Live Stories from Prishtina

LIVE

27 Janar, 2026

Shkruan: Erletë Rrustemi

 

Kumti i editorëve: Ky artikull është shënuar për t’iu treguar gjendjen tonë emocionale, shpirtërore, politike, financiare, kulturore dhe motoristike bazuar në ngjarjet e vërteta të ditëve të shkuara dhe domethënien e tyre për ne! Artikulli është përmbledhje e ditës me lajme që kryesuan ditën dhe bëhen një me ty kur ndajmë lajmet e njëjta në Kosovën tonë. Paper ndanë me ty!

I/e dashur lexues/e, është njëfarë fjalie që e thojmë si me zhargon, ndoshta edhe ti e ke dëgju, shkon qishtu diçka: “bohet mirë, nëse ti bohesh mirë”!  (lexo edhe njëherë)

Çka ndodhi dje n’Kosovë?

109 persona u arrestuan për manipulim votash, por asnjë kandidat për deputet. Pra, votat u vodhën, u zhvendosën, u rishkruan, por çuditërisht, askush që përfitoi drejtpërdrejt nuk ishte aty për t’u marrë në pyetje.

Në qendër të skandalit doli emri i Fetah Paçarizit, ish-drejtor i Teatrit të Prizrenit, të cilit iu “dhuruan” mbi 6.700 vota dhe prap nuk e fitoj ulësen për Kuvendin e Kosovës, kanë thanë “qysh ja bon vetes, s’ta bon kërkush tjetër”.

E ky i fundit, po thotë se nuk dinte gjë, madje as nuk është intervistuar. Prokuroria ndërkohë po deklaron se kandidatët nuk do të amnistohen, por po thojnë se edhe hetimet janë “në fazë të hershme”.

Tek ne, “faza e hershme” shpesh zgjat sa një mandat.

Mes të arrestuarve janë familjarë kandidatësh, të cilët pranuan se nuk i respektuan rregullat e numërimit. Disa thanë se nuk i njihnin rregullat, disa se nuk dinin të numëronin pasi nuk ishin trajnuar, e disa të tjerë se kryesuesi i lejoi të gjithë të bënin gjithçka.

Kanë mendu se meqenëse zgjedhjet mbahen në shkolla, edhe gabimet e tyre fshihen si në kohën kur kanë qenë me klasorët, shkruan diçka me laps e pastaj i mëshon gomë. Jo, jo… “nuk shkon gjithmonë kungulli mbi ujë”.

Ndërkohë që rinumërimi në Prizren zbuloi manipulim masiv, madje edhe fletëvotime të mbushura në hapësira boshe, KQZ vendosi rinumërim edhe në qytete të tjera, sepse nëse ka ndodhur njëherë, ka ndodhur edhe plot herë.

***

Në mes të gjith kësaj mjegulle politike, dje pati edhe një lajm që ta ngrohë zemrën, një i moshuar rreth 85 vjeç u shpëtua nga bodrumi i një shtëpie të zbrazët në Kamenicë.

Zjarrfikësit, policia dhe mjekët bën atë që institucionet shpesh harrojnë, punuan së bashku dhe e nxorën njeriun të sigurt. Këto janë fitoret njerëzore që duhet t’u gëzohemi.

***

Kryetari i Obiliqit e ka nisur fuqishëm 2026-ën, njëherë me pagë mujore për familjet që adaptojnë fëmijë, e tash 200 euro gjobë për qytetarët dhe 1000 euro për bizneset që ndotin hapësirat publike.

Vendimi hyn në fuqi më 15 shkurt. Mbetet të shihet nëse do të ndëshkohet ndotja reale apo vetëm ajo pa lidhje politike.

***

Në Prishtinë, komuna ndau një tender prej 950 mijë eurosh për mbeturinat, përmes procedurës së negociuar pa publikim.

Boll u bo ma me problemet me bërllog, hajde me zgjidhje.

Bile kryeqyteti po na bëhet edhe me paisje të reja të semaforëve për zonat si Tophanen, Dodonën, Ulpianën, Bregun e Diellit, Dardaninë dhe Lakrishten, si dhe Zona 2, Kodra e Trimave.

Pra kontrata për këtë realizim është 500 mijë euro, por vlera që do të shpenzohet është 497 mijë euro.

***

Semaforët vendosen që t’i mësojnë qytetarët të ndalen në të kuqe, vendosen me qëllim që të vihet njëfarë rendi, rregulli. Po ti i/e dashur lexues/e, në jetën personale a ke semafora, a ke rregulla të pashkruara që i vendose se “ashtu duhet”, a ke një semafor që i tregon njerëzve të tjerë në jetën tënde se kur duhet të ndalen, presin, të bëhen gati? Ndoshta një ditë edhe institucionet tona i mësojnë rregullat e pashkruara, respektimin e radhës, rendit, ligjit.