

për rëndësinë strategjike që ka një basen i tillë!

***

Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në Departamentin Amerikan të Shtetit, Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, u mirëprit nga Drejtorja për Çështjet e Evropës Qendrore dhe Jugore, Colleen Hyland.

Gjatë takimit u bisedua për zhvillimin dhe rritjen ekonomike të Kosovës, si dhe për sigurinë energjetike dhe investimet në këtë fushë.

Temë e trajtuar ishte edhe sulmi kinetik i javës së kaluar në kanalin e Ibër-Lepencit, si vazhdimësi e përpjekjeve, planifikimeve dhe organizimeve që synojnë destabilizimin e Republikës së Kosovës.

***Kulturë

I pakufishëm është rrëfimi me ekspozitën “Antropomorph” të Artan Balajt, kuruar nga Arta Agani, e hapur në galerinë “Open Art” në Prishtinë. Një planet i largët imagjinar duket se frymon nëpërmjet veprave të tij. Krijesat janë përzierje e organikes dhe mekanikes, ndërthurje në një harmoni të çuditshme dhe futuriste. Gjithçka nisi nga një skicë për tatuazh.

***

O, të dish të duash me masë, kjo është e gjitha! Sepse vetëm kështu zemra mbetet e plotë dhe shpirti i pandarë nga mençuria.