Live Stories from Prishtina

LIVE

28 Prill, 2025

Shkruan: Erletë Rrustemi

 

Kumti i editorëve: Ky artikull është shënuar për t’iu treguar gjendjen tonë emocionale, shpirtërore, politike, financiare, kulturore dhe motoristike bazuar në ngjarjet e vërteta të ditës së djeshme dhe domethënien e tyre për ne! Artikujt janë ditorë dhe bëhen një me ty kur ndajmë përditshmërinë e njëjtë në Kosovën tonë. Paper ndanë me ty!

Mirëmëngjesi i dashur lexues, të uroj një javë sa më të mbarë, njësoj si mendimi yt i pastër kur afrohesh ta përqafosh nënën.
Ka një thënie që thotë: “Lulet e plastikës nuk rriten, sado që t’i ujitësh.” Kjo shprehje na kujton se, pavarësisht përpjekjeve tona, diçka që nuk është e vërtetë nuk mund të zhvillohet apo të lulëzojë.
Ashtu si uji nuk ndikon në lulet plastike, as përpjekjet tona nuk do të sjellin fryte nëse mungon autenticiteti.

***

Çka ndodhi dje në Kosovë?

48 orë pa fund. Dy muaj e gjysmë që prej kur u mbajtën zgjedhjet dhe ne ende presim që të konstituohen institucionet e reja.

Dje u “zhvillua” vazhdimi i shtatë i seancës konstituive, në të cilën u tentua të zgjidhej kryetarja e re e Kuvendit. Për të pestën herë me radhë, kandidatja mori 57 vota — të pamjaftueshme për t’u zgjedhur.

Përpjekja për ta paraqitur moszgjedhjen e Haxhiut si problem gjinor është shumë “cheap”.

Fort ironike është të shohësh se si LVV-ja, me po të njëjtën arrogancë të partive të atëhershme në pushtet, kërkon që partitë e tjera ta votojnë Albulena Haxhiun për kryetare të Kuvendit, duke insistuar se ata e kanë të drejtën e propozimit të kandidatit/es dhe se ky votim është thjesht procedural.

Bëhen sikur nuk ka ndodhur që LVV-ja përherë ka votuar kundër kandidatëve për kryetarë, të cilët natyrisht nuk kanë qenë nga radhët e këtij subjekti apo të koalicioneve të udhëhequra prej saj.

***

Dje ka humbur dhe është gjetur Alpi i vogël.
Përdorimi i dronit dhe angazhimi i FSK-së mundësuan gjetjen e Alpit të vogël.

Vogëlushi, i cili ishte shpallur i zhdukur nga familja ditën e djeshme, është konfirmuar i gjetur nga Mentor Maloku, nënkryetar i Shoqatës së Kërkim–Shpëtimit.

“Po, e kemi gjetur. Gjithçka është në rregull. Ai është mirë. Tash jemi me këtë bukuroshin”, ka thënë Maloku për Klan Kosova.

Alpi u raportua i humbur rreth orës 15:00 në qytetin e Gjilanit.

***

Në shenjë nderimi dhe solidarizimi me familjet e personave të zhdukur gjatë luftës në Kosovë, dje Komuna e Prishtinës ka ndërprerë ndriçimin e objektit të saj.

Këtë akt simbolik e ka bërë të ditur kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, përmes një postimi në rrjetin social “Facebook”.

“Ndalëm dritat e objektit të Komunës për t’u solidarizuar me familjet e të pagjeturve. Në këtë ditë përkujtimi, jemi pranë tyre, me respekt të thellë për qëndresën, forcën dhe përkushtimin e tyre të palëkundur për zbardhjen e së vërtetës”, shkroi Rama.

***

Rritje çmimesh janë vërejtur në furra dhe kafene, pas vendimit për rritjen e çmimit të rrymës. Vendimi për shtrenjtimin e rrymës do të hyjë në fuqi më 1 maj, por bizneset i kanë paraprirë kësaj me shtrenjtim të produkteve.

Një bukë, në disa furra në Prishtinë, që nga java e kaluar ka shkuar në 80 centë, ndërsa kafeja në shumë kafene të Prishtinës vështirë të gjendet nën 1 euro.
Por ky është vetëm fillimi i shtrenjtimit të produkteve, paralajmërojnë përfaqësues të bizneseve.

***

Ndonjëherë na duket se po sillemi në rreth, duke ndjekur të njëjtët hapa pa fund. Por jo gjithmonë është rruga ajo që duhet ndryshuar — mjafton ta shohim ndryshe. Një këndvështrim i ri mund të tregojë se ajo që na dukej si rreth, në të vërtetë është një spirale që na çon më lart.