Dje n’Kosovë
4 Prill, 2025
Shkruan: Erletë Rrustemi
Kumti i editorëve: Ky artikull është shënuar për t’iu treguar gjendjen tonë emocionale, shpirtërore, politike, financiare, kulturore dhe motoristike bazuar në ngjarjet e vërteta të ditës së djeshme dhe domethënien e tyre për ne! Artikujt janë ditorë dhe bëhen një me ty kur ndajmë përditshmërinë e njëjtë në Kosovën tonë. Paper ndanë me ty!
Mirëmëngjesi i dashur lexues, ja një këshillë e vogël nga unë për sot: ti beson që do ta shijosh ushqimin që zgjedh, edhe pse nuk e njeh shefin e kuzhinës. Ti i beson udhëtimit që ta ofron autobusi edhe pse nuk e njeh shoferin e tij. E pse, në fund të ditës, të mos i besosh vetes dhe potencialit tënd për t’i bërë gjërat e tua, kur kontrolli i plotë është në duart e tua?
***
Çka ndodhi dje gjatë ditës në Kosovë?
Vendimi i presidentit amerikan, Donald Trump për të vendosur një tarifë 10% ndaj Kosovës ndezi menjëherë një sherr mes presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani dhe qeverisë në detyrë. Pa u bërë 24 orë nga lajmi, Osmani kërkoi urgjentisht që tarifa ndaj SHBA-së të hiqej, sepse – sipas saj – Trump s’kishte bërë gjë tjetër veçse kishte zbatuar reciprocitetin që aq shumë e kishim përmendur.
“Sot, zyrtarisht kërkova pezullimin e tarifave për produktet amerikane – si hap për të thelluar lidhjet me aleatin tonë më të ngushtë,” – shkroi Osmani, me një gjuhë që dukej më shumë si letër dashurie sesa si njoftim zyrtar.
Por ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, nuk e la pa koment. Ai i numëroi sekondat mes e-mailit dhe postimit të Osmanit në rrjetet sociale: “E-maili erdhi në 17:39, postimi në X në 17:42 – saktësisht 3 minuta më vonë. Na falni që s’përgjigjemi me shpejtësinë e Twitterit.”
Dhe, për të mos mbetur prapa në këtë ping-pong institucional, këshilltari për media i presidentes, Bekim Kupina, shpërtheu kundër Muratit, duke e përshkruar si njeriun e fundit që mund të flasë për seriozitet – për më tepër, një ministër që ende s’e ka kuptuar se qeverisja nuk mbaron në orën 16:00.
Pra, me pak fjalë: Trump i vuri tarifë Kosovës, Osmani u ngut ta heqë çdo lloj tarife ndaj SHBA-së për të mos e acaruar situatën më shumë, ndërsa qeveria – që s’ishte në dijeni të këtij nxitimi publik – u ndje e anashkaluar.
Qeveri e Facebook-it! Qysh me të marrë seriozisht tani SHBA-ja?
Hajrulla Çeku, ministër në dorëheqje i Kulturës, ka kërkuar “reagim të mirëfilltë” ndërkombëtar pas heqjes së flamurit shtetëror të Kosovës në Kongresin e UEFA-s në Beograd.
Çeku, mes tjerash, ka thënë se nga UEFA presin edhe sqarime, edhe veprime efektive për të adresuar përgjegjësinë për këtë shkelje të rregullave të tyre të brendshme.
***
“Asnjë cent më shumë”, kjo iniciativë qytetare që po e kundërshton me ngulm ngritjen e çmimit të rrymës, e cila u paralajmërua, po kërkon nga çdo biznes që t’i mbyllë lokalet e tyre të shtunën, nga ora 15:00 deri në ora 16:00 – në shenjë solidarizimi me protestën. Ata kanë theksuar se ngritja e çmimit do t’i penalizojë vetë bizneset, prandaj kërkojnë përkrahjen e tyre.
A do të marrësh pjesë, i dashur qytetar?
***
Kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti, ka takuar kryetarin e Partisë Unike Gorane, Adem Hoxha. Sipas ZKM-së, Kurti priti në takim Hoxhën, ku folën për konstituimin e Kuvendit të Kosovës.
Kurti po takohet… po opozita, a po takohet me ndokënd?
***
Janë shumë gjëra në jetë që i kam thënë dikur dhe sot nuk pajtohem me to. Ka gjëra që i kam bërë dikur dhe sot nuk i bëj. Po supozoj se kështu ndodh kur rritesh si person. Nëse edhe ti po ndihesh kështu, lexues, jam me ty!