Dje n’Kosovë
7 Prill, 2025
Shkruan: Erletë Rrustemi
Kumti i editorëve: Ky artikull është shënuar për t’iu treguar gjendjen tonë emocionale, shpirtërore, politike, financiare, kulturore dhe motoristike bazuar në ngjarjet e vërteta të ditës së djeshme dhe domethënien e tyre për ne! Artikujt janë ditorë dhe bëhen një me ty kur ndajmë përditshmërinë e njëjtë në Kosovën tonë. Paper ndanë me ty!
Të jesh njeri është si të shohësh vizualisht një shtëpi me mysafirë të ndryshëm. Çdo mëngjes vjen një i sapoardhur. Një gëzim, një trishtim, një ligësi edhe ndonjë vetëreflektim i çastit vijnë, të gjithë vijnë si mysafirë të papritur. Mirëpriti dhe argëtoji të gjithë!
Çka ndodhi dje në Kosovë?
“Fundjavë”, veç ka mbetë me i thanë, se kush nuk pushon… as armiku. Më shumë situata po ndodhin në fundjavë se gjatë ditëve të javës.
E kësaj radhe, sa mendojmë që përpara kemi situatën më të rëndësishme – krijimin e institucioneve me udhëheqës të rinj – trrap… del diçka tjetër… humb fokusi.
Le të humbet fokusi, veç le të kemi siguri.
***
Dje, rreth orës 12:00, tri vetura me targa serbe, në të cilat ndodheshin 12 persona – shtetas të Serbisë – janë ndaluar te ura e “Arastës”.
Sipas të dhënave fillestare, dyshohet se këto grupe kishin për qëllim mbledhjen e informacioneve për caqe të mundshme, pasi janë gjetur dëshmi të ndërlidhjes me strukturat e inteligjencës ushtarake serbe, si dhe me anëtarë të grupit terrorist të Banjskës.
Grupi i parë, i përbërë nga katër persona, u ndalua në Gjakovë. Gjatë kontrollit të automjetit u gjetën: fotografi me hartën e Republikës së Kosovës, fotografi të terroristëve të vrarë gjatë sulmit në Banjskë, dy thika, një sëpatë dhe një dritë rotative.
Me vendim të prokurorit, personat janë ndaluar për 48 orë, ka njoftuar ministri i Brendshëm në detyrë, Xhelal Sveçla.
Grupi i dytë, me 12 persona, është ndaluar në Prizren, teksa po strehoheshin në Seminarin Ortodoks të Bogosllavisë. Edhe në këtë grup ishin dy oficerë aktivë të shërbimeve të sigurisë serbe.
***
Drejtori Rajonal i Policisë në Gjakovë, Lumni Graishta, përmes një postimi në “Facebook”, është shprehur krenar për parandalimin e një sulmi nga Policia e Kosovës, gjegjësisht nga ata që veprojnë në territorin e Gjakovës.
***
Sigurisht se nuk mund të mungonte një reagim propagandues nga presidenti serb Aleksandër Vuçiq, lidhur me arrestimin në Gjakovë e Prizren të personave të dyshuar.
“Vetëm sot në Kosovë janë arrestuar 16 persona nga Serbia qendrore, të cilët po shkonin për të vizituar seminarin dhe manastiret tona në afërsi të Prizrenit”, ka thënë Vuçiq, sipas raportimit të mediave serbe.
Sipas tij, ka “terror të vazhdueshëm” ndaj serbëve të Kosovës, ndërsa shton se “bota po hesht”.
Bota po hesht pas sulmit të Banjskës, i nderuar Vuçiq, edhe pse provat dhe raportet kanë mjaftueshëm dëshmi për organizuesit e këtij sulmi.
Fatkeqësisht, është dëshmuar se manastiret dhe të ashtuquajturit pelegrinë janë përdorur vazhdimisht nga ana serbe për të kamufluar sulmet ndaj një vendi të pavarur.
***
Dje gjatë ditës, në një mbledhje urgjente të Këshillit të Sigurisë së Kosovës, të thirrur nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti, u tha se Serbia po ndërmerr hapa konkret për të sabotuar formimin e institucioneve të reja të legjislaturës së nëntë, përmes ndërhyrjeve direkte dhe presioneve të shumta ndaj përfaqësuesve të komuniteteve joshumicë e joserbe.
Ky nuk është thjesht një sulm është një rikujtim i deklaratave parazgjedhore: a nuk u tha se ishte zbehur prania e elementeve të Beogradit në Kosovë? Pse tani, në një prej situatave më të rëndësishme, Beogradi po ndërhyn?
***
Mirëpriti edhe nëse janë turma pikëllimesh, që e zbrazin shtëpinë tënde nga orenditë prap, priti me mirësi. Mendimet e errëta, turpin, ligësinë, priti duke buzëqeshur dhe thuaj “ejani brenda”. Ji mirënjohës për çdo vizitor, sepse secili prej tyre është dërguar si udhërrëfyes nga përtej.