Live Stories from Prishtina

LIVE

9 Tetor, 2024

Shkruan: Erletë Rrustemi

 

Kumti i editorëve: Ky artikull është shënuar për t’iu treguar gjendjen tonë emocionale, shpirtërore, politike, financiare, kulturore dhe motoristike bazuar në ngjarjet e vërteta të ditës së djeshme dhe domethënien e tyre për ne! Artikujt janë ditorë dhe bëhen një me ty kur ndajmë përditshmërinë e njëjtë në Kosovën tonë. Paper ndan me ty!

Kur ju kaloni rrugën, dikujt aroma juaj ua kujton dikë, ndoshta një moment nga e kaluara, ndoshta dikujt edhe dikë që sapo kanë humbur. Në këtë rrugëtim, gjithmonë dikush shëron dikë!

Çfarë ndodhi dje në Kosovë?

***

A theu qeveria e shpresës shpresën tek votuesit e saj? Apo është edhe një skandal tjetër i faktuar nga kjo qeveri, e cila do të konsiderohet se iu është bërë me qëllim nga ndihma e “prokurorisë së kapur nga ish-pushteti”?

Dje në Ministrinë e Planifikimit Hapësinor dhe të Infrastrukturës janë arrestuar dy persona, pas katër orëve bastisjeje dhe shtatë muajsh raportimi nga Albanian Post. Dy të arrestuarit akuzohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare, shpërlarje të parave dhe mosraportim apo raportim të rremë të pasurisë.

Pse të përmendim ndodhi të tjera kur kjo ngjarje përshkruan gjithë ditën e djeshme?!

Thirrjet e dikurshme të Vetëvendosjes nga opozita “me hajna, me hajna nuk ka shtet”, sikur nuk po vlejnë tani a po?

A e dini si ka ndodhur vjedhja, i dashur lexues?

Kompanitë e ujit nuk kanë vënë ujëmatës për të treguar sasinë e nxjerrë nga burimet natyrore, gjë e obliguar me ligj. Kompanitë që deri tani kanë funksionuar në formën kundërligjore, kanë pasur borxhe të grumbulluara ndaj shtetit për mosraportim. E në një formë tjetër të jashtligjshme, këtyre kompanive u është dërguar një dokument që i njofton për “detyrimin financiar” që e kanë.

Akuza është kjo: Ministri Liburn Aliu dhe Naser Hafizi ia shlyejnë kompanisë “Adi – Ujë Lubeteni” borxhin prej 1 milion eurosh për vetëm 48 mijë euro.

Çfarë moti i vranët për të marrë informata të tilla!!!

***

Akademikut dhe profesorit universitar të pikturës, Tahir Emra, të martën iu dha lamtumira e fundit.

“Piktura e Tahir Emrës ka qenë dhe vazhdon të mbetet e vështirë për interpretim, për kritikë dhe analizë, jo vetëm pse i përket artit abstrakt dhe hermetik, por më shumë për faktin se piktura e tij e tejkalon ‘lehtësinë e papërballueshme’ të interpretimit të mesazheve të drejtpërdrejta,” ka thënë kryetari i ASHAK-ut, Mehmet Kraja, në mbledhjen komemorative për nder të të ndjerit.

***

Lexues i dashur, merreni seriozisht çdo gjë që e shihni që nga hera e parë; aty qëndron realiteti dhe origjinaliteti i njerëzve.