Live Stories from Prishtina

LIVE

19 Qershor, 2025

Shkruan: Erletë Rrustemi

Kumti i editorëve: Ky artikull është shënuar për t’iu treguar gjendjen tonë emocionale, shpirtërore, politike, financiare, kulturore dhe motoristike bazuar në ngjarjet e vërteta të ditëve të shkuara dhe domethënien e tyre për ne! Artikujt janë ditorë dhe bëhen një me ty kur ndajmë përditshmërinë e njëjtë në Kosovën tonë. Paper ndanë me ty!

Thonë se asnjë njeri në momentet e fundit të frymëmarrjes, nuk i kërkon trofetë, çertifikatat e diplomimit apo medaljet, nuk thonë “m’i sjell trofet t’i shoh edhe njëherë”, çka duan në dhomë në ato momente që mendojnë se kanë pak minuta para vetes janë njerëzit që i duan. Të përmbushesh, të kesh famë, të ardhme të ndritur – të gjitha janë qëllim të mira, por pa dashuri… tingëllon vetëm bronzi!

Çka ndodhi dje në Kosovë?

Mbi 37 mijë banorë rezident e lëshuan Kosovën në vitin 2024, përmes emigrimit teksa Agjencia e Statistikave të Kosovës, ka publikuar shifrën, e cila është shqetësuese për të ardhmen e Kosovës.

Kur popullsia rezidente largohet, ndikimet ndihen në shtyllat kryesore të shtetit. Ndërsa më e dukshmja është fuqia punëtore e kualifikuar, kompanitë hasin në vështirësi për fuqinë punëtore, pastaj më pak kontribues të buxhetit të shtetit, e cila ulë bazën nënkupton më pak të ardhura në arsim, shëndetësi e shërbime publike. Kjo ndikon edhe në rënien e numrit të nxënësve në shkolla dhe plakjen graduale të popullsisë.

A nuk duhet të ndërmerren politika aktive që e përmirësojnë këtë gjendje në Kosovë? Me mbështetjen e bizneseve të vogla, investimin në arsimin cilësor ku qytetarët ndihen të motivuar për krijimin e një jetë të qendrueshme.

Po jo se na kemi gajle tjera, si fillim s’kemi as institucione, kemi një vend ku qeveria jonë është në detyrë që nga maji por vendi i kryeministrit nuk zëvendësohet nga zv.kryeministri, Besnik Bislimi edhe pse qashtu thuhet sipas rregullores.

***

Nga 1 korriku, të gjithë infermierët që nuk aplikojnë për rilicencim para datës së skadimit, do të përballen me penalizim financiar.

Sipas vendimit të Këshillit Drejtues të Odës së Infermierëve të Kosovës (OIK), kushdo që aplikon pas skadimit të licencës profesionale, do të detyrohet të paguajë 50 për qind më shumë sesa taksa bazë, që aktualisht është 30 euro.

Disa nga infermierët e kontaktuar e kanë quajtur të padrejtë vendimin.

***

Zëvendëskryeministri në detyrë, Besnik Bislimi, ka dëshmuar të mërkurën në Prokurorinë Speciale në lidhje me hetimet që janë duke u zhvilluar për kolegun e tij në Qeveri, ministrin në detyrë të Bujqësisë, Faton Peci.

Peci dyshohet për keqpërdorim në lidhje me funksionalizimin e fabrikës për nënproduktet shtazore në Drenas.

Pas intervistës rreth 2 orëshe, Bislimi nuk pranoi të flas para mediave për dëshminë që ka dhënë e as për ecurinë e saj.

***

Në kohën kur dinamika e tregut muzikor shpesh i lë në hije zërat e traditës, përpjekja e ansamblit “Zanat” për t’i risjellë këngët e vjetra shqiptare dëshmon për një angazhim serioz ndaj trashëgimisë shpirtërore. E koncerti i këtij ansambli ka qenë pikërisht në këtë frymë: me dhjetë këngë i ka dhënë jetë një pjese të trashëgimisë shpirtërore.

Koncerti është mbajtur mbrëmë në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës dhe grupi ka performuar dhjetë këngë të vjetra shqiptare, duke risjellë një pjesë të trashëgimisë shpirtërore me ndjeshmëri dhe hijeshi të rrallë.

***

Imagjino sikur rrjetet sociale të mbylleshin çdo ditë në orën 6 pasdite, si dyqanet. Do të detyroheshim të takoheshim sërish në jetën e vërtetë, të flisnim me njëri-tjetrin pa ekran midis nesh, të ishim të pranishëm me familjet tona, të dilnim jashtë, të lexonim, të krijonim art, të kompozonim muzikë, të jetonim. Sepse jeta nuk ndodh në ‘feed’, por në frymëmarrjet që ndajmë kur jemi bashkë.