Dje n’Kosovë / foto: Nita Meqa
25 Korrik, 2025
Shkruan: Erletë Rrustemi
Kumti i editorëve: Ky artikull është shënuar për t’iu treguar gjendjen tonë emocionale, shpirtërore, politike, financiare, kulturore dhe motoristike bazuar në ngjarjet e vërteta të ditëve të shkuara dhe domethënien e tyre për ne! Artikulli është përmbledhje javore me lajme që kryesuan javë dhe bëhen një me ty kur ndajmë lajmet e njëjta në Kosovën tonë. Paper ndanë me ty!
Sot mu kujtua dicka, një post ku tregonte se çka përcjellte tatuja e Anthony Bourdain në dorë që thotë: “Nuk jam i sigurt për asgjë.” Për të, kjo fjali ishte forcë, një mënyrë shumë e mirë për të jetuar. Ai e donte ndjesinë kur shkon diku me pritshmëri të gabuara, me paragjykime të padukshme dhe pastaj përballej me të vërtetën në mënyrë të dhimbshme e ndonjëherë edhe të turpshme. Por pikërisht aty ndodh rritja, kur e pranon që ke gabuar dhe mëson diçka të re për botën… dhe për veten.
Çka ndodhi dje në Kosovë, ku secila ditë supozohet të sjellë një mësim për ata që marrin e së fundi s’po marrin vendime?
Javën e kaluar Bosnjë-Hercegovina humbi 100 milionë euro nga Plani i Rritjes i BE-së, si pasojë e ngërçit politik. Çfarë i ndodhi javën e kaluar Bosnjës është paralajmërim për Kosovën: Ata që performojnë do të shpërblehen, ata që ngecin do të penalizohen.
Përmes Planit të Rritjes për Ballkanin Perendimor, ideja ishte që në shkëmbim të disa reformave evropiane vendet e rajonit të shpërbleheshin me një pako financiare.
Në mënyrë që vendet të kualifikohen për këto para, ato duhet të përmbushin një listë të reformave në periudhën 2025-2027. Kësisoj, Serbia premtoi se do të realizojë 98 reforma në katër fusha prioritare: (1) mjedisi biznesor dhe zhvillimi i sektorit privat, (2) tranzicioni i gjelbër dhe digjital, (3) kapitali njerëzor dhe (4) sundimi i ligjit. Shqipëria premtoi se do të realizojë 141 reforma në pesë fusha prioritare: (1) mjedisi biznesor dhe zhvillimi i sektorit privat, (2) kapitali njerëzor, (3) tranzicioni i gjelbër dhe digjital, (4) sundimi i ligjit dhe (5) menaxhimi i financave publike.
Kosova premtoi se do të realizojë 30 reforma në pesë fusha prioritare: (1) qeverisja e mirë, (2) tranzicioni i gjelbër dhe digjital, (3) mjedisi biznesor dhe zhvillimi i sektorit privat, (4) kapitali njerëzor dhe (5) sundimi i ligjit.
Ndonëse Kosova ka dorëzuar agjendën e saj të reformave, ajo ende nuk ka arritur t’i ratifikojë instrumentet ligjore të nevojshme për funksionalizimin e programit të rritjes, si pasojë e moskonstituimit të institucioneve të reja.
***
E sot nuk e di a po mbledhen për një dështim të ri apo për me dëgju edhe njëherë emrin e Albulena Haxhiut? Për pak, nga ora 11:00 deputetët do të mblidhen për të 52-ën herë në sallën e Kuvendit në përpjekje për konstituimin e këtij institucioni. Do të jetë seanca e fundit para skadimit të afatit kushtetues. Këtë herë do të marrin pjesë edhe ambasadorët e vendeve të huaja në Kosovë.
Pas kësaj dite, deputetëve u ndalohet çdo vendim dhe veprim në drejtim të konstituimit, sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese të publikuar më 24 korrik. Kjo gjykatë ka vendosur masë të përkohshme që e përcakton ndalesën nga 27 korriku deri më 8 gusht.
Në vendimin e saj, Gjykata konsideron që nëse nuk vendoset masa e përkohshme ex officio ndaj vendimeve dhe veprimeve të deputetëve të zgjedhur të Kuvendit të Republikës së Kosovës pas datës 27 korrik 2025, çdo vendim dhe veprim i ndërmarrë pas kësaj date deri në vendimmarrjen e Gjykatës lidhur me kërkesat mund të shkaktojë dëme të pariparueshme për rendin kushtetues të Republikës së Kosovës dhe funksionimin e institucioneve kyçe në Republikën e Kosovës.
Hajër ishalla çka me thanë!!!
***
Në Festivalin e Filmit në Sarajevë, i cili prej sivjet është edhe kualifikues për çmimin prestigjioz “Oscar”, Kosova ka përfaqësim të trefishtë në tri kategori të ndryshme: në kategorinë e filmit të gjatë, si bashkëprodhuese e filmit malazias “Vidra”, e me përfaqësim të plotë, me “Mua besoj më shpëtoi portreti”, nën regji të Alban Mujës dhe “Sytë e Bernës”, nën regji të Ermal Gërdovcit me skenar të Patrik Lekajt. Janë zgjedhur në mesin e mbi një mijë filmave.
***
Do të kalojë. Çdo gjë kalon. E mira që të duket sikur do të zgjasë përgjithmonë, do të kalojë. Dhimbja që të rëndon shpirtin, edhe ajo do të kalojë. Edhe pasiguria, frika, pritja, ajo ndjenja që nuk di çfarë vjen, nesër të gjitha kalojnë. Jepi vetes një moment. Merr frymë thellë.