The sun came up today
10 Prill, 2025
“Mirësia është gjuha që të shurdhërit mund ta dëgjojnë dhe të verbërit mund ta shohin.”
Mark Twain
Në një botë ku shpesh nxitojmë, presim përfitime, ndjejmë nevojën për vetëmbrojtje, ndjemë konkurrencën, të zgjedhësh të jesh i mirë çdo ditë është një akt i heshtur guximi. Sidomos kur mirësia nuk të kthehet. Kjo nuk është thjesht një çështje karakteri – është një qëndrim i vetëdijshëm ndaj botës.
Por çfarë e motivon dikë të zgjedhë mirësinë, kur ajo shpesh mbetet e pa vërejtur apo e pashpërblyer?
1. Përvoja personale dhe empatia
Sipas Harvard Health Publishing, njerëzit që kanë përjetuar dhimbje apo padrejtësi në jetën e tyre kanë më shumë gjasa të zhvillojnë ndjeshmëri për të tjerët dhe të reagojnë me mirësi. Për ta, mirësia është mënyra për të mos e përsëritur ciklin e dhimbjes (Harvard Health).
Empatia është gjithashtu një nxitës i fuqishëm: studime neurologjike kanë treguar se kur ndihmojmë të tjerët, aktivizohen të njëjtat pjesë të trurit që aktivizohen kur përjetojmë kënaqësi fizike (Singer et al., 2004, Neuron Journal).
2. Ndikimi i mjedisit dhe modeleve të hershme
Psikologu Albert Bandura theksonte se sjellja mësohet përmes vëzhgimit dhe shpesh, modelet pozitive që kemi pasur në jetë (prindërit, mësuesit) ndikojnë në mënyrën se si sillemi me të tjerët. Kjo lidhet me konceptin e “modelimit të sjelljes”, që ndihmon në ndërtimin e vlerave afatgjata.
3. Paqja me vetveten dhe vetë-përmbushja
Nga këndvështrimi i psikologut Abraham Maslow, ne të gjithë kemi një nevojë për vetë-aktualizim për të jetuar në përputhje me vlerat tona më të thella. Dhe për shumë njerëz, mirësia është pikërisht një shprehje e kësaj vetë-aktualizimi. Të sillesh mirë me të tjerët është mënyra më e pastër për të qenë në paqe me veten.
Një studim nga University of California, Berkeley tregon se aktet e qëllimshme të mirësisë si t’i mbash derën dikujt apo të japësh një kompliment të sinqertë përmirësojnë ndjeshëm mirëqenien emocionale të individit që i bën, edhe më shumë se të marrësit (Greater Good Science Center).
4. Besimi se çdo akt mirësie ka rëndësi
Edhe nëse nuk e shohim menjëherë ndikimin, çdo akt mirësie krijon “valë” që shpesh i tejkalojnë horizontet tona. Ky është një koncept i theksuar edhe në etikën e filozofëve si Emmanuel Levinas, i cili besonte se përgjegjësia për tjetrin nuk kërkon shpërblim, por buron nga vetë fakti i qenies sonë bashkë në botë.
Në fund, mirësia është zgjedhje jo pasojë.
Të jesh i mirë, edhe kur askush nuk e sheh, nuk është dobësi është një forcë që ndërton. Në një epokë kur indiferenca është e zakonshme, mirësia është revolucion. Dhe ata që e zgjedhin, janë ndoshta njerëzit që mbajnë gjallë shpresën se kjo botë mund të jetë më e butë, më njerëzore, më e drejtë.
Po ti lexues, ku e gjen vetën, në cilën pikë? Çka të motivon?
“Nëse nuk mund të bësh gjëra të mëdha, bëj gjëra të vogla me dashuri të madhe.”
Mother Teresa