Live Stories from Prishtina

LIVE

January 30, 2023

Note: Ky blog është krijuar për t’iu ofruar juve një këndvështrim të sinqertë rreth temave të caktuara, duke filluar nga librat dhe kultura, e deri tek mendimet dhe qëndrimet tona. Çfarëdo që të duket personale, mos e konsidero të tillë. Disa janë të bazuara në eksperienca personale, disa në vlerësime filozofike e psikologjike, e disa të tjera në evidencë. Ideja është që të mësosh diçka nga përvojat tona dhe pse jo të të gjenden ndonjëherë në jetë. No hard feelings. It’s all based on a true story. Paper Team.

Dashuria e tyre “will tear you apart”. Do t’iu duhen vetëm pak sekonda që ta kuptoni kiminë që shkëmbejnë mes vete Marianne dhe Connell.

“Normal People” është një novelë, e shkruar nga shkrimtarja Sally Rooney, e cila u publikua në vitin 2018 dhe që nuk iu desh shumë kohë të hyjë në zemrat e miliona të rinjëve.

Libri cilësohet si prodhim nga “një mendje e ndritur”, e cila teston kufijtë se si duam, sa jemi në gjendje të duam, sa jemi në gjendje të funksionojmë brenda strukturave që na kanë mësuar dhe refuzimi që marrim kundrejt dëshirës tonë. 

E dashuroj shpjegimin që dhuron ky libër. Jo rastësisht është shitur më
shumë se tre milionë kopje në mbarë botën, dhe u vlerësua nga shumë njerëz, përfshirë Barack Obama dhe Taylor Swift.

Suksesin e madh që ndoqi libri, bëri BBC-n dhe platformën e filmave Hulu të mendojnë për një adaptim të librit në serial. Ani pse libri gërshetonte një histori “tejet të përdorur”, prezenca e një kasti të aktorëve si Daisy Edgar-Jones dhe Paul Mescal, i dha suksesin e garantuar edhe serialit.

Përtej emocioneve të fuqishme që ky serial melankolik 12 episodësh, me nga 30 minuta paraqet, po ashtu, ai ka të bëjë me një të vërtetë: “procesin kur ti heq dorë nga personi që ishe për t’u bërë personi që je tani”.

I vendosur në Irlandë në vitin 2010, “Normal People”, na prezanton me historinë e dy klasorëve Marianne, e cila vjen nga një familje e pasur, dhe Connell, nëna e të cilit përkujdeset për shtëpinë e familjes së Marianne. Dinamika e tyre zhvillohet rreth personazhit sarkastik, të ditur, mbyllur dhe anti-social të Marianne, dhe Connell – djalit të sporteve, tërheqës dhe i dashur nga shoqëria, por i qetë.

E përbashkëta e tyre është tërheqja e menjëhershme dhe inteligjenca e mprehtë, e cila i bën ata të kuptojnë se mund të flasin me njëri-tjetrin si me asnjë njeri tjetër.

Çka më bëri mua të shkruaj për këtë serial është realiteti që transmeton. Ky serial prezanton saktësisht momentin se si ndihesh kur e pëlqen dikë, momentin kur ndan gjërat, emocionet dhe besimin që fiton. Qetësinë mes momenteve të cilat nuk zhvillohen me dinamikë dhe gjithmonë me diçka që rrjedh si në serialet tjera, fokusin tek personazhet kryesore (ku autori ka sy vetëm për ta), dhe ngjyrat e filmit (që dikush mund t’i shohë si të zymta).

Filmi zbulon pasiguritë e Connell si adoleshent ndaj paragjykimit që mund të marrë nga rrethi dhe vetëvlerësimi i Marianne, së cilës i shkatërrohet nga familja e saj. Në marrëdhënien e tyre, të dy palët kanë diçka që tjetri dëshiron dhe i mungon: në njërën anë dashamirësia e Connell dhe në anën tjetër vendosmëria dhe ndershmëria e guximshme e Marianne.

Një ‘red flag’, të cilin Connell e shfaq në fillim të marrëdhënies së tyre, rezulton të jetë edhe shkak lëndues që jehon në lidhjen e tyre për vite me radhë.
Shkëputja nga njëri-tjetri sjellë një kohë më vonë ritakimin e tyre i cili do të jetë po aq tundues sa fillimi i lidhjes.

“Normal People” është diçka e veçantë, një romancë komplekse adoleshente që kap thelbin sesi dashuria mund të jetë një lloj rivaliteti, pa e detyruar publikun të jetë “Team Marianne” apo “Team Connell”.