Live Stories from Prishtina

LIVE

13 Gusht, 2025

Shkruan: Erletë Rrustemi

 

Kumti i editorëve: Ky artikull është shënuar për t’iu treguar gjendjen tonë emocionale, shpirtërore, politike, financiare, kulturore dhe motoristike bazuar në ngjarjet e vërteta të ditëve të shkuara dhe domethënien e tyre për ne! Artikulli është përmbledhje javore me lajme që kryesuan javë  dhe bëhen një me ty kur ndajmë lajmet e njëjta në Kosovën tonë. Paper ndanë me ty!

A di çka është për me qajtë, kur e sheh një familjar që jeton në gurbet, edhe në një ri-postim në rrjetet e saj sociale, ku i ka rënditë tri produktet ma të mira që e largojnë makijazhin, në produktin numër tre i ka rënditur: lot në ditën kur kthehen prej shtëpisë së tyre në Kosovë për në gurbet. Me këta deshta me nisë këtë artikull, po në jetë ka shumë momente më të dhimbshme dhe me më shumë humbje por secila e ka peshën e vetë pa paralelizim.

Dje në Kosovë, jashtë faktit që mërgimtarët kanë nisë me u kthy në Evropë, Amerikë e vendet tjera ku tashmë jetojnë, kryeministri jonë në detyrë Albin Kurti ka thënë se duhet pritur aktgjykimi i plotë i Gjykatës Kushtetuese lidhur me konstituimin e Kuvendit, kur është pyetur nëse do ta respektojnë atë.

Derisa në deklaratat e mëparshme para se të publikohej njoftimi për aktgjykimin, Kurti pati thënë se gjithmonë i ka respektuar aktgjykimet, por të martën ai ka qenë fare i shkurtër pasi mori pjesë në ceremoninë e 26 vjetorit të Doganës së Kosovës dhe diplomimit të gjeneratës së re të oficerëve doganorë.

“Duhet ta presim aktgjykimin e plotë. E kemi pasur më 26 qershor dhe më 8 gusht, por ky i 8 gushtit është veç njoftim”, ka thënë Kurti.

***

Kushtetuesja e publikoi më 8 gusht njoftimin mbi aktgjykimin, i cili u kërkon deputetëve që ta konstituojnë Kuvendin brenda 30 ditësh.

Sipas aktgjykimit, i cili ende nuk është publikuar i plotë në gazetën zyrtare, kryekuvendari duhet të zgjidhet me votim të hapur dhe i njëjti kandidat për këtë post mund të votohet vetëm deri në tri herë. Kandidatja e vetme për të cilën deri tash ka insistuar Lëvizja Vetëvendosje është Albulena Haxhiu.

***

Banka Qendrore e Kosovës (BQK) parasheh një rritje ekonomike prej 4.1 për qind në Kosovë në vitin 2025 dhe një normë mesatare të inflacionit prej 3.3 për qind, të nxitur kryesisht nga konsumi privat dhe investimet.

Ekonomia e Kosovës vitin e kaluar kishte një rritje ekonomike prej 4.4 për qind, sipas raportit të BQK-së e norma vjetore e inflacionit ishte zbritur në 1.6 për qind.

***

Pesë vrasje në shtatë ditë, boshllëqet sistemike në sigurinë dhe drejtësinë penale në Kosovë.

Fenomeni i vrasjeve dhe dhunës së armatosur në Kosovë mbetet një sfidë e madhe dhe sistematike, që godet thellë arkitekturën e sigurisë publike dhe funksionimin e shtetit të së drejtës. Me gjithë përparimet e dukshme në konsolidimin e institucioneve të drejtësisë penale dhe forcave të rendit, numri i incidenteve me armë zjarri tregon për probleme strukturore dhe operacionale, si dhe ndikimet socio-ekonomike që ende mbeten të pazgjidhura.

Në një artikull informues që e lexova nga Bejtush Gashi, ishte ky shpjegim.

Vrasjet me armë zjarri janë një manifestim ekstrem i boshllëqeve në menaxhimin e sigurisë dhe drejtësisë penale në Kosovë. Ky fenomen, është pasojë e ndërthurjes së disa faktorëve kyç: recidivizmi i personave me precedent kriminal, efikasiteti i kufizuar i masave parandaluese dhe mbikëqyrëse pas lirimit nga paraburgimi, përhapja e armëve të paligjshme, kapaciteti hetimor i pamjaftueshëm, dobësitë në bashkëpunimin ndërinstitucional dhe kushtet socio-ekonomike që nxisin përfshirjen në aktivitete kriminale.

***

Në fund, si gurbetqarët që largohen me valixhe të rënda nga shtëpia e tyre, edhe ne mbesim këtu duke bartur peshën e lajmeve – disa që na japin shpresë për rritje e zhvillim, e disa që na kujtojnë se siguria dhe drejtësia ende kanë boshllëqe të mëdha. Por, si çdo kthim në gurbet edhe këto sfida mbajnë brenda një premtim të heshtur: se herën tjetër, do të jetë më mirë.