Live Stories from Prishtina

LIVE

January 31, 2024

Autore: Rozafa Bashota

Note: Ky blog është krijuar për t’iu ofruar juve një këndvështrim të sinqertë rreth temave të caktuara, duke filluar nga librat dhe kultura, e deri tek mendimet dhe qëndrimet tona. Çfarëdo që të duket personale, mos e konsidero të tillë. Disa janë të bazuara në eksperienca personale, disa në vlerësime filozofike e psikologjike, e disa të tjera në evidencë. Ideja është që të mësosh diçka nga përvojat tona dhe pse jo të të gjenden ndonjëherë në jetë. No hard feelings. It’s all based on a true story. Paper Team.

Uran Haxha është moderator i emisionit “Pak ma Drejt” në Paper Radio dhe një gazetar me përvojë shumëvjeçare. Është pasionant i arkitekturës dhe një dashamirës i madh i ushqimit.

Haxha është person shumë kureshtar, ambicioz dhe i drejtpërdrejt. Ai e shpreh mendimin e tij lirshëm dhe pa frikë, dhe kjo e bën të jetë një personazh shumë interesant dhe aspak konformist.

Bindjet dhe qëndrimet e tij janë të pathyeshme, gjë që të bën të mendosh se është e rëndësishme të kesh parime të qarta në jetë dhe t’i promovosh ato me krenari.

Sot, ne do do të ndajmë me Ju një këndvështrim më të veçantë të Uran Haxhës rreth tematikave të ndryshme personale, por edhe profesionale.

Rreth rutinës:

U.H: Rutina ime nuk është siç ka qenë dikur. D.m.th. rutina ime ka ndryshuar ndër vite, varësisht prej angazhimeve që i kam pas. Nuk kam qenë kurrë një tip shumë aktiv, por kam qenë aktiv. Kam pas një aktivitet të njëtrajtshëm gjithmonë. Me raste, ndonjëherë është ngrit shumë, varësisht prej punëve.

Rutina e fundit është shumë punë, gjumë dhe kohë me familje. Së fundmi, filmat dhe librat janë bonus për mua, për arsye të angazhimeve të tjera, kështu që po më vjen inati që nuk po kam kohë shumë për filma dhe për libra, por mundohem që me gjet një kohë, ku është e ku s’është, megjithatë nuk po mundem me ia dal siç ja kam dal më herët. Por rutina ime fillon herët në mëngjes, diku nga ora 7:00-7:30 më së largu. Zgjimi im bëhet nga djaloshi im i vogël, natyrisht, dhe filloj me punë, duke ditë që përveç emisionit këtu bëj punë të tjera në fushën e Marketingut dhe PR. Por, edhe i angazhuar si gazetar me shkrim në mediat tjera, kohë pas kohe.

Dita fillon poshtë e lart- e shoh krejt çka bëhet, e përcjelli krejt çka bëhet. Në fund të ditës, puna ime e cila rikapitullon gjithë ditën është “Pak ma Drejt”, emision i cili është nga ora 15:00-17:00. Unë mundohem që çdo ngjarje që ka kalu ditën, me ofru një qasje pak ma drejt dhe me iu tregu njerëzve si ka qenë dhe si do të jetë dhe çka mund të jetë më drejt se që mundem.

Rreth arkitekturës:

U.H: Tri vjet unë e kam drejtu portalin Ndertimi.info – portali i parë për ndërtim dhe arkitekturë në Kosovë. Arkitektura është një sen shumë interesant, është pak a shumë si ata që mbajnë pëllumba – a din, ata që mbajnë pëllumba nuk munden me i hek pëllumbat – janë të çmendur. Njëjtë edhe arkitektura. Nëse një herë ja nis me të pëlqy dhe me lexu, nuk mundesh me heq dorë prej saj. Kam nis me një pasion të thjeshtë ndaj modernizmit, d.m.th. ndërtesa të modernizmit që ne në Kosovë i kemi me shumicë dhe më pas kam fillu me u zgjeru, me lexu, me pa fotografi, me pa katalogje, me pa projekte. Kam nis me reflektu mbi arkitekturën. Kam nejt shumë me arkitektë vendor, ndërkombëtar, më njerëz të cilët e kanë përcjellë arkitekturën ndër vite. Kam intervistu dhjetra arkitektë, inxhinierë dhe sociologë që janë marrë me arkitekturën.

Për mua arkitektura është si hapësira – çdo gjë që na rrethon është arkitekturë. Sepse, shumë njerëz e mendojnë arkitekturën veç si vija, matematikë mirëpo arkitektura është shumë më shumë. Është reflektimi i asaj që ka brenda arkitekti për një kohë të caktuar. Për këtë arsye dalin edhe stilet, si bashkëkohorja, modernja… varësisht prej njerëzve si e shprehin atë që e kanë brenda dhe idetë e tyre. Është planifikimi i jetës së dikujt, d.m.th. ne kemi me ec nëpër atë rrugë, sepse arkitekti ka thënë dhe ka mendu se “qajo rrugë duhet me kon në qat’ vend”. Ne kemi mu zgju në mëngjes në atë ndërtesë dhe me atë pamje, se arkitekti e ka mendu ashtu. Kështu që, e ka brenda filozofinë, sociologjinë, historinë, e ka brenda pjesën e shkencave ekzakte.

Arkitektura në vendin tonë ka qenë e imponuar deri diku por iu ka përshtatur kohës dhe pak a shumë regjimit që ka qenë komunist. Sepse nëse i shohim ndërtesat tona – shumë lehtë mundesh me pa një ndërtesë të tillë në Serbi, Mal të Zi, Maqedoni, Kroaci, Slloveni, por edhe në Bashkimin Sovjetik.

E çfarë na ka ndodh neve është se pas Luftës, kemi qenë në fazën e ri-ndërtimit. Njerëzit nuk kanë zgjedhur se çfarë shpije po dojnë me bo, por e kanë pas të nevojshme diku me shti kryt sepse Lufta i ka dëmtu krejt.

Por, kur ka ardh koha që ne me planifku ashtu qysh duhet qytetet tona, ne kemi huq. D.m.th., kemi nis me fol për koeficientin, për katet, për këtë, për atë, mirëpo kurrë për arkitekturën dhe planifikimin në fushë më të gjerë.

Ka një përcaktim të vogël të disa arkitektëve që kanë fillu me mendu taman siç duhet, por ende nuk është në gjendje të mirë.

Rreth prindërimit:

U.H: Kur bëhesh prind dhe ja nis me mendu ti vet të duket si deja vu por nuk është deja vu, por prej prindërve të kaluar se çka të kanë thënë ata. Nuk mundesh me përshkru me fjalë se si ndihesh. Ka më shumë se një vit që jam bërë babë. E kam një djalë – Uliksin. Unë dhe Florina jemi bërë prindër për herë të parë me Uliksin dhe mund të them që na ka falë një jetë krejt tjetër. D.m.th. kanë ndryshu prioritetet, ka ndryshu rutina jonë, ka ndryshu gjithçka për me iu përshtat Uliksit. Kur i ka mbush një vjet, kam thënë që deri tash nuk paskam ndjerë kënaqësi më të madhe. Nuk mundesh me e përshkru. Është një kënaqësi hyjnore që ta jep. Ti mundesh me qenë shumë i lodhur tërë ditën, por kur të pret në shpi tu qesh, duke i hap durt, ti harron çdo gjë.

Rreth barazisë gjinore:

U.H: Unë mendoj, si për shumicën e gjërave që njeriu i ka, gjithçka fillon prej familjes. Kur e sheh ti brenda familjes tënde se si është e trajtuar barazia gjinore ose jobarazia gjinore, ajo ngjizet tek ti. Përsëri po kthehem te Uliksi. Unë sot e shoh p.sh. një veprim që e bëj unë, e bën edhe ai. Nëse unë e bëj një veprim të keq, edhe ai ka me bo veprimin e keq. Kështu që, unë jam rrit me një familje relativisht të madhe, 8 antarëshe. Prindërit e mi punojnë në arsim. Familjarët e tjerë kanë punu në punë të tjera: administratë, biznes. Dy prindërit e mi kanë qenë sportistë, janë njoftu si sportistë në Fakultet të Edukatës Fizike, edhe kanë shëtit shumë dhe e kanë njoft botën pak më ndryshe. Nuk kanë qenë brenda kornizave patriarkale.

“Unë barazinë gjinore nuk jam angazhu që me vu në pah, thjesht e kam jetu dhe për mu është diçka shumë normale. D.m.th. unë nuk mendoj asgjë që mashkulli duhet me bo, e mos me bo gruaja, apo e kundërta”.
Unë jam prej atyre personave që pres që një grua apo një shoqe me ma pagu kafen. Më duket krejt normale. Veç një gjë më duket e kam që nuk është fort barazi gjinore dhe ajo është se sa herë që eci me një grua, nuk kam qejf me lon nga ana e rrugës, por nga trotuari. Nuk e di, këtë e bëj instiktivisht. Kjo është jobarazia gjinore.

Rreth gazetarisë hulumtuese:

U.H: Unë nuk e konsideroj veten fort gazetar hulumtues, por tentoj me trajtu tema që nuk trajtohen çdo ditë. Ne kemi rrëshqit në një gazetari që unë e quaj fast food, bëhet shumë shpejt, nuk dihet çka bëhet. Në fund të ditës nuk e ke një tekst të plotë, nuk mundesh me pa askund çka ka ndodh gjatë gjithë ditës, janë vetëm disa dromca, të paverifikuara. Një përgjigje në telefon sot konsiderohet lajm edhe pse ekziston një proces për me përgatit një lajm, por ka ardh qysh ka ardh situata me qenë kështu.

Unë shkruaj për Kosova 2.0, kjo pasi që e kanë një hapësirë më të gjatë për tekste të gazetarisë. Mendoj që prezenca shumë e madhe e portaleve me lajme shumë të shkurta, i ka lënë gazetarët e ri përgjysëm në profesion, sepse nëse i len me trajtu një temë të gjatë, e sheh që kanë probleme serioze. Këtu i ka fajet edhe shkolla e gazetarisë, i kanë fajet edhe profesionistët e vjetër që nuk e kanë përcjellë tek profesionistët e ri. Ka shumë faje, por unë po shpresoj që ka me ndryshu, edhe pse nuk po duket në horizont.

Unë para Vitit të Ri, e kam bo një tekst me zjarrëfikësit e Prishtinës, kam shku dhe kam qëndru gjithë natën me ta, e kam bo një tekst për gjendjen e tyre dhe për trajtimin e tyre jo njerëzor, jo serioz, edhe pse e kanë rëndësinë shumë të madhe si institucion dhe e kam publiku tekstin. Kam marr pastaj shumë mesazhe prej zjarrëfikësve prej krejt Kosovës… edhe a din sa mirë ndihesh?! Ky sen më ndodh edhe në Paper Radio – në Pak ma Drejt, tash e dy vjet, unë e bëj këtë, kam qef me ia dhënë hakun secilit që punon, e me përqesh me ata që nuk punojnë e bëjnë kinse po punojnë dhe kështu njerëzit reagojnë. Unë mendoj që kështu shkojnë senet duke ndryshu. Duke ju trokit secilit në kokë, duke i thënë ngadalë se nuk është kështu por kështu.

Shpresoj që gazetaria dhe gazetarët hulumtues me mbet brenda profesionit të tyre, sepse kemi pas shembuj kur kanë rrjedhë përgjime që gazetarët hulumtues janë bërë krahë me krimin, e kjo është gjëja më e keqe që mund të ndodhë sepse kjo na etiketon të gjithëve. Unë besoj që koha ka me prodhu gazetarë kualitativ…

Rreth ushqimit:

U.H: Unë jam gurman. Jam shumë merak në ushqim, syri im kurrë nuk ngihet, d.m.th. ndonjëherë duhet me ndal veten sepse me pas mundësi kurrë s’isha ndal tu hanger. E dua shumë ushqimin, i ha shumicën e ushqimeve dhe gjithçka që është e shijshme. Duke qenë që ne kemi qenë studentë dhe jemi ardhë në Prishtinë prej qyteteve të tjera, ka pas raste kur është dasht “me luftu me mbijetesën”, kemi mbet me pak pare, nuk kemi mujt me dal me hanger në qytet dhe është dasht me përgatit në shtëpi. Edhe askush nuk mundet me mësu me përgatit pa ja huq disa herë gjatë përgatitjes,dhe ne e kemi bo të njëjtën gjë. Një kohë kam qenë i apasionuar pas emisioneve të gatimit, kam shiku shumë emisione për gatim… çka ka pas në kitchen.tv, krejt i kam përcjell.

Mundem me theksu që në pandemi kam gatu shumë ushqim, krejt eksperimentet e mundshme i kam bo në pandemi edhe shumica prej tyre kanë dal të shijshme. Po natyrisht me ushqimin gjithmonë është afër edhe pija. Unë vij nga Suhareka dhe kam qejf me përcjell ushqimin me pije të mira, përfshirë ato alkoolike dhe joalkoolike. P.sh. më pëlqen limonata në ëmbëltore, boza jo, më pëlqen rakia e shpisë, birra, vera, whiskey… gati krejt, por ka edhe nga ato që nuk më pëlqejnë.

Pjatat e preferuara i kam të ndryshme, p.sh. kur bëhet fjalë për mishrat jam më shumë tek bifetku, brinjtë e viçit, qingjit etj. Tek pastat jam tek ato me fruta deti por edhe ato që janë veç me perime. Tek ushqimet tradicionale jam tek gjellërat, gjatë dimrit kryesisht jam tek gullashi, pasuli edhe di shumë mirë t’i gatuaj edhe vetë. Vetëm tek brumërat nuk di, përveç pallaçinkave. Kam qef fast food, street food. Nëse shkoj në ndonjë vend me udhëtu nuk kqyri shumë restaurante, nëse ka ndonjë kabinë rrugës me ushqim ndalem, s’e kam problem. Unë shkoj në vendet që e di çka ha, p.sh. nëse më hahet picë shkoj në Napoli, nëse më hahet pasta shkoj tek Basilico, pra e di çka lypi.

Rreth pasionit:

U.H: Pasion e kam sportin edhe pse ka kohë që nuk e bëj, ka dy vjet që nuk jam aktiv. Në adoleshencë kam qenë shumë aktiv, kam qenë pjesë e garave pasi kam qenë fëmijë i prindërve sportistë, pastaj vonë pata nis këtë sportin urban – me dal me vrapu, me ec atëherë kur isha pak më free. Si jo baba, arrija me mbërri në kohë, tash jo shumë. Por, e kam pasion sportin – e përcjelli edhe në televizion basketbollin, futbollin, skijimin, pasi gjithmonë tek ne është përcjellë sporti në TV, aty edhe gjuhët ja kom nis m’i kuptu kapak.

Pasion i kam arkivat, hyj shikoj, lypi gjëra të vjetra, gazeta, artikuj, fotografi, video. E kam një faqe që postoj nganjëherë në Facebook dhe Instagram “Na ishte njëherë” – kam edhe një projekt qe po du me realizu me arkiva. Por, arti është pasioni im, pastaj librat dhe pikturat – në këtë të fundit jam influencuar prej shokut tim Genc Bekteshit, i cili është piktor. Ai më ka marrë me shku në koloni të artistëve… pastaj e pash që ja nisi me m’pëlqy shumë.

Rreth vizionit:

U.H: Vizoni im është me qëndru i ndershëm në punë, në biznes, në muhabet, në ushqim, në pije, në jetën e përditshme, në raport me të njohurën, me të panjohurën – kam qef me qenë i ndershëm. Deri sot ia kam dal, shpresoj t’ia dalë, nuk mund t’ia garantoj vetes në një kohë, në një ritëm, në një botë të tillë ndoshta nuk është e lehtë me qenë i ndershëm. Unë kam qejf dhe do të doja të isha i ndershëm. Nuk jam mësu dhe nuk e përballoj dot atë që dikush të thotë: “Ky që e boni këtë ose ky që e boni ata”.

Kështu që shpeshherë e kam pësu që kam qëndru kështu, po unë ju them edhe të tjerëve që me qenë i ndershëm për mua është me dhuru dashni. Kjo është edhe çka e them gjithmonë në fund të emisionit: “Duajeni veten dhe njëri-tjetrin!”.