Lexues, ji i bukur në zemrën tënde, sepse aty fillon gjithçka që ka vlerë. Fjalët e tua le të jenë të pastra dhe të buta, sepse ato janë pasqyrë e shpirtit. Ji rrezatues edhe kur askush nuk të sheh, sepse ndershmëria është dritë e brendshme dhe kur të ndihesh i fyer apo i lënduar, mbaje durimin më të ëmbël që ke – ai është forcë, jo dobësi.
Çka ndodhi dje në Kosovë?
Një paciente e moshës rreth 40-vjeçare, e cila ishte duke marrë trajtim në Klinikën e Psikiatrisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, ka ndërruar jetë si pasojë e vetëvrasjes.
Pas ndodhisë erdhi reagimi i QKUK-së, i cili ishte formal dhe procedural, pasi pacientja ishte e hospitalizuar në repartin e hapur të kësaj klinike. Në këtë repart pacientët nuk mbahen të izoluar dhe lejohet dalja jashtë, në përputhje me protokollet mjekësore dhe të drejtat e pacientëve… por publiku ka nevojë për më shumë se kaq për ndjeshmëri dhe angazhim të sinqertë për ndryshim. Është jetike që rasti të mos mbyllet vetëm me një raport, por të nxitet një hetim i thellë dhe një reformë reale në mënyrën si trajtohen pacientët me probleme të shëndetit mendor.
Një rast i tillë duhet të na inkurajoj të flasim më hapur për shëndetin mendor, për dhimbjet e padukshme që shumë njerëz i mbajnë brenda vetes. Heshtja shoqërore vetëm sa i shton stigmën dhe izolimin për ata që kanë më së shumti nevojë për përkrahje.
***
Me parkimin e kamionëve në rrugën përpara objektit të Komunës së Prishtinës, punëtorë të kompanisë rajonale të mbeturinave “Pastrimi” e kanë nisur të enjten grevën për shprehjen e pakënaqësisë për gjendjen e rënduar financiare të ndërmarrjes.
Në njoftimin e shoqatës sindikale të “Pastrimit” për grevën është theksuar se një prej kërkesave është zgjidhja emergjente e situatës së rëndë financiare të krijuar “si pasojë e mosshlyerjes së obligimeve financiare nga Komuna”.
Komuna e Prishtinës ka lidhur marrëveshje edhe me dy operatorë privatë të cilët do të angazhohen për mbledhjen e mbeturinave deri në fund të vitit 2025.
Përballë këtij rrethimi institucional dhe kolapsi të heshtur, “kush e hanë këtu”?
Punëtorët janë viktimat direkte. Ata nuk janë as përgjegjës për marrëveshjet politike e as për keqmenaxhimet potenciale të ndërmarrjes. E drejta për grevë është legjitime dhe ajo që kërkojnë është më themelore se çdo kontratë: respekt për punën dhe jetesën e tyre.
****
Kaja Kallas, si përfaqësuese e re e BE-së për politikë të jashtme, e “ka nisur” misionin e saj me një mesazh që përsërit formulën e vjetër: të dyja palët të zbatojnë marrëveshjen.
Por, në praktikë, kjo kërkesë është hipokrite, sepse BE-ja ka aplikuar masa ndëshkuese vetëm ndaj Kosovës edhe pse Serbia ka refuzuar haptas të nënshkruaj marrëveshjen dhe të zbatojë pjesët kyçe të saj.
Ajo dje qëndroi në Prishtinë dhe tha se BE-ja ka filluar heqjen graduale të masave ndëshkuese të vendosura ndaj Kosovës, porse ka theksuar se ky proces është i kushtëzuar me ruajtjen e qetësisë në veriun e banuar kryesisht me serb.
Nëse vërtet beson në balancim dhe parime, atëherë BE-ja duhet të jetë po aq e ashpër edhe me Serbinë. Përndryshe, kjo asimetri e sanksioneve e minon besueshmërinë e saj si ndërmjetëse neutrale dhe e barabartë.
Nëse qetësia kushtëzohet si standard neutral, a nuk i bjen të jetë i njëanshëm? A nuk po nënkuptohet, se kjo nismë mbështetet në idenë se Kosova duhet të heqë dorë nga ushtrimi i plotë i sovranitetit të saj për të mos provokuar tensione.
***
Prishtina International Theatre Festival “Burbuqe Berisha” organizohet prej vitit 2017, e edicioni i 9-të sivjet ka filluar nga 19 maji dhe do të vazhdoj deri më 24 mạj. Festivalet e pranverës e verës, kanë lezet sepse mirëpresin mysafir të huaj dhe kanë një program të larmishëm me shfaqje nga Kosova, Franca, Greqia, Izraeli dhe Bosna dhe Hercegovina. Shfaqjet po zhvillohen në sallën e Teatrit “Faruk Begolli” të Universitetit AAB.
***
Do të doja të të përqafoja saherë që ndihesh sikur je vetëm në këtë botë. Secilen herë që lodhesh nga gjithçka dhe mendon se askush nuk po të kupton edhe kur zemra jote është e rënduar dhe bota të duket si një barrë që s’mund ta mbash më, dua ta dish që, edhe nëse nuk mund të jem pranë fizikisht, zemra ime është me ty.