Dje n’Kosovë
13 Mars, 2025
Shkruan: Erletë Rrustemi
Kumti i editorëve: Ky artikull është shënuar për t’iu treguar gjendjen tonë emocionale, shpirtërore, politike, financiare, kulturore dhe motoristike bazuar në ngjarjet e vërteta të ditës së djeshme dhe domethënien e tyre për ne! Artikujt janë ditorë dhe bëhen një me ty kur ndajmë përditshmërinë e njëjtë në Kosovën tonë. Paper ndanë me ty!
Ajo çfarë thua dhe çfarë mendon të thuash janë dy rreshta që mund të jenë aq larg njëra-tjetrës sa nuk mund ta imagjinosh, por edhe aq afër sa nuk mund t’i ndash. Më pëlqen të mendoj se këto të dyja vallëzojnë së bashku, takohen, ndahen, largohen nga njëra-tjetra, kthehen tek njëra-tjetra, përqafohen dhe i japin njëra-tjetrës mësim. Andaj, mos u investo në atë se çfarë “donin të thonin të tjerët”, sepse nuk është asnjëherë absolute.
***
Çka e karakterizoi ditën e djeshme në Kosovë?
Ajo çfarë po thoshte dje Sami Kurteshi në Qendrën e Numërimit është ajo çfarë mendonte.
Si anëtar i dikurshëm i KMDLNJ-së, si avokat i popullit, a nuk duhet t’i vijë turp për fjalët që ka thënë?
Kurteshi ka fyer gazetarët e pranishëm në Qendrën Komunale të Numërimit të mërkurën, duke u thënë “qen të mediave” dhe “media kriminale të vrasësve me pagesë”.
Ai ishte i pranishëm në QNR, ku po rinumërohen votat fillimisht të shpallura si të pavlefshme me postë.
“Nuk merrem me kësi, ne kemi fituar, na janë lëshuar me media e me krejt dhe kemi fituar. Këta qen të mediave që kanë shkruar gjithçka, domethënë, s’i marr parasysh… Le të pëlcasin e le të vijnë, le të shohin si bëhet”, ka thënë ai, sipas videove të publikuara në disa portale.
Tash, pse frustrimin ditor të individëve duhet ta “hanë” gazetarët?
***
Derisa Kina vendos që AI të hyjë në funksion në shkolla dhe në kurrikula, që të mësohet nga nxënësit që nga klasa e parë, pa dashur të tërheqë paralele, vetëm sa për t’ju rikujtuar me çfarë humbim kohë ne dhe me çfarë ecën përpara bota, në kryeqytetin tonë ndalen punimet sepse si fillim kanë nisur “krye në vete”!
Projekti 18.4 milionësh është në kundërshtim edhe me Ligjin për Trashëgimi Kulturore.
Komuna e Prishtinës ja la të sapo “zgjidhur kurdelën” e punimeve për sheshin “Xhorxh Bush”. Të hënën, kryetari i kryeqytetit, Përparim Rama, ka promovuar nisjen e punimeve pa marrë pëlqim nga Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve. Punimet në këtë bulevard zhvillohen midis monumenteve si hoteli “Grand”, Rektorati i Universitetit të Prishtinës, Radio-Kosova dhe Biblioteka Kombëtare e Kosovës.
Kjo nuk është hera e parë që komuna hyn në marrëdhënie kontraktuale milionëshe dhe nis punime në kundërshtim me Ligjin për Trashëgimi Kulturore.
Tash, ato kocka të shkatërruara në mes të rrugës – se shesh nuk është hiç – kush e di edhe sa mbesin!
***Kulturë
Prishtina Dance Week është një festival ndërkombëtar i vallëzimit, i cili zgjat pesë ditë për të festuar përvjetorin e 10-të të “Love and Dance Prishtina”. Festivali ka filluar dje, më 12 mars, dhe zgjat deri më 16 mars 2025. Dance Week po mbledhë artistë të ndryshëm ndërkombëtarë dhe lokal për punëtori, shfaqje dhe festa. I themeluar për të ngritur skenën e vallëzimit në Kosovë, festivali ka për qëllim ta prezantojë vallëzimin si një pasion dhe profesion, të thyejë stereotipet dhe të krijojë një platformë të re për shkëmbimin kulturor.
***
Në jetë është një cikël me të cilin është e vështirë të dish se kush dhe çfarë fillon e para. Për mua, ka këtë renditje: të jesh, të dashurosh, të përbish (të mbyllësh sytë, ta marrë era – quaje si të duash këtë pikë), të ndryshosh. Për dikë mund të nisë me “dashurinë”, për dikë me ndryshimin.