Live Stories from Prishtina

LIVE

26 Qershor, 2025

Shkruan: Erletë Rrustemi

 

Kumti i editorëve: Ky artikull është shënuar për t’iu treguar gjendjen tonë emocionale, shpirtërore, politike, financiare, kulturore dhe motoristike bazuar në ngjarjet e vërteta të ditëve të shkuara dhe domethënien e tyre për ne! Artikujt janë ditorë dhe bëhen një me ty kur ndajmë përditshmërinë e njëjtë në Kosovën tonë. Paper ndanë me ty!

Sa ironike është gjithçka lexues, në jetë nëse nuk merr atë që dëshiron, vuan; nëse merr atë që nuk dëshiron, përsëri vuan; edhe kur merr pikërisht atë që dëshiron, prap vuan, sepse nuk mund ta mbash përgjithmonë. Mendja jote është burimi i kësaj vuajtjeje. Ajo dëshiron të jetë e lirë nga ndryshimi, e lirë nga dhimbja, e lirë nga detyrimet e jetës dhe vdekjes. Por ndryshimi është ligj dhe asnjë sasi vetëmashtrimi nuk do ta ndryshojë këtë realitet.

Çka ndodhi të mërkurën e 25 qershorit në Kosovë?

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka nënshkruar urdhërin ekzekutiv që vazhdon përtej 26 qershorit, lidhur me gjendjen e jashtëzakonshme kombëtare për Ballkanin Perëndimor, e vendosur që në vitin 2001. Në njoftimin e botuar në Regjistrin Federal më 24 qershor thuhet se situata në Ballkan vazhdon të paraqes kërcënim për sigurinë kombëtare dhe politikën e jashtme të SHBA-së.

A po e vendos Trump raportin e Kosovës me  Serbinë në të njëjtin kornizim me përpjekjet për paqe ndërmjet Iranit dhe Izraelit, Indisë dhe Pakistanit, apo Egjiptit dhe Etiopisë?

Çfarë zgjidhje presim për dikë që e ka situatë të jashtëzakonshme?

Apo emri ynë veç është ma i lehtë për t’u përdorur?

***
Tirana në mënyrë unanime është zgjedhur nikoqire e Samitit të NATO-s për vitin 2027, dje gjatë samitit ku u aprovua funksionalizimi i 5% të PBB-së për vendet anëtare!

Kjo nuk është për të tërhequr paralele krahasimi, por vetëm sa për të vënë në theks me çka merret Shqipëria e nëpër të satin dështim të konstituimit kalon kuvendi jonë. 37 fu*ing 37, veç duke numëru lodhesh.

***

Përfaqësuesit e odave ekonomike i kanë drejtuar një letër kryeministrit në detyrë, Albin Kurtit me kërkesën për marrjen e masave për të ulur koston e energjisë elektrike për bizneset. Kërkohet po ashtu edhe anulimi i njoftimit të ZRRE-së për daljen në treg të hapur. Edhe Oda Amerikane e Kosovës ka shprehur shqetësim lidhur me mënyrën se si po zbatohet liberalizimi i tregut të energjisë nga ZRRE-ja.

E Gjykata Komerciale ka bërë të ditur se ka në shqyrtim 10 padi të ushtruara kundër ZRRE-së për çështjen e tregut të hapur energjetik.

Ajo ka njoftuar se deri më tani ka marrë vendim për 4 raste, por nuk ka treguar për mënyrën e vendosjes për secilën prej tyre, deri në pranim të dëshmisë nga pala në procedurë.

Në ZRRE të martën thanë se fjala është për raste individuale që ka të bëjë me kriteret për furnizim me energji elektrike në kuadër të shërbimit universal dhe se aktvendimi nuk nënkupton pezullimin e të gjithë procesit të liberalizimit të tregut.

Nga 1 qershori, bizneset me qarkullim prej mbi 10 milionë eurosh ose me mbi 50 punëtorë janë të detyruara të zgjedhin vetë furnizuesit për energji.

***

Revista “Me Diell” e ka zëvendësu vendin e gazetave dhe revistave të printume në Kosovë. Kjo republika jonë e vockël osht ndoshta shteti i vetëm në botë që sot s’ka gazeta ditore. S’ka as periodik javor e mujor, por “Me Diell” synon që së paku 4 herë në vjet me i sjellë publikut qejfin e shfletimit dhe leximit të tekstit në letër, tu pi një kafe. Numri i katërt ka dalë në shitje dhe ju fton për sesion të slow reading. Ka recensione librash, rekomandime verërash kosovare, reportazhe nga Gjakova e Peja, dedikim të posaçëm artit të Gani Llalloshit, shtojcë poetike të Mimoza Ahmetit me ilustrime të Rina Metës. Revistën e gjeni në Dukagjin dhe Soma.

***

Sa për fund të këtij artikulli, e fillim të kësaj dite për ty; ka një ndjesi të thellë kënaqësie në ruajtjen e diçkaje për veten, qoftë edhe një vend ku shkojmë ose një emër që e mbajmë për vete. Në një botë të tejngarkuar me ndarje të çdo detaji personal, fshehtësia bëhet një formë e bukur e rebelimit. Jeta është më e bukur kur bëhet romantizimi i përditshmërisë, jo përmes madhështisë, por përmes misterit.