Dje n’Kosovë / foto: Labinot Haziraj
28 Maj, 2025
Shkruan: Erletë Rrustemi
Kumti i editorëve: Ky artikull është shënuar për t’iu treguar gjendjen tonë emocionale, shpirtërore, politike, financiare, kulturore dhe motoristike bazuar në ngjarjet e vërteta të ditës së djeshme dhe domethënien e tyre për ne! Artikujt janë ditorë dhe bëhen një me ty kur ndajmë përditshmërinë e njëjtë në Kosovën tonë. Paper ndanë me ty!
Jam duke kuptuar më në fund se duhet t’i lë gjërat të rrjedhin dhe të mos mundohem aq shumë t’i detyroj të ndodhin. Nëse janë të destinuara të ndodhin në jetën time, ato thjeshtë do të ndodhin.
Çka ndodhi dje në Kosovë?
Në vitin 2021 në një prej komisioneve për raportim kur pati ndodhur një përballje mes Faton Pecit dhe opozitës për çështje të korrupsionit, ministri tashmë në detyrë i Bujqësisë deklarohej me “unë i dal me gjoks!”. A do t’ia dal me të vërtetë me gjoks sot Faton Peci?
Një kontratë për të cilën prokuroria e bastisi Ministrinë e Bujqësisë dhe e intervistoi për pesë orë, në cilësinë e të dyshuarit dhe e liroi për tu mbrojtur në procedur të rregullt Faton Pecin, ishte lajmi që e përshkroi ditën e djeshme në Kosovën tonë të dashur.
Po për çka bëhet fjalë?
Thënë të drejtën merita i takon gazetarit Lirim Mehmetaj, i cili “me gjoks” e shtyu përpara këtë çështje.
Ministri Peci është akuzuar se ka bërë shkelje të Ligjit për pronë publike, pasi që, pa ankand publik, ja ka dhënë pronën publike me qira për 20 vjet një kompanie për fabrikë të mbetjeve shtazore.
Sipas kontratës, kompania fituese do të subvencionohet për çdo kilogram të mbetjeve shtazore që ajo i trajton.
Ta sqarojmë një pjesë: arsyeja pse Faton Peci është liruar me procedurë të rregullt, ka të bëj me faktin që tashmë provat janë të siguruara dhe nuk mund të dëmtohen tutje, rrjedhimisht nuk ka arsyeje që të mbahet në paraburgim, por procesi po vazhdon të hetohet publikisht.
Ky sistemi me kundërpërgjigje nga pushteti aktual, që kur ndërhynë prokuroria të cilësohet si inicim nga ish-partitë e tjera, (çysh e tha edhe Donika Gërvalla)… e nëse e liron prokuroria deklaratat që “a pe sheh edhe prokuroria tha që është i pafajshëm”, si dhe nëse e dënon prokuroria cilësimi se “ky është dënim politik”, është një lojë e gatshme që e kemi mësuar tashmë.
***
Në një univers paralel, atë të numerologjisë dhe librave të shenjtë, numri 22 është mbret. Në numerologji, ai është “master builder”, një superfuqi që shndërron ëndrrat në realitet. Në Bibël, 22-shi lidhet me rendin hyjnor ndërsa Kurani nuk e lartëson si një numër të shenjtë si 19-shi, por e përshkruan një sure, që flet për ankthin e atyre që janë në ferr dhe pamundësinë e tyre për t’i shpëtuar.
Por le të zbresim në tokë, më saktësisht në tokën e Kuvendit të Kosovës, ku veç për deputetët tanë nuk ka pikë kuptimi.
Dje dështoi edhe seanca e 22-të për konstituim të Kuvendit, deputetët tanë duket se kanë vendosur ta poshtërojnë këtë numër duke thelluar ngërçin politik që ka zgjatur mbi tre muaj pas zgjedhjeve të 9 shkurtit.
Në këtë seancë, 109 deputetë morën pjesë, por vetëm 54 votuan për krijimin e komisionit për votim të fshehtë për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, një votë ishte kundër dhe nuk pati asnjë abstenim. Megjithatë, mungesa e kuorumit të nevojshëm pengoi finalizimin e procesit.
***
Rona Nishliu dhe Gent Rushi po sjellin JALBOZ, një seri koncertesh që synojnë të riinterpretojnë këngët nga Shkodra, Tirana dhe Korça përmes xhazit dhe improvizimit muzikor. Një super koncept me super performues. Organizatorët patën premtuar “një udhëtim muzikor që lidh të kaluarën me të tashmen, për të sjellë një frymë të re në skenën shqiptare.”
Koncertet po mbahen në kuadër të Javës së Evropës në Shqipëri: më 27 maj, dje në Teatrin Migjeni, Shkodër; më 28 maj në Teatrin “Andon Zako Çajupi”, Korçë dhe mbyllen më 29 maj në Black Box, Tiranë. Hyrja është falas.
***
Universi mund të jetë i ashpër me ty tani, por shpresoj që të mbetesh i/e butë me veten dhe të mos harrosh të pushosh. Po ia del mirë, si gjithmonë edhe kjo fazë do të kalojë.