Live Stories from Prishtina

LIVE

25 Prill, 2025

Shkruan: Erletë Rrustemi

 

Kumti i editorëve: Ky artikull është shënuar për t’iu treguar gjendjen tonë emocionale, shpirtërore, politike, financiare, kulturore dhe motoristike bazuar në ngjarjet e vërteta të ditës së djeshme dhe domethënien e tyre për ne! Artikujt janë ditorë dhe bëhen një me ty kur ndajmë përditshmërinë e njëjtë në Kosovën tonë. Paper ndanë me ty!

Në një botë ku shumica jetojnë mendimet e të tjerëve, kopjojnë jetët e huaja dhe ndjejnë me fjalët që kanë dëgjuar diku, Paper Blog përpiqet të tregojë atë që është e vërtetë, e ndjerë dhe personale. Këtu, pasioni nuk është një citim!

Çka ndodhi dje n’Kosovë?

Dje është shkarkuar kryeshefi i KOSTT-it, Evetar Zeqiri. Ky vendim erdhi një ditë pas raportimeve të gazetarit Lirim Mehmetaj për një kompani fantome për tregtim të energjisë eletrike – kompani kjo që përbrenda 3 vitesh u ngrit në top-pesëshen e kompanive me fitimet më të mëdha në vend. Zeqiri u shkarkua në mbledhjen e sotme të bordit të drejtorëve, me anëtarë Gëzim Tosuni, Rejhane Zylfijaj, Lumnije Aliu, Sead Mujovi. Ish-anëtarët e bordit të këtij institucioni tashmë kanë dërguar dosje në prokurori për dyshime për keqpërdorime të detyrës zyrtare nga i njëjti.

***

Stadiumi më i madh në vend pritet të hapet sivjet, Kosova është organizatore e Lojërave Mesdhetare të vitit 2030. Qindra miliona euro pritet të investohen për të përmirësuar infrastrukturën sportive para se të mbahet kjo ngjarje.

Nëpërmjet pesë fotografive, ministri në detyrë i Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS), Hajrulla Çeku, ka paraqitur punët që janë kryer deri tash në stadiumin “Adem Jashari” në Mitrovicë.

Me një kosto prej 166 milionë eurosh pritet të kryehen punët në rinovimin e stadiumit buzë lumit Ibër në Mitrovicë, që vazhduan në shkurt të vitit të kaluar pas ndërprerjes shumë të gjatë, ndërsa është premtuar se do të përfundojnë sivjet.

Kjo nuk është hera e parë që investohet në stadiumin “Adem Jashari”.

Në vitin 2014, MKRS-ja i kishte investuar 740 mijë euro. Por shpejt stadiumi u dëmtua. Në vitin 2017 u investuan një milion e gjysmë, prej të cilave 700 mijë euro për reflektorë i ndau Federata e Futbollit e Kosovës, që stadiumi t’i plotësojë kriteret e kategorisë së dytë, përkatësisht që klubet kosovare t’i organizojnë ndeshjet për garat evropiane. Edhe ai renovim shkoi dëm dhe askush nuk mori përgjegjësi.

Stadiumi “Adem Jashari” premtohet të jetë modern. Është thënë se do të jetë plotësisht i mbuluar. Aktualisht e ka një tribunë të mbuluar.

***

Deputetët do të mblidhen sërish sot për ta vazhduar seancën e konstituimit të Kuvendit, të nisur më 15 prill. Monitorues të punës së Kuvendit janë skeptikë se edhe kjo mbledhje e ligjvënësve mund të prodhojë rezultate. Ata propozojnë që presidentja Vjosa Osmani të përfshihet për t’i dhënë kah situatës.

“Roli i presidentes në këtë situatë mund të jetë më tepër si garantuese e funksionimit demokratik të institucioneve të Kosovës. Nuk ka asnjë pengesë që e njëjta të ftojë të gjithë krerët e partive politike dhe nga ajo të shikohet se si të dilet nga kjo krizë politike”, ka thënë Vullnet Bugaqku, hulumtues në Institutin Demokratik të Kosovës.

***
“Foundation Hajde” është një nga akterët kryesorë në skenën e artit kontemporan dhe pjesë e randësishme e ekosistemit kulturor të Kosovës. Dje ata kanë bërë hapjen e Grand Artist Studios në katin e gjashtë të Grand Hotel Prishtina, ku janë prezantuar edhe veprat e Trina Hashanit, Endrit Jashanicës dhe Shkamb Jakës, të krijume gjatë qëndrimit të tyre si rezidentë. Ekspozita është e hapur për publikun deri më 30.04.2025, çdo ditë nga ora 12:00 deri në 18:00.

***
I dashur lexues, askush nuk do të dalë i gjallë nga kjo botë, fundet e lumtura përmbyllen një ditë, andaj mos e le vetën pas dore. Shijo ushqimin e mirë, ec nën rrezet e diellit (mos e harro dritën e hënës), përqafo sa më shumë njerëzit, hidhu në det, mos e humb asnjë knaqësi. Shijoje jetën!