Live Stories from Prishtina

LIVE

September 23, 2024

Shkruan: Erletë Rrustemi

 

Kumti i editorëve: Ky artikull është shënuar për t’iu treguar gjendjen tonë emocionale, shpirtërore, politike, financiare, kulturore dhe motoristike bazuar në ngjarjet e vërteta të ditës së djeshme dhe domethënien e tyre për ne! Artikujt janë ditorë dhe bëhen një me ty kur ndajmë përditshmërinë e njëjtë në Kosovën tonë. Paper ndan me ty!

Dëgjova një herë të thonë: “Mos lër asgjë për më vonë”. Më vonë, njerëzit rriten! Më vonë, fjalët mbeten të pathëna! Më vonë, do të humbasësh interesin! Më vonë, ditët do të shndërrohen në natë!

“E keni parë dje Vjosa Osmanin në West Point teksa ushtarët amerikanë thërrisnin “Kosova, Kosova, Kosova”, gjë që nuk është shumë e këndshme për ne serbët ta shohim. Por mirë, ne jemi mësuar me shumë gjëra të tilla. Vetëm jini të qetë, të durueshëm dhe tolerantë”, ka thënë presidenti serb, Aleksandar Vuçiq. Presidentja e vendit tonë, Vjosa Osmani, po qëndron në Nju Jork ku po zhvillohen punimet e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së. Sa e vështirë duhet të jetë të jesh kaq manipulues si presidenti serb? Si ka mundësi që e shqetëson fakti që ushtarët tanë trajnohen nga personeli anglez, amerikan e turk, duke tentuar të nënvlerësojë forcat tona dhe njëkohësisht ta kthejë situatën në favorin e vet, duke viktimizuar serbët e veriut me fjalët: “Nuk është diçka që mund ta kërcënojë ushtrinë serbe, por nuk ka dyshim se mund të kërcënojë mbijetesën e serbëve në Kosovë”! Sa absurde që Perëndimi apo Amerika të tolerojnë teket e Serbisë dyfytyrëshe!


Në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, në Samitin për të Ardhmen, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, është shprehur se vendet ndodhen “buzë një rreziku të jashtëzakonshëm, ku askush s’është i sigurt”.
Rama ka përmendur luftën mes Rusisë dhe Ukrainës, duke thënë se kjo situatë në Evropë rrezikon edhe shtete të tjera, “pavarësisht pozitës gjeografike, madhësisë apo fuqisë”. Aq jemi mësuar me konfliktin verbal mes Kosovës dhe Serbisë, sa që shpesh harrojmë që edhe Shqipëria dhe vendet e tjera ndajmë rajonin e njëjtë, që për nga pozita gjeografike është po aq kërcënuese. Çka nëse diplomacia e Kurtit do të ishte e ngjashme me të Ramës? A do të kishte një vend për anëtarësim edhe për Kosovën në OKB?
Ideja e fundit e Ramës për formimin e një mini-shteti në Shqipëri, Tiranë, për bektashinjtë, njësoj si Vatikani në Romë, për të cilën tregoi në NYT Magazine, do ta bëjë Shqipërinë vendin e parë që krijon shtetin më të vogël në botë dhe të parin me religjion zyrtar mysliman. Çfarë zhvillimesh interesante!


Dje në Pallatin e Kulturës “Asim Vokshi” në Gjakovë nisi festivali i teatrove “Gjakovart”, ku po marrin pjesë gjashtë trupa teatrale nga Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut.
Festivali nisi me shfaqjen e trupës teatrale të Tetovës “Dredhitë e Patukut”, me regji të Kushtrim Bekteshit, ndërsa pjesë e festivalit do të jenë edhe trupa teatrale “Integra” nga Prishtina, teatri “Adriana” nga Ferizaj, teatri “Andon Zako Çajupi” nga Korça, teatri i qytetit të Gjilanit dhe teatri “Bekim Fehmiu” nga Prizreni. “Gjakovart” përfundon më 27 shtator.


Më parë kam menduar se nuk do të humbisja asgjë nëse do të fotografoja gjithçka. Sot, fotot më tregojnë sa shumë kam humbur. Shijojeni çdo moment, lexues.