Arkiva
16 Shtator, 2024
Shkruan: Erletë Rrustemi
Kumti i editorëve: Ky artikull është shënuar për t’iu treguar gjendjen tonë emocionale, shpirtërore, politike, financiare, kulturore dhe motoristike bazuar në ngjarjet e vërteta të ditës së djeshme dhe domethënien e tyre për ne! Artikujt janë ditorë dhe bëhen një me ty kur ndajmë përditshmërinë e njëjtë në Kosovën tonë. Paper ndan me ty!
Mirmëngjesi i dashur lexues! E kam një ndjenjë që sot ke nevojë ta lexosh këtë që në fillim të ditës: nëse po mendon që nuk je duke lëvizur tutje prej çkado që je duke kaluar dhe përjetuar, vetëm mbaj mend që kështu je ndjerë edhe para 2 muajve, 6 muajve apo para 1 viti për krejtësisht diçka tjetër dhe nuk mendove që do ta kaloje!
***
BE analizon agjendën e reformave të vendeve të Ballkanit para pagesave të para, mbi 800 milionë euro në pyetje për Kosovën. Përmes Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor, Bashkimi Evropian planifikon të ndajë rreth 6 miliardë euro për vendet e këtij rajoni në periudhën prej vitit 2024 deri në vitin 2027.
Prej kësaj shume, dy miliardë do të jenë grante nga BE-ja pa kthim, ndërsa pjesa tjetër në formën e kredive të favorshme.
Qëllimi është që të ndihmohet rritja ekonomike dhe, në këtë mënyrë, të përshpejtohet edhe procesi i integrimit evropian të këtij rajoni.
A do të ishte Kosova përfituese e një shume më të madhe nëse nuk do të kishin ndodhur tensionet e fundit në veri? Po! Kosova, aktualisht, është nën disa masa ndëshkuese të BE-së. Madje një kusht specifik për përfitimin nga ky plan, ishte edhe normalizimi i raporteve me Serbinë. Por përse “veprimet e serbëve në veri gjatë gjithë kohës quhen kryengritje të serbëve të shkelur në Kosovë” ndërsa ne të ndëshkohemi për veprimet tona zot-dalëse ndaj shtetit tonë?
Pse kryeministri Kurti në Bruksel po pajtohet për diçka tjetër, por veprimet e tij urdhërdhënëse nuk po janë në pajtim me ndërkombëtarët? Mos frika që ndihma e cila Kurti kërkon nuk i vie ashtu si ai do, por ashtu siç pala ndërkombëtare e sheh të arsyeshme po e vë drejtë euforisë për të marrë vendime pa koordinim? Veprime të cilat po na detyrojnë të dëgjojmë deklarata broçkulla të Vuçiqit dhe ndëshkime të BE-së!!
***
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës doli me një aktakuzë të gjatë kundër 45 serbëve. Dokumenti prej 158 faqesh përmblodhi përshkrime, veprime dhe fakte për t’i ngarkuar një numër të caktuar njerëzish, jo vetëm për Banjskën, por edhe gjithë dhunën që rrodhi në maj të 2023-ës dhe i parapriu ngjarjes që ndodhi më 24 shtator 2023.
Dokumenti i akuzës e vërteton atë që tashmë edhe vetë ai e ka pranuar: se udhëheqësi i grupit terrorist quhet Millan Radoiçiq.
Radoiçiq iku mu në ditën e sulmit. Si ia doli t’i shmangej arrestimit në Kosovë? Sido qoftë akuza e prokurorisë është kjo: qëllimi i sulmit në Banjskë ishte shkëputja e veriut nga Kosova dhe bashkimi i tij me Serbinë. Kur filluan këto përgatitje? Pse morri kaq kohë një raport i tillë, përgjigjet e të cilit të gjithë i dinim?
***
FESTARI 2024 sjell këtë vit një ngjarje të veçantë artistike, duke prezantuar një ekspozitë që bashkon dy breza artistësh.
Nën organizimin e Refki Gallopenit dhe me kurator Skënder Boshtrakaj, ekspozita përfshin punimet e Pranvera dhe Gursel Sylejmanit, baba e bijë që përmes artit të tyre shprehin një histori të thellë trashëgimie dhe dashurie familjare. Ekspozita do të hapet nesër në Therandë në orën 18:00, në Qendrën e Kulturës “Ukë Bytyçi” në Suharekë hapet ekspozita “Gursel dhe Pranvera Sylejmani”.
***
Nëse shpesh pasi merrni vendime të caktuara e keni një ndjenjë e cila ju thotë që jeni në rrugën e duhur, vazhdoni t’i besoni asaj!