Arkiva
September 16, 2024
Shkruan: Uran Bajrami
Krijimtaria e Amy Winehouse përfshin një gamë të gjerë temash nga jeta e saj personale. Artistja shpesh reflektonte ndjenjat dhe përvojat e saj në marrëdhëniet romantike përmes vargjeve poetike, duke treguar një sinqeritet të rrallë dhe të thellë.
Një artiste që dëshmon se të dashurosh, të ndjesh, të ndash është fuqi, jo dobësi. Një artiste që nuk arratiset nga ndjenjat dhe mendimet e saj, por thellohet në to. Por, më me rëndësi, një artiste që ridefinon kuptimin e guximit dhe forcës së vërtetë.
Një nga thëniet e saj më të njohura është: “Në këngë shpreh gjëra që nuk mund t’ia pranoj vetes kur shikoj në pasqyrë.”
Për të, procesi krijues ishte një nevojë shpirtërore, jo një përpjekje për sukses komercial. Vokaliste, tekstshkruese, kompozitore, kitariste dhe performuese e jashtëzakonshme, por ajo që publiku zgjodhi të mbajë mend ishte varësia e saj.
E sakrifikuar në emër të artit, poezisë dhe muzikës, ajo, me vendimet e saj, gradualisht hoqi dorë nga jeta, për të dhuruar diçka që vazhdon të jetojë, të ushqejë dhe të frymëzojë. Diqka të pafund. E kundërta e përsosshmërisë, epitoma e të qenurit vetvetja.
Përveç artit të saj, Amy kishte stil të veçantë dhe unik edhe ne dukje. E lidhur ngushtë me gjyshen e saj, Cynthia Winehouse, të cilën e konsideronte një ikonë personale, Amy ishte thellësisht e ndikuar nga estetika e viteve ’50 dhe ’60. Një nga burimet kryesore të frymëzimit për pamjen dhe tingullin e saj ishte grupi i vajzave The Shangri-Las.
Kjo frymë e viteve të kaluara ndikoi në ndërtimin e imazhit të saj të veçantë, duke përfshirë stilin ikonik të flokëve të njohur si “beehive hairdo”.
Krahas aftësive të saj të shkëlqyera si tekstshkruese dhe kompozitore, Winehouse shquhet për improvizimet e saj në skenë, duke e bërë çdo performancë të veçantë dhe të papërsëritshme.
Për nder të gjurmëve të pashlyeshme që ajo ka lënë në historinë e muzikës, kam përgatitur për ju 6 performanca, të cilat ua sugjeroj t’i shikoni për të eksploruar talentin dhe personalitetin e saj si artiste dhe performuese.
1. Back to black at Other voices – Një performancë e këngës së saj më të suksesshme gjatë gjithë karrierës. E përzgjedhur për të treguar timbrin dhe fuqinë e vokalit të saj, duke shfaqur bukurinë në thjeshtësi dhe në improvizim
2. Take the box live at BBC – Edhe pse kjo performancë ishte gjatë viteve të fundit të jetës së saj, Amy kishte përzgjedhur këngën “Take the Box” nga albumi “Frank”. Ajo ofron një version të kësaj kënge si një artiste e pjekur, ku improvizimet spontane përcjellin një emocion të thellë që pushton dëgjuesin.
3. You know im no good – Artistja njihej për personalitetin e saj rebel dhe humorist dhe kjo reflektohet edhe në këtë performancë. Përveç që emociononte audiencën, ajo dinte gjithashtu të ishte zbavitëse.
4. I love you more than you’ll ever know cover – në ditët kur gjeni kohë për veten dhe vendosni të qëndroni me mendimet e juaja, unë besoj se një muzikë në prapavijë ndihmon në romantizimin dhe përjetimin e mendimeve dhe ndjenjave të juaja. Për këtë arsye kam përfshirë një riinterpretim të jashtëzakonshëm të këngës nga Donny Hathaway, i cili ju mundëson të vlersoni efektin qetësues që zëri i saj kishte.
5. Don’t go to strangers with Paul Weller- Një tjetër ri interpretim që dëshmon se Amy ishte një këngëtare e vërtetë e muzikës jazz. Mënyra se si ajo dominon orkestrën me lehtësi dëshmon se ishte e lindur me diqka të veçantë.
6. Body and soul feat Tony Bennett- Së fundmi, një performancë me ikonën e muzikës jazz, Tony Bennett. Vokalet e tyre krijojnë një balancë të përsosur, me një përzgjedhje shumë interesante melodike. Amy ishte këngëtare alto, gjë që i mundëson asaj të ketë po aq fuqi dhe volum edhe kur këndon në nota të ulëta, sa Tony Bennett kur këndonte nota të larta.