Dje n’Kosovë
12 Dhjetor, 2024
Shkruan: Erletë Rrustemi
Kumti i editorëve: Ky artikull është shënuar për t’iu treguar gjendjen tonë emocionale, shpirtërore, politike, financiare, kulturore dhe motoristike bazuar në ngjarjet e vërteta të ditës së djeshme dhe domethënien e tyre për ne! Artikujt janë ditorë dhe bëhen një me ty kur ndajmë përditshmërinë e njëjtë në Kosovën tonë. Paper ndanë me ty!
Të zgjohesh në mëngjes dhe ta jetosh ditën duke shijuar çdo moment është kënaqësi e veçantë. Mirëpo, jo çdokush di ta shijojë këtë mënyrë jetese, duke harruar për disa çaste problemet e përditshme, të cilat, më besoni, nuk zgjidhen duke i menduar shumë.
Andaj, ja çfarë ndodhi dje në Kosovë: pavarësisht çdo ngjarjeje, prapëseprapë sot është një ditë e re, qoftë për përmirësime të gabimeve apo edhe për përballje me pasojat që në ditët në vijim do të zgjidhen.
***
Mbrëmë Kosova u godit nga një tërmet, i cili u ndje rreth orës 2 të mëngjesit.
Bëhet fjalë për një tërmet me magnitudë 4.2, që ka prekur Kosovën, Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.
Sipas të dhënave nga earthquake.usgs.gov, dridhjet më të forta janë ndjerë kryesisht në Dragash dhe Prizren.
***
Dje, kryeministri Albin Kurti u ftua nga Prokuroria Speciale, për arsye ende të panjohura.
A ishte kjo ftesë shkaku që Lëvizja Vetëvendosje, pak minuta para mesnatës, dorëzoi listën e saj të kandidatëve? A po përdoret kjo ftesë nga prokuroria nga qeveria për viktimizim, me synimin për ta kapitalizuar në zgjedhje?
Nëse gjatë gjithë kësaj kohe qeveria ka pasur aludime, sulme dhe etiketime të vazhdueshme ndaj Prokurorisë dhe gjykatave, përfshirë atë Kushtetuese, duke thënë se nuk po i lejojnë të bëjë reforma, natyrisht që një opsion i tillë paragjykimi do të ekzistojë.
Ndoshta edhe ky viktimizim, që është përhapur nga vetë qeveria si pengesë në dorëzimin e listës, kishte një arsye tjetër, p.sh. mbledhjen e kandidatëve dhe arritjen e një konkluzioni se kush duhet të jetë dhe kush jo në listën e VV-së dhe Guxo. Pse nuk ishte Liburn Aliu? A mos vallë aktakuzat e ngritura ndaj tij për rastin me ambalazhet e ujit do të shkaktonin një përsëritje hipotetike të vitit 2021, kur qeveria u rrëzua për shkak të Etem Arifit?
***
Sidoqoftë, pavarësisht vështirësive të paraqitura, partitë gjetën rrugën për të dorëzuar listat e tyre me kandidatët.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka njoftuar se për certifikim në zgjedhje kanë aplikuar 28 subjekte politike. Sipas KQZ-së, prej tyre janë 20 parti politike, 5 koalicione, 2 iniciativa qytetare dhe 1 kandidat i pavarur.
Por, a nuk është kjo një mënyrë manipulimi që po përdorin partitë, duke kandiduar kryetarët e disa komunave për deputetë vetëm për të grumbulluar më shumë vota? Kur e dimë nga herët e kaluara se ata e lirojnë pozitën e deputetit sepse mbajnë postet e tyre në komunat përkatëse.
Le të marrim një shembull: nëse Imri Ahmeti nga LDK, kryetar aktual i komunës së Lipjanit, dhe tani edhe kandidat me numrin 7 në listën e kësaj partie, fiton votat për deputet, a do të vazhdojë si i tillë?
Suksese garës…
***Kulturë
Aktorët një muaj në grevë!
Institucioni, që sipas Ligjit për Teatro dhe Statutit duhet të ketë së paku 30 aktorë në ansamblin rezident, aktualisht numëron vetëm 22. TKK-ja ka kohë që i është drejtuar MKRS-së me kërkesa për konkurs për të plotësuar vendet bosh. Sivjet MKRS-ja ka mundësuar konkurs për katër pozita. Për të tjerat, s’ka vende të lira në listën e pagave.
***
“Ëmbëlsia e të mosbërit asgjë” ndan filozofinë e shijimit të momenteve të vogla, duke përfshirë sugjerime dhe këshilla për t’ju ndihmuar të hiqni dorë nga ankthi dhe të shijoni momentet e çmuara të jetës, veçanërisht duke jetuar të tashmen.